Opinion 4 Nëntor 2025, 11:18 Nga VNA

Arsyeja humbet busullën: shkenca, narcisizmi dhe tundimi i konspiracionit

Ndaje në Whatsapp
Arsyeja humbet busullën: shkenca, narcisizmi dhe tundimi i konspiracionit

Nga Neli Demi

Kam shkruar edhe para ca javësh (6 Tetor 2025) afërsisht mbi këtë gjë. Por vendosa të fokusohem akoma më shumë në një fenomen bashkëshoqërues në mënyrë shqetësuese i kohëve që po jetojmë. KONSPIRACIONI. Vendosa të shkruaj përsëri pasi dëgjova një intervistë me një koleg timin, brilant në specialitetin e tij por …..

Jetojmë në epokën e dyshimit. Jetojmë në një kohë ku informacioni është i pakufizuar, por besimi është në krizë. Në vend të një bote më të ndriçuar nga dija, kemi një univers të tejmbushur me zëra, ku çdo e vërtetë ka një kundër-të-vërtetë, dhe çdo fakt një kundër-fakt. Kjo është epoka ku shkenca nuk mohohet më nga injoranca, por shpesh nga ata që pretendojnë se po e mbrojnë atë nga vetja.
Në këtë mjegull “të vërtetash”, figura e “njeriut që e di të vërtetën e fshehur” fiton një magnetizëm të ri. Komploti bëhet struktura mitike përmes së cilës njeriu modern përpiqet të rimarrë ndjenjën e kuptimit në një univers të shpërbërë.

Shkenca ka lindur si një përpjekje për të vëndosur rregull në kaos. Por kur vetë ajo përballet me pasiguri si psh. gjatë pandemisë, krizave mjedisore apo kapërcimeve gjigande teknologjike, njerëzit e shkencës përballen me një lloj pasigurie ekzistenciale: çfarë ndodh kur mjeti që e bën të ndihet i fuqishëm nuk ofron më siguri?
Në vend të një përulësie epistemike, fillon dhe lind një reagim i kundërt: kërkimi për “rendin e fshehtë” që ndodhet pas gjithë kontradiktave. Kështu lind rrëshqitja e rrezikshme nga mendimi kritik në mendimin komplotist, një transformim i padukshëm, që nuk ndodh nga mungesa e inteligjencës, por nga nevoja për ta ruajtur kontrollin mbi kuptimin.

Skepticizmi është një prej virtyteve themelore të mendimit shkencor. Por në momentin kur dyshimi nuk shërben më për të ndërtuar dijen, por për të minuar vetë mundësinë e së vërtetës, ai kthehet në një formë paranoje.
Në këtë pikë, “pyetja”, që është ushqimi tradicional i përparimit të shkencës, nuk kërkon më përgjigje por konfirmim të frikës. Dhe frika më e madhe nuk është se bota është e pakuptueshme, por se dikush tjetër po e kontrollon në fshehtësi. Kështu lind konspiracioni: një mit modern që zëvendëson Zotin me “sistemin”, dhe mëkatin me “manipulimin global”.

Lëvizjet populiste, forumet digjitale dhe rrjetet sociale kanë krijuar bashkësi emocionale të bazuara në dyshim dhe kundërshti. Për fat të keq, sipas mendimit tim, kemi arritur në një stad ku kërkohet besim në vend të argumentit dhe përkatësi në vend të provave.
Në këtë kontekst, konspiracioni nuk është më një devijim individual, por po kthehet gjithnjë e më shumë në një formë të re të identitetit kolektiv. Ai u ofron njerëzve diçka që bota moderne ua ka rrëmbyer: një ndjenjë përkatësie, një armik të qartë dhe një kauzë që i ngre mbi “turmën e manipuluar”.

Në planin psikologjik, konspiracioni është një strukturë mbrojtëse kundër ankthit ekzistencial. Në vend që të përballet me pasigurinë e jetës, individi e projekton atë në një “forcë të jashtme”.
Në termat e psikës, ky është moment i ndarjes midis vetes grandioze dhe vetes së frikësuar: “Unë jam ai që sheh më larg” dhe “Bota më ndëshkon pse e shoh”. Dy pole që ushqejnë njëri-tjetrin: narcisizmi dhe viktimizimi.
Në këtë dualitet, konspiracioni nuk është thjesht një besim por është një strukturë narcizistike e shpëtimit, ku egoja rikrijon botën për të mos u përballur me boshllëkun e brendshëm.

Në fund, nuk kemi më të bëjmë me një betejë mes dijes dhe injorancës, por me një nostalgji ndaj së vërtetës “së sigurtë”. Njerëzit nuk e mohojnë shkencën sepse nuk e kuptojnë, por sepse nuk e durojnë më pasigurinë që ajo kërkon.
Në vend të kërkimit të hapur, kërkojmë përfundimin e rehatshëm. Në vend të mendimit, kërkojmë komunitetin e bindjes. Dhe kështu, arsyeja humbet busullën, jo sepse shkatërrohet, por sepse bëhet shërbëtore e frikës.
Në fund të fundit, mendoj që çdo njeri që kërkon një komplot kërkon të gjejë kuptimin e vet në një botë që e ka humbur atë. Por, siç do të mund të thonin Jung apo Frankl, njeriu nuk çmendet nga e vërteta por nga mungesa e saj.

 

Video

Dhjetëra qytetarë të Lezhës janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit për të përkujtuar 25-vjeçaren Xhuana Nikollaj nga Shëngjini. Pjesëmarrësit ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë fotografisë së saj, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të resë dhe solidaritetin me familjen në këtë moment të vështirë. E reja dyshohet se i dha fund jetës pas një periudhe të vështirë personale dhe dhunës nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe debat në opinionin publik, ndërsa qytetarët kërkuan më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale për rastet e dhunës në familje.

Një grup prej rreth 20 grabitësish të maskuar realizuan një grabitje në dyqanin e bizhuterive “Kumar” në Kaliforni, duke marrë mallra me vlerë mbi 1.4 milion dollarë brenda rreth 70 sekondash. Sipas autoriteteve, grabitësit thyen vitrinat me çekiçë dhe morën rreth 75–80% të bizhuterive të ekspozuara, para se të largoheshin me automjete që i prisnin jashtë. Policia arrestoi katër të rinj të moshës 19–20 vjeç pasi ndaloi një prej automjeteve të përdorura për arratisje, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.

Pse vetëm Rama do bëjë aeroporte?

Unë jam Ambrozia Meta që t’i gërric nervat…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme