Nga Eraldo Xhelili
Nuk dua të flas për aferat dhe tenderat milionësh që zhvillohen nën dritën e diellit, për to ka pena që i zbërthejnë çdo ditë.
As për organet e kontrollit që mbyllin sytë sa herë që shohin shkelje, as për nepotizmin apo konspiracionet e zyrave që kanë zëvendësuar meritën me mediokritetin.
Dua të flas për diçka tjetër: Për specialistin, dhe realitetin në të cilin ai jeton. Për atë pjesë të administratës, që mbanë mbi shpinë peshën e gabimeve të të tjerëve dhe frikën e përditshme se e vërteta mund t’u kushtojë vendin e punës.
Besoj se secili prej jush e ka dëgjuar të paktën një herë shprehjen “administrata publike”, shoqëruar me një varg komentesh “të mira”, që qarkullojnë si legjenda urbane, paragjykime dhe stereotipe që përsëriten në çdo bisedë: aty punojnë njerëz të paaftë, njerëz që s’e prekin punën me dorë, që shpërdorojnë postin, që dinë vetëm të bëjnë intriga e jo detyrën. Aty ku vishen skarpina të larta, ku kundërmon parfumi, rrobat firmato dhe tangërlliku e injoranca janë në maksimum.
E vërteta është se këto nuk janë tërësisht të pavërteta, por as nuk përfaqësojnë të gjithë sistemin.
Në administratën publike, duhet të jesh brenda sistemit për të kuptuar si funksionon. Nga jashtë, gjithçka duket e thjeshtë për t’u gjykuar; nga brenda, çdo fjalë e tepërt mund të të kushtojë vendin e punës.
Në këtë realitet, ata që vuajnë më shumë janë më të ndershmit, të pambrojturit, mbi supet e të cilëve bie gjithë pesha e fajit dhe përgjegjësisë së të tjerëve.
Kur qytetari nuk merr shërbimin, kush i del përballë? Specialisti. Ai që është në zyrë, që firmos, që duhet të japë përgjigje, që nuk ka të drejtë të thotë “nuk di”, që e mbulon gjithë turpin e sistemit. Qytetari, me të drejtë, shpërthen: e shan, e ofendon, i kërkon llogari.Por në fund, ai që shan nuk e di: po shan hallin e vet, jo fajtorin e vërtetë. Sepse realiteti është shumë më i hidhur. Specialisti nuk është ai që nuk punon. Është ai që punon për të mbijetuar në një sistem që e shtyp çdo ditë.
Specialistit i kërkohet të firmosë dokumente që nuk i ka lexuar, sepse "koha nuk mjafton".
Firmos me frikë, sepse përgjegjësia është e tij, por urdhri vjen nga lart. (Më ka ndodhur, po flas për një dëshmi personale në vetën e parë dhe të përjetuar nën lëkurën time).
Një dokument që ai nuk e ka përgatitur, një vendim që s’e ka parë, një nënshkrim që mund t’i kushtojë karrierën, por pa të, procesi ndalet, dhe në këtë sistem, procesi nuk ndalet kurrë, pavarësisht kush digjet rrugës. Specialistit i jepet një mal me punë të pakoordinuara.
Një dosje që s’ka afat, një raport që duhej dje, një listë kontrolli që ndryshon çdo javë, një plan që askush nuk e lexon, e megjithatë duhet ta bëjë “sepse kështu kërkohet”.
Kush e kërkon?
Drejtori që s’e di as çfarë është një Excel, por kërkon tabela me ngjyra.
Sekretari që s’ka lexuar ligjin, por jep urdhra me tone. Kurse specialisti, me diplomë, me certifikime, me përvojë, përfundon duke u bërë shërbëtor i mediokritetit.
Ka raste të rralla po ka kur ai është në zyrë deri në mbrëmje, por nuk quhet “punë e tepërt”, sepse nuk ka njoftim zyrtar për orar shtesë.
Në mëngjes shkon në punë, pasdite në mbledhjet e partisë, dhe në darkë lexon manualet që eprorët s’i kanë hapur kurrë.
Ai është motori i administratës, por trajtohet si vida që mund të zëvendësohet nesër.
Kur nuk i bindet urdhrit absurd, e presin tre faza:
1. Presioni moral: nuk je bashkpunues, po pengon punën, ke qëndrim negativ.
2. Puçi i heshtur: përjashtohet nga komunikimet, izolohet nga vendimet.
3. Transferimi: justifikuar me frazën cinike: “Institucioni ka nevojë.”
Edhe nëse ankohesh, të thonë: “Shko te Inspektorati i Punës.”
Inspektorati që vjen, pi një kafe me drejtorin, shikon zyrën, përshëndet “për rregullat e higjienës”, dhe ikën.
Asnjë pyetje, asnjë mbrojtje, asnjë raport real. Sepse në këtë vend, ligji është për dosje, jo për drejtësi.
Por e vërteta është edhe më absurde:
Ka ditë që specialisti nuk ka punë fare në zyrë.
Por ajo ditë mbahet mend.
Jo për pushim, por për ankth.
Sepse kur nuk ka punë, lind dyshimi: “Çfarë po përgatitet?
Ku do më kapin?
Çfarë plani po bëhet?”
Në administratë, mungesa e punës është paralajmërim. Është heshtja përpara stuhisë.
Dhe mendja e specialistit, ajo mendje që nuk pushon kurrë, vazhdon të rrotullohet, edhe kur dritat e zyrës janë fikur.
Sepse e di: në këtë sistem, qetësia është gjithmonë e rreme. Specialisti është ai që mban shtetin në këmbë, por kurrë nuk përmendet.
Ai që trajnohet vetë, që lexon, që mëson, që kujdeset për çdo detaj, por merr një të tretën e rrogës së shefit që s’din të hapë Word-in.
Ai që kur di shumë, është i rrezikshëm, sepse eprorët ndihen inferiorë.
Ai që e di ligjin më mirë se juristi, por nuk ftohet në mbledhje, sepse “nuk ka gradë”.
Nëse e thotë të vërtetën, e quajnë problematik.
Kur refuzon abuzimin, e quajnë “konfliktual”.
Kur nuk hesht, e quajnë “politik”.
Dhe kur prapë s’e thyen, e zhvendosin, në ndonjë cep zyre, ku të humbasë (nëse nuk kanë arrit të konsiprojnë për t'i bërë një “zgjidhje të menjëhershme të kontratës së punës” ose ti marrin një “kërkesë për dorëheqje”)
Ky specialist është “telefoni që thyhet” kur qytetari merr një lajm të keq.
Sepse është më i afërti.
Më i prekshmi.
Ai që duket fajtor në sy, por në prapaskenë është po aq viktimë sa vetë qytetari.
Të gjithë flasin për “reformë në administratë”.
Por çfarë reforme?
Një reformë që e bën administratën më të bindur, jo më të aftë.
Një reformë që ndëshkon specialistin që pyet “pse”, por shpërblen drejtorin që firmos “po”.
Një reformë që e zhvesh shërbimin publik nga profesionalizmi dhe e vesh me militantizëm, nepotizëm dhe servilizëm.
Nëse hedh sytë nëpër botë, shikon të njëjtën skenë, me nuanca të ndryshme, por me të njëjtën strukturë: punëtori i dijes, njeriu i ndershëm, mbytet nga burokracia e paaftë.
Sepse mediokriteti është global, dhe meritokracia është në krizë.
Por në Shqipëri, kjo është tragjedi komike.
Ky është specialisti shqiptar: pa plan pune, pa objektiva të qarta, pa koordinim.
Me volum të tejskajshëm, me përgjegjësi të paarsyeshme, me presion të përditshëm.
Një njeri që ka mësuar të mos presë më reforma, por të kërkojë dinjitet.
Sepse tashmë e di: as politika, as drejtori, as sistemi nuk do ta shpëtojnë.
Dinjiteti nuk është privilegj, është oksigjeni i punës së tij.
Dhe kur oksigjeni mbaron, specialisti shuhet në heshtje, ndërsa sistemi, pa turp, kërkon “një tjetër që të firmosë”.
Në Shqipëri, reforma në administratën publike është kthyer në një fjalë që tingëllon mirë në çdo raport zyrtar, por që në praktikë mbetet një premtim i vjetër i ricikluar me çdo qeveri të re. Përdoret si kartë përpara ndërkombëtarëve, por brenda vendit, në çdo zyrë, në çdo institucion, realiteti është një tjetër histori.
Në vend të një reforme që matet me profesionalizëm, meritokraci dhe efikasitet, kemi përballë një administratë të lodhur dhe shpesh të frikësuar.
Në teori, shërbimi civil duhet të jetë neutral, i bazuar në konkurse transparente dhe vlerësim objektiv të performancës. Në praktikë, çdo hap drejt meritokracisë bllokohet nga një “mik”, një “telefonatë”, apo një “urdhër verbal” që zhbën çdo procedurë. Një vend pune në administratë nuk është më rezultat i përgatitjes profesionale dhe pikërisht kjo e ka çrrënjosur besimin e publikut te shteti dhe te vetë institucioni i punës publike.
Për më tepër, shumë punonjës që hyjnë me përpjekje të ndershme për ta bërë punën mirë, lodhen shpejt, jo nga volumi i punës, por nga absurditeti i sistemit: procedura që ndryshojnë çdo muaj, urdhra kontradiktorë, hierarki të ndërtuara mbi frikë dhe jo mbi profesionalizëm. Brenda institucioneve tona, më shumë vlerë ka bindja sesa mendimi, dhe më shumë rëndësi ka heshtja sesa argumenti.
Reforma në administratë s’mund të bëhet me slogane. Por duke respektuar ligjet e Kodit të Punës, madje dhe duke i përmirësuar ato!
Në fund, pyetja mbetet: kush do ta ketë guximin ta thotë të vërtetën, kur e vërteta mund të të kushtojë vendin e punës?
Në fund të ditës, administrata publike nuk është vetëm pasqyra e shtetit, por e ndërgjegjes sonë kolektive.
Një sistem që shpërblen bindjen dhe ndëshkon mendimin, s’mund të prodhojë as reformë, as shërbim, por veç apati dhe korrupsion.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë, në vend të meritës kemi servilizëm, në vend të transparencës kemi frikë, dhe në vend të reformës fasadë.
E si përfundim, i them vetes fol Eraldo fol, por brenda vetes e di që situata shekullore e kësaj adminiatrate, e kësaj shoqërie, ka ndikuar aq shumë në koshiencën kolektive tonën, deri ne atë pikë që askujt nuk ja ndjen për specialistin dhe ai do vazdojë të abuzohet si nga drejtuesit po ashtu dhe nga qytetari.
Shpresoj t'a kem gabim dhe shpresoj të ma vërtetoni ju lexuesit e mi, ju gazetarët e pakorroptuar, ju mediat e pastërta, ju qytetarët empatik dhe pse e di që jeni shumë pak.






















