Polifonia shqiptare është bërë pjesë e një prej produksioneve më të mëdha hollivudiane të viteve të fundit. Kompozitori fitues i tre çmimeve Oscar, Ludwig Göransson, ka konfirmuar se gjatë punës për kolonën zanore të filmit “The Odyssey” të Christopher Nolan është frymëzuar edhe nga tradita muzikore shqiptare.
Për të krijuar atmosferën autentike të botës së lashtë, Göransson udhëtoi në jug të Shqipërisë, ku regjistroi këngët e barinjve në orën 4 të mëngjesit, duke kërkuar tingujt origjinalë që do të përfshiheshin në kolonën zanore të filmit.
Vetë kompozitori ka treguar se Christopher Nolan i kërkoi të shmangte orkestrën klasike dhe të krijonte një identitet muzikor që t’i afrohej sa më shumë antikitetit. Për këtë arsye ai studioi instrumente dhe tradita muzikore të lashta, përdori aulosin, lirën dhe instrumente prej bronzi, duke kërkuar tinguj autentikë jashtë muzikës moderne.
Përfshirja e polifonisë shqiptare në këtë projekt përbën një vlerësim të jashtëzakonshëm për një traditë që është pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s dhe që tashmë do të dëgjohet në një film me audiencë globale.






















