Rigels Rajku, i njohur si Noizy, dëshmoi në GJKKO në procesin penal ndaj anëtarëve të bandës së drejtuar nga Laert Haxhiu. Artisti dha sqarime lidhur me konfliktin me Kleviol Ahmetin dhe faktin që biznesi i babait të tij u shpërthye me tritol. Në dëshminë e tij, Noizy tregoi se kishte qenë në të njëjtin pallat ku u vendos lënda plasëse, por se në momentin e shpërthimit ishte në gjumë.
“Kam dijeni për vendosjen e lëndës plasëse në Durrës. Kam qenë në të njëjtin pallat ku u vendos eksplozivi, kam pasur dritaren hapur. Kam qenë në gjumë, dëgjova shpërthimin dhe më doli gjumi, kuptova që diçka ndodhi”, deklaroi ai.
Sipas tij, pasi zbriti poshtë, pa dëmet e shkaktuara nga shpërthimi.
“Zbrita poshtë dhe kuptova që ishte vendosur një eksploziv. Më doli gjumi, zbrita poshtë, ishte babai im poshtë, motra po ashtu mund të ketë ardhur, mamanë nuk e mbaj mend. Tritoli u vendos në katin e parë të pallatit ku qëndroja. Prindërit jetojnë në të njëjtin pallat, por në një kat më sipër. Kur zbrita, ngjarja kishte ndodhur rreth orës 03:00–04:00, ndërsa unë u zgjova në orën 09:00. Ishin shkatërruar xhamat e lokalit dhe të dyqanit poshtë. Kam një firmë rrobash dhe një lokal, të dyja pronat janë të miat.”
Noizy përshkroi dëmet e mëdha të shkaktuara nga shpërthimi.
“Pashë komshinjtë, polici pa fund dhe kishte plasur një tritol. Hyrja ishte komplet e shkatërruar, si në katin e parë ashtu edhe në katin e dytë. Ishte shkaktuar një gropë e madhe në tokë nga sasia e tritolit. Ishte thyer mermeri komplet.”
Më tej, ai tha se kishte dyshime se kush mund të qëndronte pas ngjarjes, duke e lidhur atë me një konflikt të ndodhur një natë më parë.
“Një hamendësim e kisha se kush e kishte bërë. Më ndodhi një problem një natë përpara te një tjetër lokal që kam në Durrës, me një person që është i fiksuar, sjelljet e një fansi të fiksuar. Po nuk i dhe vëmendje bëhet agresiv dhe sjell problemin deri te shtëpia. Kur shan dhe kërcënon në rrjetet sociale, ai të vjen dhe deri te shtëpia.”
Sipas dëshmisë, personi për të cilin bëhej fjalë ishte Kleviol Ahmeti.
Kleviol Ahmeti është personi. Sharjet që nga viti 2019 nuk janë ndalur asnjëherë. Njohje me Kleviolin nuk kam pasur asnjëherë, as bashkëpunime. Është i fiksuar me mua, kërkon me çdo kusht vëmendjen time. Do të bëhet shok me mua, ndërkohë që unë s’dua të bëhem shok me të.”
Rajku tha se Ahmeti kërkonte vazhdimisht vëmendje përmes rrjeteve sociale.
“Nuk ta shpjegoj dot nivelin e fiksimit të tij me mua. Nuk e di a e njihni, por del në TikTok dhe shan të gjithë botën. Ai e ka kuptuar që merr vëmendje kur përmendet ‘Noizy’ dhe nuk e ka ndalur asnjëherë këtë gjë. Është i çmendur pas meje.”
Në dëshminë e tij, artisti tregoi edhe episodin e konfliktit fizik të ndodhur një ditë para shpërthimit.
“Më erdhi në lokal një ditë përpara shpërthimit për t’u sqaruar, demek, vjen me 20 veta. Fjala e parë që thotë është: ‘Ku është ai legeni?’. Futet brenda, dalim jashtë dhe pastaj ndodh një konflikt fizik te shkallët e lokalit. Të nesërmen ndodhi tritoli.”
Ai tha se konflikti nuk ishte i pari mes tyre.
“E kam takuar më përpara, ka ardhur me një shokun e vet për t’u sqaruar kur unë isha me familjarët e mi. Kur dolëm nga lokali filloi prapë avazin duke më sharë.”
Noizy shtoi se Ahmeti kishte qenë live në rrjetet sociale dhe se ai e dinte se po shkonte drejt lokalit.
“I thotë vetes artist, ka bërë disa këngë. Ai bën shumë gjëra, por nuk bën asgjë. Ishte live në TikTok gjatë gjithë kohës, tregonte armë në video, e dija që po vinte.”
Ai deklaroi se nuk njihte personat që shoqëronin Ahmetin.
“Nuk njihja askënd nga ata që shoqëroheshin me Kleviolin. Erdhi me makina, rreth pesë të tilla. U largua me makinë pastaj, ishte pasagjer.”
Rajku pranoi para trupit gjykues se ishte ai që goditi i pari gjatë konfliktit.
“Prezenca e tij në pronën time, duke më ofenduar mua, sharjet, u bënë shkak për nxitjen e konfliktit. Erdhi brenda dhe më tha: ‘Do të q*** o pederast’. Kur erdhi në pronën time, unë e godita i pari, konflikti ndodhi disa sekonda.”
Më tej, ai pretendoi se pas konfliktit iu dogj edhe një automjet.
“Pas kësaj ngjarjeje, ai më dogji edhe një automjet. Ai e ka gjyqin akoma hapur dhe nuk e di si ka dalë nga burgu. Iku në Dubai, pagoi disa çuna nga Vlora dhe më dogjën makinën.”
Në fund të dëshmisë së tij, Noizy tha se nuk kishte pasur dijeni për Laert Haxhiun deri pas ngjarjes.
“Nga ana ime nuk ka situatë konfliktuale, nga ana e tij po. Për Laert Haxhiun nuk kam dëgjuar ndonjëherë, e dëgjova emrin e tij më mbrapa, para 3 vitesh. E dëgjova kur u bë publik rasti im.”






















