Joga e fytyrës po përdoret gjithnjë e më shumë si një metodë natyrale për të parandaluar dhe zbutur shenjat e plakjes në fytyrë dhe qafë.
Kjo praktikë holistike kombinon ushtrime të posaçme, masazh, akupresurë dhe teknika relaksimi, me synim forcimin e muskujve, përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe reduktimin e tensionit në fytyrë. Sipas ekspertes Areti Kafantari, sa më herët të fillohen ushtrimet, aq më të mëdha janë mundësitë për të parandaluar krijimin e vijave të holla dhe rrudhave.
Përmes ushtrimeve, personat bëhen më të vetëdijshëm për shprehjet e fytyrës dhe mësojnë të kontrollojnë lëvizjet që mund të theksojnë rrudhat. Fytyra dhe qafa përmbajnë rreth 57 muskuj. Forcimi i tyre ndihmon që lëkura të duket më e tonifikuar, elastike dhe e shëndetshme. Duke qenë se këta muskuj janë më të vegjël dhe më të hollë se muskujt e trupit, ata mund të ushtrohen më lehtë.
Një rol të rëndësishëm luan edhe masazhi, i cili ndihmon qarkullimin e gjakut, aktivizon sistemin limfatik dhe mund të reduktojë ënjtjen e fytyrës. Ndërkohë, akupresura realizohet përmes ushtrimit të presionit në pika të caktuara të fytyrës dhe qafës, duke ndihmuar në uljen e tensionit dhe në përmirësimin e pamjes së lëkurës.
Sipas Kafantari, personat që kanë vija të holla ose shenjat e para të plakjes mund të shohin përmirësime pas 6 deri në 8 javësh praktikë të rregullt.
Përveç efektit estetik, joga e fytyrës synon edhe relaksimin dhe mirëqenien, pasi koha që i kushtohet kujdesit ndaj vetes reflektohet edhe në pamjen e jashtme.






















