Legjenda e rock-ut Mick Jagger ka rrëzuar idenë se mosha sjell domosdoshmërisht më shumë mençuri. Në një intervistë për podcastin “The Interview” të The New York Times, frontmeni 82-vjeçar i The Rolling Stones tha se nuk sheh asgjë pozitive te plakja.
Kur u pyet se cila është gjëja më e mirë e të qenit më i moshuar, Jagger u përgjigj shkurt: “Nuk ka asgjë të mirë te kjo.”
I pyetur nëse tetë dekada jetë i kanë sjellë më shumë urtësi, ai u përgjigj me humor: “E kam harruar gjithë mençurinë time. Ndoshta kam pasur disa mendime të vlefshme, por i kam harruar.”
Këngëtari pranoi se mosha sjell kufizime fizike.
“Nuk mund t’i bësh gjërat aq shpejt sa dëshiron. Fizikisht duhet të jesh më i kujdesshëm,” tha ai.
Megjithatë, Jagger nuk ka ndërmend të largohet nga skena. Pavarësisht se kitaristi Keith Richards ka shprehur dyshime për turnetë në këtë moshë, Jagger tha se është ende i gatshëm të udhëtojë për koncerte.
“Nuk e kam problem të bëj turne. Shpresoj të jem në gjendje ta bëj edhe në të ardhmen. Më pëlqen të udhëtoj, të takoj njerëz dhe të shkoj në vende të pazakonta për të performuar,” u shpreh ai.
Deklaratat e tij vijnë pak ditë pas publikimit të albumit të 25-të të The Rolling Stones, Foreign Tongues. Edhe pse këtë muaj mbush 83 vjeç, Mick Jagger thotë se nuk ka ndërmend të ngadalësojë ritmin dhe shpreson të rikthehet në një turne botëror gjatë vitit 2027.






















