Nga Bjorn Runa
Ndërsa “Ligji për Barazinë Gjinore” kaloi në parlament këtë javë mes amullisë së debateve pa thelb, shumë prej nesh e u gjendëm sërish të futur me forcë mes përpalsjes së dy forcave ideologjike kundërshtare në dukje, por në shumë aspekte jo edhe aq larg njëra-tjetrës. Në njërin krah, qëndron i vetëquajturi bllok konservator, të cilët e kanë denoncuar ligjin si sulm ndaj “familjes tradicionale”. Në tjetrin gjendet shumica parlamentare dhe përkrahësit e saj ndërkombëtarë, që e kanë cilësuar ligjin si një hap të nevojshëm drejt integrimit evropian, modernizimit dhe të drejtave të njeriut. Por, teksa të dy palët pretendojnë se janë duke mbrojtur shoqërinë shqiptare, duket se asnjëra nuk i njeh më njerëzit që janë pjesë e saj.
Parimisht, është e pamundur të kundërshtosh apo edhe të kritikosh një ligj që premton mbrojtje dhe gjithëpërfshirje. Çdo njeri gëzon të drejtën për të jetuar, punuar dhe dashuruar pa frikë. Megjithatë, problemi zë fill kur këto të drejta na vijnë si zbukurime në një ngrehinë që është duke u rrëzuar.
Kur zyrtarë vendas dhe ndërkombëtarë flasin për “përfshirje”, shpesh me ose padashje, kanë në përfytyrimin e tyre jetën urbane. Por, një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë shqiptare jeton ende në kushte ku mbijetesa varet nga lidhjet familjare, remitancat, ose edhe thjesht fati. Ndaj, ideja e këtyre të drejtave individuale mund të tingëllojë abstrakte kur ekzistenca jote mbetet në varësi të kolektives, e ndërmjetësuar përmes familjes, fisit, fshatit, apo - në raste më të rralla – komuntetit fetar të cilit i përket.
Përfytyroni një të ri gay nga një familje e varfër rurale. Prindërit e tij, të bindur në besimin e tyre fetar, e përzënë nga shtëpia. A mund të gjejë ai strehim përmes institucioneve shtetërore? A kemi në programe të mirëqenies sociale, apo shërbime sociale që të ndërhyjnë në kohë për të shmangur vuajtje edhe më të mëdha se sa ato që do të përjetonte edhe duke jetuar mes poshtërimit nga familja e tij? Në komunitete ku mundësitë ekonomike mbeten në kufijtë e mbijetesës, famiilja nuk shërben vetëm si strukturë morale, por përbën të vetmin isntitucion mbijetese për shuëmkënd. Nëse edhe kjo ngrehinë e fundit bie, individi është i destinuar të bjerë bashkë me të.
Histori të tilla, nga komforti i shtresave urbane të shoqërisë, ngjasojnë me përjashtime tragjike, por për shtresat e varfëra dhe ato rurale përbëjnë realitetin e përditshëm. Në të tilla kontekste, familja nuk përbën thjesht dhe vetëm një institucion moral, por është i vetmi "dyshek sigurie" që mbetet dhe pa të nuk ka më asgjë ku individi të mund të bjerë butë në momente vështirësish.
Në këtë aspekt konservatorët – dhe këtu nënkuptoj ata njerëz të thjeshtë që vërtetë shqetësohen e protestojnë për familjen, jo ndonjë grupim politik të vetëshpallur si të tillë – kanë pjesërisht të drejtë për disa gjëra, ndonëse gabojnë në gjithçka tjetër. Familja, në kontekstin shqiptar, është thelbësore për mbijetesën e individit, por vetëm sepse shteti ka hequr dorë nga çdo formë tjetër solidariteti. Për rrjedhojë, është familja ajo që ushqen, strehon dhe në shumë raste edhe siguron punësim për individin, në një realitet ku institucionet janë tërhequr nga çdo formë konkrete mbështetjeje. Megjithatë, të mbrosh familjen nuk nënkupton të mbash në këmbë format patriarkale të saj, por ta çlirosh atë nga Barrat shtypëse, si puna e kujdesit të papaguar, varësia, apo hierariktë mbytëse që lindin për shkak të varfërisë. Konservatorët, ata që e pretendojnë veten vërtet të tillë, thonë se kërkojnë të mbrojnë familjen, por nuk pyesin kurrë se përse kjo e fundit është detyruar të kthehet në strehën e fundit për të varfërit.
Në anën tjetër, edhe pretendimi i qeverisë se po hidhet një hap më tej drejt progresit, nuk është më pak hipokrit. Përfshirja, na thuhet, do të sjellë baraza. Premtohet se do të ketë më tepër gra në pozicione drejtuese, vendimmarrje, më shumë mbrojtje për grupet e margjinalizuara. Por, a ka kuptim të flitet për baraza në një vend ku një numri të madh grash i dihet të punojë në informalitet dhe pa asnjë ndihmë kujdesi për fëmijët? Një vend ku ata të cilët identifikohen si queer, rrezikojnë të përballen me humbjen e strehës, elementit më bazik të dinjitetit njerëzor? Një vend ku kostoja e qirasë gllabëron si pa kuptuar gjysmën e një rroge mujore? Ky ligj për “barazinë gjinore”, rrezikon të jetë një tjetër kuti e çekuar për Burkselin, në vend që të shërbejë realsiht si mbrojtje për shtresat më të brishta të shoqërisë tonë.
Ndasia e vërtetë në Shqipëri nuk është mes tradicionalistëve dhe progresistëve, por mes atyre që mund të mbijetojnë edhe pa familjen dhe të tjerëve, për të cilët një gjë e tillë është krejt e pamundur. Për këta të fundit, çdo sulm ndaj familjes - qoftë edhe i imagjinuar - jo vetëm që nuk sjell ndonjë ndjesi çlirimi, por bën që t’i frikësohen një katastrofe edhe më të madhe. Ndaj, politikat emancipuese duhet të synojnë më së pari ndërtimin e institucioneve të përbashkëta që mund të zëvendësojnë sadopak funksionin ekonomik të familjes (strehim publik, akses në kujdesin për fëmijët, ndihmë sociale efektive), në mënyrë që e drejta e dikujt për të ekzistuar të mos varet më nga mëshira e të afërmve, apo ca më keq e priftërinjve dhe hoxhallarëve.
Perandoria na mëson se si të flasim për gjininë dhe të drejtat, por asnjëherë për dallimet gjithnjë e më të thella klasore në shoqërinë tonë. Na tregon se kush Meriton njohje, por jo ata që kanë në duar mjetet e mbijetesës sonë. Nuk na shpiegon kurrë se përse disa mund të kenë më shumë shtëpi se sa do të kenë ndonjëherë anëtarë familjeje për të jetuar në to, ndërsa të tjerë e kanë të pamundur të kualifikohen edhe për një kredi.
Nëse do duam që t’i japim realisht kuptim retorikës së Perandorisë, atëherë duhet ta përvetësojmë atë, ta zhveshim nga qëllimet e saj burokratike, për ta përdorur kundër vetë rendit që na e ka mësuar ta flasim. Barazia duhet të fillojë nga poshtë (ushqimi, streha, puna, kujdesi) dhe jo nga retorika burokratike e Perëndimorit që vjen të civilizojë një shoqëri barbare duke i tundur gjithmonë mundësinë e integrimit. Nëse nuk e arrijmë këtë, atëherë çdo debat rreth “progresit” mbetet i pakuptimtë, ndërsa ne do të vazhdojmë të jemi viktima të betejës teatrale mes Perandorisë dhe “traditës.”






















