Opinion 8 Nëntor 2025, 19:21 Nga VNA

Kur ligji për barazinë, kthehet në betejë për identitetin

Ndaje në Whatsapp
Kur ligji për barazinë, kthehet në betejë për

Nga Agim Baçi

“Kur një ligj bëhet mjet për t’i detyruar njerëzit të mendojnë njësoj, ai pushon së qeni ligj dhe kthehet në instrument për tirani.”

Kështu paralajmëronte filozofi francez Montesquieu, duke dhënë ndoshta një nga definicionet më të forta të mbrapështive dhe ligësisë që përmban një projekt, si në rastin e debatit mbi “vetëpërcaktimin gjinor”, ku një pjesë e vogël e shoqërisë kërkon t’i imponohet shumicës duke shpikur koncepte që mund të ndryshojnë jo thjesht kuptimin mbi gjininë, por edhe logjikën, shkencën dhe drejtësinë.

Po përse duhet të jemi të kujdesshëm lidhur me përpjekjen për të ridifinuar konceptin mbi gjininë?

Së pari, duhet të pohojmë se projektligji “Për Barazinë Gjinore” nuk ka lidhje me Konventën e Stambollit, siç janë përpjekur ta mbrojnë hartuesit e projektligjit “Për Barazinë Gjinore”. Në fakt, mbrojtësit e projektligjit bëjnë një keqlexim të qëllimshëm dhe një përpjekje për t’i dhënë një bazë ndërkombëtare një projektligji që s’ka lidhje as me frymën dhe as me tekstin e Konventës.

Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njohur si Konventa e Stambollit (miratuar në vitin 2011), është një nga dokumentet më serioze që njeh dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe formë diskriminimi gjinor. Por qëllimi i saj është i qartë: të mbrojë gratë dhe vajzat nga dhuna, të ndëshkojë autorët, të ofrojë strehim për viktimat dhe të edukojë shoqërinë. Në asnjë moment ky dokument nuk shpik koncepte të reja mbi “gjininë sociale” apo “vetëpërcaktimin gjinor”. Dhe aq më pak, nuk është një manual ideologjik për të rishkruar kuptimin e burrit dhe gruas. Madje, në nenin 3(c), Konventa shpjegon se “gjini” nënkupton rolet, sjelljet dhe atributet që një shoqëri i konsideron të përshtatshme për burrat dhe gratë.

Pra, fjala “gjini” aty nuk ka asnjë lidhje me identitetin personal apo ndjenjat subjektive të individit.

Konventa flet për rolet shoqërore që krijojnë pabarazi — jo për t’i ndryshuar apo për t’i shpikur sërish. Ajo është binare në thelb: trajton dy kategori, burrin dhe gruan. Asgjë në tekstin e saj nuk sugjeron ekzistencën e një “gjinie të tretë” apo të një “spektri gjinor” që përpiqet të legalizojë projektligji shqiptar. Nga hyrja deri te neni i fundit, Konventa është ekskluzivisht e fokusuar tek gratë. Madje, në Preambulë thuhet shprehimisht: “Dhuna kundër grave është manifestim i marrëdhënieve historikisht të pabarabarta të pushtetit ndërmjet burrave dhe grave.”

Kjo është arsyeja pse shumë shtete evropiane e kanë ratifikuar Konventën pa ndryshuar përkufizimin binar të gjinisë. Konventa është ndërtuar për të adresuar një pabarazi reale mes grave dhe burrave – jo për të promovuar teori të reja identitare që s’kanë asnjë bazë juridike ndërkombëtare.

Një nga pikat që shpesh përdoret për ta “mbështetur” projektligjin shqiptar është neni 4(3) i Konventës, i cili ndalon diskriminimin për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Por ky nen nuk ndryshon përkufizimin e “gjinisë”. Ai vetëm siguron që askush të mos përjashtohet nga mbrojtja nëse është viktimë e dhunës. Kjo është një klauzolë procedurale e mosdiskriminimit, jo një bazë për ridefinim gjinor.

Por, në rastin e projektligjit që është në debat tani në Kuvend, është keqlexuar ky nen, duke e kthyer në një bazë ideologjike, çka përmbys vetë logjikën e Konventës.

Në asnjë prej neneve të saj, Konventa e Stambollit nuk i kërkon shteteve:

• të njohin më shumë se dy gjini;

• të ndryshojnë regjistrat civilë në bazë të vetëpërcaktimit gjinor; apo

• të përfshijnë identitetet gjinore si kategori ligjore.

Këto janë iniciativa që disa vende i kanë ndjekur sipas politikave të tyre të brendshme, por nuk burojnë nga Konventa. Në thelb, Konventa qëndron mbi realitetin biologjik dhe shoqëror të dy gjinive — sepse vetëm kështu mund të kuptohen pabarazitë që çojnë në dhunë ndaj grave. Pretendimi se projektligji shqiptar “harmonizohet me Konventën e Stambollit” është më shumë një truk politik se një fakt ligjor. Konventa nuk njeh “identitetin gjinor” si kategori ligjore, nuk kërkon ridefinim të burrit e gruas dhe nuk flet për “gjini fluide”. Qëllimi i saj është i qartë: të mbrojë gratë nga dhuna, jo të zhbëjë konceptin e gruas.

Nëse ky projektligj do të miratohet pa ndryshimet e propozuara nga shumë kritikë, ai jo vetëm që do të humbasë lidhjen me Konventën e Stambollit, por edhe me logjikën e vetë barazisë gjinore. Sepse barazia gjinore, për të qenë e vërtetë, duhet të bazohet në ekzistencën reale të dy gjinive dhe jo në mohimin e tyre. Dhe këtë, më qartë se kushdo, e ka thënë vetë Evropa.

Madje, një projektligj i tillë nuk bie ndesh vetëm me Konventën e Stambollit, me të cilin po abuzohet duke e marrë si mbrojtje, por edhe me standardet e Bashkimit Evropian. Mbrojtësit e projektligjit pretendojnë se ligji është i harmonizuar me Strategjinë e BE-së për Barazinë Gjinore 2020–2025. Por me një analizë të shpejtë kuptohet se ky është një nga keqinterpretimet më të rënda dhe më të qëllimshme që është bërë ndaj një dokumenti zyrtar të BE-së. Në fakt, projektligji shqiptar nuk është në përputhje me standardet e BE-së; përkundrazi, ai devijon thellësisht prej tyre duke i shtrembëruar nocionet bazë mbi të cilat ndërtohet e gjithë politika evropiane për barazinë gjinore.

Dokumenti strategjik i Komisionit Evropian e përcakton në mënyrë të qartë qëllimin e vet: të sigurojë barazinë ndërmjet grave dhe burrave, pra mes dy sekseve biologjike. Çdo politikë, masë apo objektiv i saj – që nga mbyllja e hendekut të pagave deri tek balanca në vendimmarrje – është i ndërtuar mbi këtë bosht binar.

Pretendimi se BE-ja ka kaluar drejt një kuptimi “fluide” të gjinisë apo një zëvendësimi të kategorive “burrë” dhe “grua” me “identitete gjinore subjektive” është plotësisht i pavërtetë. Asnjë dokument i BE-së nuk e mbështet një qasje të tillë. Madje, projektligji në fjalë keqpërdor qëllimisht frazën që ndodhet në strategjinë e BE-së – “në të gjithë diversitetin e tyre” – për të justifikuar përfshirjen e koncepteve që lidhen me identitetin gjinor.

BE-ja nuk flet për “diversitet gjinor”, por për diversitet të përvojës brenda kategorisë së grave apo burrave – p.sh. përvoja e një gruaje me aftësi të kufizuara, e një gruaje migrante apo e një gruaje të moshuar. Këto janë dimensione sociale, jo krijim i kategorive të reja gjinore.

Përfundimisht, vlen të themi se shtrembërimi i rrezikshëm i projektligjit është bashkimi artificial i çështjeve gjinore me ato të identitetit seksual, pasi në asnjë dokument zyrtar të Komisionit, Parlamentit apo Këshillit të BE-së nuk ekziston një formulim që njeh juridikisht “vetëpërcaktimin gjinor” si bazë për ndërtimin e politikave publike.

Përdorimi i këtij koncepti në projektligjin shqiptar është një import ideologjik, pa referencë juridike në kuadrin e BE-së. Në të vërtetë, shumë shtete anëtare të BE-së, si Franca, Hungaria, Greqia, Polonia apo Italia, kanë refuzuar ta përfshijnë këtë nocion në legjislacionin e tyre kombëtar. Kështu që është absurde të pretendohet se miratimi i këtij ligji “na afron me BE-në”, kur shumë vende anëtare të vetë BE-së e kanë përjashtuar me kujdes nga kornizat e tyre ligjore.

Ndaj, Shqipëria duhet të ndalojë, të reflektojë dhe të ndjekë shembullin e vendeve që kanë guxuar të thonë: mjaft me ideologji, është koha për t’u kthyer te realiteti biologjik dhe te mbrojtja e vërtetë e të drejtave themelore të njeriut.

Video

Viena ka ndezur dritat e para të magjisë festive, duke hapur sezonin e Krishtlindjeve më herët se zakonisht. Me plot 14 tregje të shpërndara në të gjithë qytetin, Vjena mbetet një nga destinacionet më të dashura dhe më tradicionale të festave të fundvitit në Evropë. Aroma e arrëmyshkut, kanellës, verës së ngrohtë, çokollatës, gështenjave dhe bajameve të pjekura mbush rrugët e ndriçuara me mijëra drita që nga fillimi i nëntorit deri në janar, duke e kthyer qytetin në një përrallë dimri. Këtë vit, tregu i Krishtlindjeve në Pallatin Schönbrunn u hap më 6 nëntor 2025, duke u bërë tregu i parë i Krishtlindjeve në Evropë për këtë sezon. Me ndezjen e dritave festive, pallati u transformua në një skenë mahnitëse, ku vizitorët mund të shijojnë atmosferën tradicionale, artizanatet e punuara me dorë dhe dekorimet elegante që e karakterizojnë këtë vend historik.

Rreshje të dendura shiu kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në qytetin e Sirakuzës, në Siçili. Uji ka mbuluar shumë akse rrugore, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe duke shkaktuar probleme të shumta në lëvizjen urbane.

Reshjet e para të dendura të shiut kanë sjellë probleme në disa zona të qytetit të Elbasanit. Për shkak të bllokimeve në kanalet kulluese, është vërejtur prani e shtuar e ujit në disa akse rrugore, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.

Kryetari i Bashkise së New York, Zohran Mamdani ka pasur një karrierë muzikore përpara se të hynte në politikë. Me emrin artistik Mr. Cardamom, ai publikoi këngën “Nani”, dedikuar gjyshes, dhe realizoi videoklip me aktoren e ikonën e kuzhinës indiane Madhur Jaffrey. Gjatë përballjes politike, rivali Andrew Cuomo e sulmoi për të shkuarën muzikore, madje duke pretenduar se “këndonte për dashurinë ndaj terroristëve” – një strategji që nuk funksionoi. Mamdani arriti të mposhtë Cuomo-n dhe Curtis Sliwa-n, duke u bërë kryebashkiaku i parë mysliman i Nju Jorkut

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme