Sot Bodrumi është sinonim i plazheve luksoze, jahteve milionëshe dhe pushimeve të elitës turke e ndërkombëtare. Por shumë shekuj përpara se të mbushej me resorte dhe marina, ky qytet buzë Egjeut ishte skena e një prej historive më të pazakonta të dashurisë dhe pushtetit në botën antike.
Rreth vitit 350 para Krishtit, Halikarnasi – siç quhej atëherë Bodrumi – u bë vendi ku u ngrit Mauzoleumi i Halikarnasit, një nga Shtatë Mrekullitë e Botës së Lashtë. Monumenti u ndërtua nga mbretëresha Artemisia II në kujtim të bashkëshortit të saj, Mausolit, i cili ishte njëkohësisht edhe vëllai i saj. Martesa mes motrës dhe vëllait kishte për qëllim ruajtjen e pushtetit dhe të gjakut mbretëror brenda dinastisë Hekatomnide.
Kur Mausoli vdiq në vitin 353 para Krishtit, Artemisia vendosi t’i ndërtonte varrin më madhështor që kishte parë ndonjëherë bota. Ajo mblodhi arkitektët dhe skulptorët më të famshëm grekë, të cilët krijuan një monument gjigant të zbukuruar me qindra skulptura, relieve dhe një piramidë madhështore në majë, ku qëndronte një karrocë me katër kuaj. Aq i jashtëzakonshëm ishte ky ndërtim, sa emri i Mausolit u bë përgjithmonë pjesë e historisë: prej tij vjen fjala “mauzoleum”, që sot përdoret në mbarë botën për varret monumentale.

Legjenda thotë se Artemisia nuk e përballoi dot humbjen. Madje, sipas rrëfimeve të lashta, ajo përziu hirin e bashkëshortit me verë dhe e piu, si shenjë e dashurisë së saj të pakufishme. Vetëm dy vjet më vonë edhe ajo ndërroi jetë.
Sot nga kjo mrekulli kanë mbetur vetëm rrënoja, ndërsa shumë prej skulpturave ruhen në Muzeun Britanik në Londër. Megjithatë, çdo turist që viziton Bodrumin nuk shkel vetëm në një destinacion të famshëm veror, por në vendin ku lindi një nga monumentet më të famshme dhe më enigmatike të historisë së njerëzimit.






















