Kronika 3 Nëntor 2024, 14:25 Nga VNA

Kur rëra bëhet luks: Miliona euro për të rikthyer plazhin e humbur të Durrësit

Ndaje në Whatsapp
Kur rëra bëhet luks: Miliona euro për të rikthyer plazhin e

Pushuesit dhe banorët e lagjes 13 nuk mund të shëtisin në plazhin e Durrësit prej disa ditësh. E gjithë hapësira e rërës është kthyer në një kantier pune me makineri të rënda. Kjo zonë po i nënshtrohet një ndërhyrjeje ambicioze: shtimin e brezit të rërës dhe zgjerimin e plazhit me rreth 30 metra, përgjatë një vijë bregdetare prej 3.4 kilometrash, nga muri lindor i portit deri te gardhi që e ndan me Rezidencën Qeveritare, në një përpjekje për të rigjallëruar atë çka është zhdukur prej kohësh nën hijen e betonit dhe hekurit. Ky rijetëzim i bregdetit synon të kompensojë dekada të ndërtimit të pakontrolluar për hotele dhe apartamente me pamje nga deti, të cilat e kanë ngushtuar plazhin më të madh dhe të vjetër të vendit në një rrip të ngushtë rëre.

Ndërkaq, zgjerimi i hapësirës së rërës drejt detit ka ngjallur jo pak diskutime. Lorenc Facja, drejtor i Drejtorisë së Projekteve dhe Infrastrukturës Publike në Bashki, tha për BIRN se “aktualisht po punohet për krijimin e kushteve për ndërtimin e shëtitores bregdetare, në zonën e njohur si sektori “Teuta,” nga hoteli “Canal Grande” deri në murin lindor të portit. Projekti është hartuar nga një studio e kontraktuar nga Bashkia dhe financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit,” shtoi Facja. Sipas tij, kërkesa në rritje për pushime në plazhin e Durrësit ka ndikuar në projektin që synon uniformitetin e hapësirës së rërës në plazh, me një gjerësi mbushjeje rreth 20-30 metra, e cila në disa zona mund të arrijë në 100 metra.

Një specialist që kërkoi të mos identifikohej tregoi për BIRN se, pas testimit të mostrave të rërës së papërshtatshme në zonën e Porto Romanos dhe në afërsi të fshatit “Rinia” në veri, specialistët vendosën që rëra të sillet me kamionë nga Vilë Bashtova, 30 km larg Durrësit, aty ku lumi Shkumbin ndan bashkinë e Rrogozhinës me Divjakën.

Tomorr Spahiu, inxhinier portesh, tha për BIRN se pjesa qendrore e gjiut të Durrësit po i nënshtrohet aktualisht erozionit të fortë detar. “Deti ka fituar terren ndaj tokës në zonën turistike të Malit të Robit e më tej,” tha inxhinieri Spahiu, duke shtuar se kjo është pasojë e mungesës së monitorimit të bregdetit, një studim vjetor kombëtar që u ndërpre në fund të viteve ’80. Ndërtimet e pafund dhe ndërhyrjet në shtratin e lumenjve kanë ndikuar në sjelljen e natyrës ndaj bregdetit.

Sipas Spahiut, “megjithëse zona ku do të zbatohet projekti aktual është më pak e rrezikuar, sasia e madhe e rërës që do të depozitohet në bregdet kërkon metoda të reja inxhinierike për të siguruar praninë e saj të përhershme. Pritat nënujore janë një mundësi për të mbrojtur bregun e ri nga dallgët e detit, ndërsa duhet gjetur një zgjidhje për bashkëekzistencën me plazhin e ri që po krijohet në kuadër të projektit “Durrës Marina,” shtoi inxhinieri Spahiu.

Durrësi ka plazhin më të madh dhe më të vjetër të vendit tonë. Rreth 100 vjet më parë u ndërtuan shtëpiza druri mbi det, të cilat u hoqën për arsye mjedisore. Në mesin e viteve 1930, një grup urbanistësh hartuan planin rregullues të Banjave, që mundësoi ngritjen e banesave të para një ose dykatëshe, shumë pak prej të cilave mbijetojnë mes ndërtesave shumëkatëshe.

Periudha më e njohur e plazhit mbetet ajo e viteve ’70-’80, kur plazhi u mbush me kabina druri, çadra dhe një numër i vogël ndërtimesh, përfshirë grupin e pesë hoteleve, me “Adriatikun” në qendër. Projekti aktual synon të shtojë kapacitetin e plazhit më të madh të vendit dhe të përmirësojë cilësinë e pushimeve për vizitorët vendas dhe të huaj që zgjedhin të qëndrojnë në Durrës.

Disa dhjetëra mijë metra kub rërë do t’i shtohen plazhit aktual, ndërsa projekti do të zgjasë 18 muaj. Ndërkohë, edhe sipërfaqja pranë murit lindor të portit është mbushur me inerte në kuadër të projektit “Durrës Marina.” “Projekti ‘Durrës Marina’ synon krijimin e një plazhi artificial pranë murit portual, brenda të cilit po ndërtohen godinat e para,” tha Facja, duke shtuar se plazhi natyral i Durrësit do të ruajë vijimësinë mes dy sipërfaqeve.

Drejtori i bashkisë Lorenc Facja theksoi se elementi i tretë i këtij projekti është restaurimi i 41 fasadave të po aq pallateve që ndodhen në vijën e parë të plazhit. Sipas drejtorit Facja, disa elemente teknike po diskutohen nga një grup inxhinierësh të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, përfshirë edhe nevojën për prishjen e barrierave prej betoni në stabilimentin “Teuta” dhe “Apollonia.” Ende nuk ka një vendim përfundimtar për prishjen e katër pistave turistike të ndërtuara para viteve ’90.

“Vlera e plotë e investimit arrin në rreth 6.3 milionë euro, ndërsa projekti po zbatohet nga kompania ‘Fusha,’” përfundoi drejtori Facja./BIRN/

 

Video

Izraelitë të armatosur hapën zjarr në qytetin Sa’ir në Bregun Perëndimor të pushtuar. Grupi i izraelitëve me rroba civile u pa duke iu afruar palestinezëve me mitralozë në duar, në pozicion të gatshëm për të qëlluar.

Një re e dendur me pluhur portokalli ka mbuluar Gazën ndërsa një stuhi e fortë rëre ka përfshirë vendin. Erërat e forta dhe pluhuri kanë goditur kampet ku strehohen mijëra të zhvendosur, duke përkeqësuar më tej kushtet tashmë të vështira humanitare në këtë zonë të rrethuar. Autoritetet lokale paralajmërojnë se situata kërkon ndihmë urgjente për banorët më të prekur.

Avokati i Tik Tok-ut kundër Gjykatës Kushtetuese

Motoristët që punojnë për platformën e shpërndarjes Wolt në Shqipëri kanë nisur protesta ditët e fundit, duke ngritur shqetësime për kushtet e punës dhe pagesat. Ata pretendojnë se kushtet e punës janë të vështira dhe pagat të ulëta, duke shprehur shqetësimin se kompanitë po punësojnë gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj me paga minimale.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme