Opinion 3 Korrik 2025, 10:09 Nga VNA

Kur përbindëshi është në shtëpi

Ndaje në Whatsapp
Kur përbindëshi është në shtëpi

Nga Neli Demi

Në këto ditë të nxehta, një lajm i ftohtë si vdekja ka ngrirë sërish shoqërinë shqiptare. Një vajzë 12-vjeçare nga Fieri, e abuzuar seksualisht nga i ati – për vite me radhë. Fjalët mungojnë, por heshtja nuk duhet të kthehet në normalitet. Sepse këtu nuk kemi thjesht një tragjedi individuale. Kemi një simptomë kolektive. Një plagë që vjen nga brenda dhe që për vite është maskuar nga miti i familjes shqiptare si vendi më i shenjtë.

Unë jam psikiatër. Dhe prej vitesh dëgjoj histori të pazëshme për publikun, por të zakonshme për ne. Histori të fëmijëve që janë abuzuar jo nga të panjohurit në rrugë, por nga ata që duhet t’i mbronin. Prindërit, xhaxhallarët, dajat, vëllezërit. Të afërmit. Ata që, në kulturën tonë, s’mund të preken as me fjalë. Por pikërisht sepse nuk duam të prekim këtë temë, ajo vazhdon të na përgjakë nga brenda.

Ka disa të vërteta të rënda që duhet t’i pranojmë si shoqëri:

Së pari, shumica e abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve ndodhin brenda familjes. Në shtëpi. Në vendin ku fëmija duhet të ndjehet më i sigurt. Dhe abuzuesit shpesh nuk janë monstrat që imagjinon publiku, por njerëz të zakonshëm – me fytyrën e babait të butë, të xhaxhait që bën humor, të dajës që sjell lodra. Abuzues që kanë mësuar të fshehen nën maskën e normalitetit, ndërsa viktimat mësojnë të heshtin nga frika, faji, dhe nga mungesa e besimit.

Së dyti, nuk kemi një sistem që dëgjon fëmijët. Ata nuk dinë të flasin. Dhe kur flasin, nuk besohen. Kur tregojnë, i heshtim. Sepse e vërteta e tyre na bezdis. Na trazon rehatinë. Na kërcënon imazhin që kemi krijuar për veten si shoqëri “të pastër”, “tradicionale”, “të moralshme”.

E kam parë me sytë e mi çfarë bën trauma seksuale kur ndodh në familje. Si e çan vetëdijen e fëmijës. Si ia ndalon trupin të rritet me gëzim. Si e shndërron fajin në identitet. Si e bën të besojë se është vetë shkaku i së keqes që i ndodhi. Kjo nuk është vetëm dhimbje. Kjo është helm. Dhe nëse nuk nxirret me ndihmë, ai helm ndjek fëmijën gjithë jetën – në marrëdhënie, në trup, në heshtje, në vetmi.

Por më e rënda nga të gjitha është kur sistemi hesht. Kur institucionet që duhet të mbrojnë fëmijët, i dorëzojnë. Ku ishte shkolla? Mjeku? Komuniteti? Askush nuk pa gjë? Apo të gjithë panë, por askush nuk donte të përballej me të vërtetën?

Në një shtet normal, fëmija nuk ka nevojë të trokasë vetë për të kërkuar shpëtim. Shteti duhet të jetë syri që sheh dhe veshi që dëgjon. Duhet të ketë protokolle të qarta. Të detyrueshme. Çdo profesionist që punon me fëmijë duhet të trajnohet për të njohur shenjat e abuzimit dhe të veprojë me përgjegjësi ligjore.

Nuk e bëjmë dot këtë rrugë pa guxim moral. Duhet ta ndalojmë së idealizuari familjen kur ajo është burim dhune. Familja është e shenjtë vetëm kur mbron, jo kur shkatërron. Dhe duhet t’i japim zë çdo fëmije që rri i heshtur në një dhomë ku përbindëshi nuk fshihet më nën krevat, por fle në krevatin ngjitur.

Fëmijët nuk janë pronë. Nuk janë turp. Nuk janë “çështje të brendshme familjare”. Ata janë dëshmitarët më të pafajshëm të dështimit tonë si shoqëri. Dhe për sa kohë nuk marrim përgjegjësi, përbindëshat do vazhdojnë të rriten të qetë. Në heshtje

Video

Dhjetëra qytetarë të Lezhës janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit për të përkujtuar 25-vjeçaren Xhuana Nikollaj nga Shëngjini. Pjesëmarrësit ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë fotografisë së saj, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të resë dhe solidaritetin me familjen në këtë moment të vështirë. E reja dyshohet se i dha fund jetës pas një periudhe të vështirë personale dhe dhunës nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe debat në opinionin publik, ndërsa qytetarët kërkuan më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale për rastet e dhunës në familje.

Një grup prej rreth 20 grabitësish të maskuar realizuan një grabitje në dyqanin e bizhuterive “Kumar” në Kaliforni, duke marrë mallra me vlerë mbi 1.4 milion dollarë brenda rreth 70 sekondash. Sipas autoriteteve, grabitësit thyen vitrinat me çekiçë dhe morën rreth 75–80% të bizhuterive të ekspozuara, para se të largoheshin me automjete që i prisnin jashtë. Policia arrestoi katër të rinj të moshës 19–20 vjeç pasi ndaloi një prej automjeteve të përdorura për arratisje, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.

Pse vetëm Rama do bëjë aeroporte?

Unë jam Ambrozia Meta që t’i gërric nervat…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme