Bota 28 July 2025, 07:38 Nga VNA

Marrëveshja për tarifat mes SHBA-së dhe BE-së është një fitore e madhe për Trump, por jo një humbje e plotë për Brukselin

Ndaje në Whatsapp
Marrëveshja për tarifat mes SHBA-së dhe BE-së

SHBA dhe BE arrijnë marrëveshje historike tregtare mes tensioneve me Kinën

Pas javësh negociatash të tensionuara mes zyrtarëve më të lartë tregtarë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë arritur më në fund një marrëveshje kuadër për tregtinë – vetëm një ditë para raundit të radhës të bisedimeve të SHBA-së për tarifat me Kinën.

Marrëveshja u arrit gjatë një takimi ballë për ballë mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen, duke ndjekur një model të ngjashëm me marrëveshjet e tjera ku përfshirja direkte e Trump ka qenë vendimtare për përparim, edhe kur shanset për sukses dukeshin të vogla.

Administrata Trump e ka quajtur këtë një fitore të madhe – dhe në shumë drejtime është e tillë. Por nuk është as një humbje totale për Brukselin. Siç theksoi në rrjetin social X zv/presidenti JD Vance, “E gjithë shtypi europian po lavdëron presidentin për marrëveshjen që negocioi në emër të amerikanëve”, ndërsa ironizoi se “nesër media amerikane me siguri do të shkruajë: ‘Donald Trump mori vetëm 99.9% të asaj që kërkoi’.”

Tarifa e re 15% që do të aplikohet ndaj mallrave europiane është më e ulët se kërcënimi fillestar prej 30%, por gjithsesi përbën një rritje të ndjeshme krahasuar me nivelet e mëparshme. Për më tepër, kjo tarifë është më e lartë se ajo e vendosur për Britaninë e Madhe (10%) dhe shumë më e lartë se tarifat para “Ditës së Çlirimit” të shpallur nga Trump në prill.

Megjithatë, BE ka arritur të sigurojë disa përjashtime të rëndësishme: tarifa më e ulët do të aplikohet për eksporte strategjike si farmaceutikë dhe gjysmëpërçues. Prodhuesit europianë të makinave gjithashtu do të përballen me një tarifë 15% në vend të tarifës globale 25% të prezantuar më parë.

Në këmbim, BE ka pranuar të hapë tregun e saj për eksportet amerikane me tarifa zero në disa kategori të caktuara. Ndërkohë, çeliku dhe alumini europian do të vazhdojnë të taksohen me 50% në tregun amerikan.

Komisioni Europian kishte paralajmëruar masa hakmarrëse që do të përfshinin tarifa ndaj 100 miliardë euro mallrash amerikane, përfshirë produkte bujqësore, pjesë avionësh dhe whiskey. Një listë 217 faqesh me objektivat e mundshme u publikua në maj. Por pozicioni i negociimit i BE-së ishte dobësuar nga rritja e ngadaltë ekonomike dhe një mjedis i pasigurt global, të cilin edhe Banka Qendrore Europiane e kishte theksuar javën e kaluar si faktor rreziku.

Për BE-në, shmangia e një lufte tregtare me ekonominë më të madhe të botës dhe reduktimi i pasigurisë në tregje duket se kanë peshuar më shumë se kostoja e tarifave të reja. Në prapaskenë, Brukseli është gjithashtu i vetëdijshëm për varësinë e tij të madhe nga SHBA në fushën e sigurisë, përfshirë ndihmën për Ukrainën dhe prezencën ushtarake amerikane në Europë.

Nga ana tjetër, për Presidentin Trump, marrëveshja përfaqëson një tjetër triumf pas marrëveshjes së ngjashme me Japoninë javën e kaluar. Marrëveshja pritet të sjellë rreth 90 miliardë dollarë të ardhura nga tarifat bazuar në shifrat e vitit të kaluar dhe parashikon që BE të blejë produkte energjetike dhe armë amerikane me vlera qindra miliarda dollarë.

Trump deklaroi gjithashtu se BE do të investojë 600 miliardë dollarë në SHBA, përfshirë në pajisje ushtarake amerikane, dhe do të shpenzojë 750 miliardë për energji. Marrëveshja po cilësohet si një moment historik në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Brukselit.

Video

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme