
- Viti 2021 shënoi numrin më të lartë, me gati 60% shtim të personave që kërkuan asistencë deri në hospitalizim në spitale.
- Spitalet Psikiatrike në Vlorë, Elbasan dhe Tiranë do të rikonstruktohen. Pikëpyetje mbi trajtimin e të sëmurëve.
- Strategji dhe plan veprimi për reduktimin e shtrimeve, fokus shtimi i stafeve me psikologë, punonjës socialë dhe administratë.
Pas pandemisë Covid-19, situata e mirëqenies dhe shëndetit mendor të popullatës në mbarë botën ka qenë objekt studimesh me fokus hartimin e politikave të shëndetit publik. Në këtë rast, Shqipëria bën përjashtim. Në vendin tonë nuk ka asnjë studim publik post-Covid për situatën e shëndetit mendor të popullatës. Në faqet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe të Institutit të Shëndetit Publik, janë publikuar pafund strategji dhe plane veprimi në kuadër të shëndetit mendor. Ndërkohë, këto dokumente nuk bëjnë asgjë më shumë, veçse evidentojnë faktin se janë shtuar stafet me punonjës socialë dhe psikologë, por nuk ka asgjë konkrete mbi gjendjen e shëndetit mendor në vend. Ndërkohë që mungojnë studimet, informacionet publike dhe statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë demaskojnë realitetin në të cilin gjendet vendi ynë sa i takon gjendjes reale të shëndetit mendor të popullatës. Referuar këtij informacioni publik, pas vitit 2020, numri i shtrimeve në spitalet psikiatrike në vend ka pësuar rritje deri në 56%. Sipas të dhënave zyrtare, në janar 2024, raportohen se në 4 shërbimet e shëndetit mendor të specializuara me shtretër po marrin trajtim 555 persona. Ndërkohë, në shërbimet e shëndetit mendor të specializuara me shtretër për vitin 2020 janë shtruar 1999 persona, për vitin 2021 janë shtruar 3185 persona, për vitin 2022 janë shtruar 3135 persona, dhe për vitin 2023 janë shtruar 3056 persona. Pas pandemisë Covid-19, numri i shtrimeve në spitalet psikiatrike në vend është shtuar në mënyrë të frikshme, sidomos në vitin 2021, duke kapur shifrën rekord me 1186 persona më shumë të shtruar. Spitalet Aktualisht në vend janë 4 shërbime të shëndetit mendor të specializuara me shtretër (spitale dhe shërbime psikiatrike) dhe janë planifikuar/po zbatohen investime të rëndësishme në këto shërbime. Përkatësisht, në Spitalin Psikiatrik Vlorë, fondi total i investimit nga buxheti i shtetit për këtë investim është 208 milionë lekë, ku përfshihen dhe pajisje. Puna ka filluar dhe është parashikuar që godinat të vihen në funksion brenda vitit 2025. Ndërkohë, rikonstruksioni i Spitalit Psikiatrik Elbasan është planifikuar me vlerë të përafërt 279 milion lekë nga buxheti i shtetit, ku përfshihen dhe pajisjet. Investimi do të fillojë gjatë vitit 2024 dhe është parashikuar për t'u mbyllur brenda vitit 2026. Gjithashtu, është planifikuar edhe rikonstruksioni i Shërbimit të Psikiatrisë në QSUT, me vlerë 193 milion lekë (fonde kredi të Bankës Botërore) dhe është në proces prokurimi. Pritet të nisin punimet me afat 1-vjeçar për zbatimin e tyre. Shtrimet Statistikat e shtrimeve në spitalet psikiatrike në vend janë vërtet të larta, nisur nga fakti që shërbimet e shëndetit mendor në vend, prej kohësh janë në proces reformimi total. Konkretisht, sipas tipologjisë së re të shërbimeve të specializuara të shëndetit mendor me bazë komunitare, përkatësisht të QKSHM-ve dhe Shtëpive të Mbështetura, të cilat sipas tyre kanë rezultuar në reduktimin e numrit të shtretërve të spitaleve/shërbimeve psikiatrike me shtretër, me fokus të veçantë në reduktimin e numrit të rezidentëve kronikë të akomoduar në këto shërbime (persona me çrregullime të shëndetit mendor ose aftësi të kufizuara mendore, të akomoduar prej më shumë se 5 vitesh pranë këtyre shërbimeve). Pas kësaj ndërhyrjeje, dy shërbimet e shëndetit mendor me shtretër, përkatësisht në Tiranë dhe Shkodër, tashmë funksionojnë si shërbime akute/subakute. Në këtë kuadër, procesi i reduktimit të numrit të shtretërve psikiatrikë, i zbatuar paralelisht me shtimin e shërbimeve komunitare, e ka çuar në 600 numrin e shtretërve në shërbimet e shëndetit mendor për vitin 2023, nga 900 shtretër në vitin 2000. Riorganizimi Në kuadrin e reformës kombëtare të shëndetit mendor, shërbimet për shëndetin mendor synojnë kujdesin komunitar dhe familjar, si dhe zgjerimin e kategorive të profesionistëve të përfshirë në shërbime më shumë disiplinore. Konkretisht, në nivel kombëtar janë ngritur dhe funksionojnë 14 Shtëpi Mbështetëse, në të cilat ofrohet trajtim rehabilitues në nivel individual për persona me çrregullime kronike të shëndetit mendor, kryesisht ish-rezidentë kronikë të spitaleve psikiatrike. Bërthama e sistemit të integruar të shërbimeve të shëndetit mendor është Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor. Aktualisht janë ngritur 10 QKSHM, 4 prej të cilave kanë ekipe multidisiplinare të dedikuara fëmijëve dhe adoleshentëve, të cilat kanë lehtësuar dhe mbështetur jetesën në komunitet të personave me çrregullime të shëndetit mendor, me fokus kryesor çrregullimet e rënda. Sipas Ministrisë, prej vitesh tashmë, shërbimi i shëndetit mendor përfshin qasje trajtimi multidisiplinare me mjekë psikiatër, infermierë, psikologë, punonjës socialë, terapistë okupacionalë, logopedistë, etj., numri i të cilëve po rritet nga viti në vit me zbatimin e politikës së hapjes së specializimeve dhe të zbatimit të politikave të tjera stimuluese. Madje, shëndetësia nënvizon se në kuadër të reformimit të KSHP-së, në zbatim të qasjes socio-shëndetësore të ofrimit të shërbimeve në këtë nivel, 50 profesionistë psikosocialë janë atashuar pranë QSH-ve, me qëllim trajtimin më të mirë të nevojave të grupeve të prekshme, veçanërisht personave me probleme të shëndetit mendor. Figura të tjera, si fizioterapistë dhe logopedistë, po hyjnë së fundmi në KSHP, duke pasuruar qasjen multidisiplinare të ekipit të mjekësisë së familjes në këtë nivel shërbimi. Stafet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) pranon se në kujdesin parësor ka përfshirë qendra socio-shëndetësore. Janë hapur 50 qendra shëndetësore të cilat tashmë ofrojnë dhe kujdes të integruar psiko-social; po ashtu, këtë vit (2023), po zgjerohen duke integruar dhe 50 qendra të tjera në kujdesin parësor me punonjës social.