
Nga Fitim Zekthi
Vizita e kryeministrit Rama në Izrael dhe fjalimi i tij në parlamentin e Izraelit, gjuha e përdorur në atë fjalim e cila nuk tha asgjë për krimet e përbindshme të kryera nga Izraeli në Gaza, për genocidin ashiqare para botës (dhe është e qartë se nuk mund të thoshte gjë në shtëpinë e tyre, nuk ka asnjë lloj sensi) ishin një prej gjërave më të neveritshme politike të një lideri politik në krizë të plotë. Interesi kombëtar shqiptar nuk lidhet pazgjidhshmërisht me vajtjen në Izrael, nuk lidhet as paprekshmëria, as pavarësia, as zhvillimi ynë ekonomik dhe asgjë tjetër në mënyrë të pazgjidhshme me Izraelin dhe vajtjen në Izrael. Në këtë sens ajo ishte një vizitë e tmerrshme për qëllime vetëm të tijat, që meriton përçmim.
Pavarësisht kësaj ai është kryeministër i vendit të cilin mund ta kritikosh, ta neverisësh, po deshe edhe ta mallkosh ndonëse unë mallkimet nuk i dua fare, por do të duhet ta njohësh si kryeministër të vendit, si njeri që drejton qeverinë e vendit tënd. Dua të them dy gjëra të vogla në lidhje me librin që ai promovoi dhe me debatin që solli ai libër. Do doja që ne të kishim një etikë dhe qartësi (“të qartë”, thotë një shkrimtar i njohur) kur flasim për gjithçka, por sidomos për gjëra me ndjeshmëri të lartë.
Pavarësisht cili është kryeministri, ai ka të drejtë të bëjë një libër me fjalimet e tij të mbajtura në iftare. Ai ka të drejtë të shtrojë iftare dhe të mbajë fjalime kur flet mirë për islamin, për bashkëjetesën mes besimeve, për traditën e besimtarëve dhe të vendit, për vlerat e Ramazanit etj. Unë personalisht kam shkruar kundër iftareve që synojnë votuesin apo politikën; kam shkruar edhe kundër mënyrës se si kryeministri Rama përdor gjuhën, stilemat apo retorikën në iftare, se si rreket të sillet edhe si hoxhë apo imam etj. Mendoj se ajo gjuhë dhe sjellje në thelb tenton (jo domosdo me dashje, madje ka shumë mundësi komplet pa dashje) të laicizojë, ndoshta edhe të ekspozojë politikisht apo politizojë besimin mysliman. Ato mendime i kam ende, madje i kam edhe më të përforcuara.
Por përtej kësaj unë i njoh të drejtën dhe besoj duhet që kushdo t’ia njohë të drejtën një politikani, edhe kryetarit të opozitës, edhe kryeministrit, edhe anëtarëve të kryesive apo deputetëve të partive, që të shkojnë edhe në iftare, të shtrojnë iftare dhe të flasin mirë, siç ata e gjykojnë, për besimin dhe besimtarët, për fetë dhe njerëzit e fesë. Askush nuk ka të drejtë të gjykojë qëllimet e kryeministrit apo të kryetarit të opozitës. Ne gjykojmë aktet e jashtme.
Fjalimet e Ramës (dhe të kryetarëve të opozitës të paktën 10 vitet e fundit) janë vlerësuese, kanë gjykim të mirë për islamin dhe fenë në tërësi, shtyjnë drejt respektit për to dhe për festat e besimtarëve. Kjo është një gjë e mirë, jo e keqe.
Mendoj se të marrësh pjesë në një promovim të një libri të kryeministrit me fjalime të mbajtura ndër vite në iftare nuk është sakrilegj. Unë vetë nuk shkoj në to, por nuk mendoj se duhet marrë dajaku në dorë ndaj atyre myslimanëve që shkojnë. Madje besoj është detyrë të shkosh brenda një mase të caktuar. Sigurisht pesha e fjalimit në Kneset, vajtja e turpshme, kanë ngarkesën e vet të pashlyeshme, por gjërat duhen të ndahen pavarësisht se bëhet fjalë për të njëjtin njeri. Kur dikush bën diçka që ka sens, që mund të shihet nga një kënd ndryshe, ajo duhet parë kësisoj. Nuk mund të kemi gjykime holiste apo më keq totalitare.
Kur një kryeministër (sidomos një kryeministër) apo një kryetar opozite apo një ministër, qofte ky kushdo, ndihmon (pavarësisht qëllimit të tij, të cilin askush nuk ka të drejtë ta gjykojë sepse parimisht askush nuk e di në mënyrë absolutisht të saktë) që liria e besimit apo vlerat e besimit të respektohen, ai duhet respektuar për këtë gjë. Kur një kryeministër (sidomos në kohëra të tilla të trazuara dhe të helmuara disi) flet me nderim për vlerat e vëllazërisë dhe bashkëjetesës që bartin besimet fetare, ai mysliman në këtë rast, ai duhet respektuar për këtë. Kur një kryeministër fton myslimanët të marrin pjesë në një promovim libri me fjalimet në iftare, madje u kërkon atyre të shkruajnë një recensë, një parathënie apo një pasthënie siç ata vetë duan ta shkruajnë, ai duhet vlerësuar pavarësisht qëllimeve pse ai e bën këtë, sepse thamë: askush nuk mund të flasë me bindje absolute mbi qëllimet e tij. Unë vetë, po të ftohesha (nuk më ka ftuar njeri), nuk do të shkoja, por ky nuk është një standard etalon apo domosdo i mirë apo më i miri; është thjesht i imi.
Ne jetojmë në këtë shoqëri, që është e jona, që është e përbërë mrekullisht mirë nga njerëz dhe një popull i mrekullueshëm që ka myslimanë në shumicë, por që ka edhe shumë të krishterë të cilët i duam shumë fare, që ka edhe njerëz pa besim të cilët gjithashtu i duam shumë. Kryeministri kur flet me respekt për fetë, për besimet, për myslimanët apo të krishterët, kur bën një libër dhe flet me respekt për islamin, Ramazanin apo traditën e bashkëjetesës, nuk ka pse merret me gurë dhe aq më tepër nuk ka pse merret me gurë dikush që shkon atje, një mysliman apo një i krishterë që shkon atje.
Këtë po e them unë që nuk e kam votuar kurrë Ramën, që politikisht e quaj një prej politikanëve më të këqij në 35 vite, që ndryshe nga shumë të tjerë, sidomos në partinë time demokratike, kanë pasur mendim të mirë në vitet 1998–2000, madje edhe më pas për të deri nga 2009 (u bë edhe një marrëveshje shkatërrimtare për vendin në 2008-ën madje), kam pasur një mendim të tmerrshëm për të që kur isha student, që kur u bë ministër kulture në vitin 1998, madje që kur shkruante tek Gazeta Koha në vitet ’90, Gazeta AKS apo tek revista Përpjekja po në ato vite. Kjo nuk diskutohet fare. Pra nuk është se kam ndonjë grimë vlerësimi për të, liberalizmin apo majtizmin në kohë të vjetra që medemek nxori kokë sot dhe shkruaj këtë gjë.
Ne duhet të mësojmë t’u japim njerëzve atë që njihet si benefit of the doubt në radhë të parë. Në radhë të dytë duhet të mësojmë që jetojmë në një shoqëri jo fetare. Jetojmë në një shoqëri që i pranon dhe i respekton fetë, por nuk është fetare. Ka shumë e shumë myslimanë dhe shumë të krishterë, por nuk është shoqëri myslimane dhe as shoqëri e krishterë.
Duke qenë kështu ne duhet të vlerësojmë respektin e kujtdo që nuk është mysliman për besimin mysliman dhe besimin e kujtdo që nuk është i krishterë për besimin e krishterë, dhe nuk duhet të presim që ata ta bëjnë këtë siç thotë dogma apo doktrina islame apo ajo e krishterë dhe, po lëvizën pak nga kjo, t’u kapim dajakun. Jo.
PS: Sigurisht që politikanët janë bërë bajat me vajtjet nëpër iftare apo me shtrimet e iftareve, siç janë bërë bajat edhe shumë drejtues të komuniteteve myslimane apo hoxhallarë që shkojnë pa ndalur në këto iftare me ta. Do të duhet shumë më shumë përkorësi. Shkohet njëherë në shenjë respekti dhe vlerësimi dhe mbyllet aty, por si në çdo gjë ne nuk kemi masë. Kjo përsëri nuk është arsye për të kapur dajakun. Zoti i madh i mbroftë me mëshirën e vet të gjithë ata që duan dhe përpiqen për të mirën!






















