
Një tjetër pallat u përfshi nga flakët mbrëmjen e djeshme në zonën e Ali Demit, pranë kompleksit “Kadiu”, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për viktima.
Banorët përjetuan momente paniku, pasi ndërhyrja e zjarrfikëses u vështirësua ndjeshëm. Sipas tyre, rruga përpara pallatit ishte e bllokuar, çka pengoi hyrjen në kohë të mjeteve të emergjencës, përfshirë zjarrfikësen dhe ambulancën.
Dyshohet se zjarri ka nisur në kabinën e automateve elektrike të pallatit, ndërsa tymi është përhapur në të gjithë ambientet e godinës, duke rrezikuar jetën e banorëve, mes tyre edhe shumë familje të reja me fëmijë.
Ngjarja rikthen edhe një herë shqetësimin mbi sigurinë në ndërtimet e reja në Tiranë, vetëm pak javë pas incidentit të rëndë në pallatin pranë “Farmacia 10”. Rastet e përsëritura po nxjerrin në pah standardet e dobëta të ndërtimit, si dhe neglizhencën e institucioneve shtetërore për të ushtruar kontrollet e nevojshme.
Mësohet se edhe pallati ku ra zjarri është i sapondërtuar dhe i përket kompanisë “Kontakt”, në pronësi të biznesmenit Fatmir Bektashi. Kjo kompani konsiderohet ndër përfitueset më të mëdha të lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës, duke ndërtuar pallate dhe komplekse banimi në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Por ngjarja e fundit ngre pikëpyetje serioze mbi standardet e sigurisë që aplikohen në këto ndërtime. Ashtu si në rastin e kompanisë së Armand Lilos, duket se prioritet mbetet shtimi i sipërfaqeve përfitueshme dhe shitja e apartamenteve me çmime stratosferike, ndërsa siguria e qytetarëve lihet në plan të dytë.
Kjo situatë nxjerr në pah edhe përgjumjen e institucioneve shtetërore, të cilat, pavarësisht se ngjarje të tilla po përsëriten njëra pas tjetrës, ende nuk kanë ndërmarrë kontrolle serioze mbi valën masive të ndërtimeve që ka përfshirë Tiranën.
Edhe pse pas djegies së pallatit të Armand Lilos institucionet duket se u “zgjuan”, në praktikë asgjë nuk ka ndodhur pasi ndaj ndërtuesit nuk është marrë ende asnjë masë konkrete. Pasivitetin institucional e ka denoncuar edhe deputeti i PS-së, Erion Braçe, nga foltorja e Kuvendit, i cili, pas verifikimeve të kryera, ka deklaruar se objekti ishte legalizuar pa kolaudimin e nevojshëm. Sipas tij, godina e ndërtuar nga kompania “Arlis” rezulton pa certifikatë përdorimi, një dokument i detyrueshëm ligjor për çdo objekt banimi. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, Armand Lilos nuk është vënë para përgjegjësisë.





















