Kronika 2 Korrik 2025, 18:49 Nga VNA

‘Kujtimet nuk futen në tuba’: Një fshat në Mat i reziston valës së HEC-eve

Ndaje në Whatsapp

Mes protestave dhe spekulimeve për prapaskena politike, fshati Kurdari në luginën e Matit vazhdon rezistencën e tij disavjeçare kundër ndërtimit të HEC-eve.

Në një mëngjes të nxehtë në mes të qershorit, qetësia në kodrat e fshatit Kurdari u ndërpre nga zhurma e thatë metalike e një ekskavatori që u shfaq në shtratin e egër të lumit të Lusës, një nga tributarët e Matit.

Makineria dhe punëtorët ishin sjellë nga kompania ‘Global Interprise Group‘ për të nisur gërmimin e një kanali – afërsisht 4.4 kilometra të gjatë, ku do të shtrihet një tubacion që synon të devijojë rrjedhën e lumit – hapi i parë për ndërtimin e hidrocentralit Doma.

Por banorët e fshatit, të cilët prej vitesh e kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit – pjesë e tre HEC-eve të planifikuara në lumin e Lusës, ishin të vendosur mos t’a lejonin fillimin e punimeve.

Një duzinë burrash u mblodhën dhe i bënë ballë makinerisë së rëndë duke krijuar një barrikadë me trupat e tyre, ndërsa më të rinjtë filmonin përballjen për t’ia shpërndarë medias.

“Këto HEC-e nuk i shërbejnë askujt, përveç disa xhepave të veçantë, në politikë, por edhe afër saj,” shfryu Ilirian Çeliku, inxhinier mjedisi me profesion, ndërsa kujton se si gjatë verës, kur ishin fëmijë, shuanin vapën duke u larë në ujin e lumit. “Lumi i Lusës në Kurdari është si të thuash edhe identiteti jonë, por edhe kujtimet tona,” shtoi ai.

Kundërshtimi i projektit nga banorët nuk është vetëm çështje nostalgjie. Bujqësia është aktiviteti kryesor ekonomik i zonës – e cila konsiderohet si ‘hambari’ i luginës së Matit. Shumë nga fermerët vendas druhen se ndërtimi i HEC-it mund të cënojë furnizimin e tyre me ujë për vaditje.

“Këta duan të na e marrin edhe atë pikë uji,” më thotë Xhevahir Perlati, i cili është kthyer në fshat pas disa vitesh emigrimi në Angli.”

“Ne për atë ujë, e këtë natyrë e bujqësi po rrimë këtu,” shtoi ai.

Ndryshe nga banorët, kompania zhvilluese e projektit energjetik, deklaron se ndërtimi i HEC-it nuk e dëmton komunitetin, ndërsa thekson se ka siguruar të gjitha lejet e nevojshme që i kërkon ligji.

“Për këtë investim, shoqëria jonë ka ndjekur procedurat ligjore që nga viti 2017 e deri më sot,” i tha BIRN nëpërmjet telefonit Ashim Doma, administrator dhe aksioner i kompanisë “Global Interprise Group”

“Ne kemi rinovuar të gjitha dokumentet dhe kemi marrë të gjitha lejet përkatëse,” theksoi ai, ndërsa shtoi se: “kush mendon se ka pasur shkelje, le t’i drejtohet institucioneve.”

Po iku lumi, ikën jeta

Kjo nuk është hera e parë që fshati Kurdari tërheq vëmendjen e medias. Në shtratin e lumit janë planifikuar ndërtimi edhe i dy HEC-eve të tjerë nga kompania “Idrolusa” sh.p.k. Në maj 2022, banorët e dëbuan me protestë përfaqësuesin e kësaj kompanie, duke shfaqur pakënaqësinë e tyre të thellë gjatë një dëgjese publike.

Bar-kafeja e vogël e Shkëlqim Kadriut në qendër të fshatit, shërben jo vetëm si pikë takimi për banorët, por edhe si shtab emergjence për organizimin e rezistencës kundër HEC-eve. Mes tymit të duhanit, banorët e mbledhur kujtojnë se idetë fillestare për ndërtimin e HEC-e në lumin e Lusës shkojnë pas gati dy dekada.

“Jemi mbledhur në mënyrë të vazhdueshme,” më thotë Shkëlqimi, ndërsa rikujton aktet e vazhdueshme të rezistencës dhe protestat ndaj punimeve. “I gjithë fshati është afro 600 ose 700 familje,” tregon ai, përpara se të shtojë se “thuajse 90% janë kundra ndërtimit të HEC-eve.”

Edhe pse shumë prej banorëve kanë emigruar jashtë vendit, një pjesë e madhe e tyre vazhdojnë ta ruajnë lidhjen me vendlindjen, ku disa kanë investuar për shtëpi pushimi. Fabiol Zeneli ishte vetëm 13 vjeç kur u largua nga fshati për në Angli. Atje u arsimua, nisi punën si inxhinier dhe themeloi një kompani private në fushën e ndërtimit. Pas afro 25 vitesh, ai u rikthye në banesën e gjyshërve të tij, ku nisi një rikonstruksion të plotë për ta kthyer kullën në identitet.

“Gjej qetësi këtu,” me thotë Fabioli. “Fëmijët, pavarësisht se kanë lindur në Angli, kënaqen gjithashtu kur vijnë këtu” tregon ai.

Për Fabiolin, ideja e ndërtimit të HEC-eve në fshat është e paimagjinueshme.

“Gjuetia e peshkut, larja gjatë verës – nuk mund të futen në tuba,” tha Fabioli. “Ne kujtimet i kemi aty,” thekso ai, ndërsa shtoi se “po iku lumi, ikën jeta.”

Dëgjesa të kontestuara

Ashim Doma, administratori i kompanisë ‘Global Interprise Group’ – e cila qëndron pas projektit të HEC-it ‘Doma’, insiston se ndërtimi i hidrocentralit është një investim strategjik, ligjërisht i rregulluar, i planifikuar prej vitesh dhe që nuk sjell asnjë dëm për komunitetin.

Ai thekson se janë zhvilluar disa dëgjesa publike për projektin ndër vite dhe se pjesëmarrja në to ka qenë e hapur, ndonëse nuk mban mend numra konkretë.

“Në momentin që paraqet dokumentacionin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM), një ndër dokumentet është njoftimi i publikut,” tha ai, ndërsa theksoi se në dëgjesa ka marrë pjesë “kush ka qenë i interesuar.”

“Aty kanë qenë ndoshta 20 apo 25 veta, por kjo është bërë më shumë se një herë, ndoshta 3 apo 4 herë që nga 2017-ta,” tha sipërmarrësi. “Ne nuk i marrim njerëzit me zor,” shtoi ai.

Por banorët e kontestojnë pjesëmarrjen në dëgjesat publike që deklaron kompania. Ato pretendojnë se një pjesë e firmave në listat e pjesëmarrjes janë falsifikuar.

Megjithatë, Ashim Doma mbetet i vendosur për ndërtimin e hidrocentralit, ndërsa thekson se gjurma e tij ndodhet afro 300 metra poshtë fshatit dhe nuk prek asnjë banor drejtpërdrejtë, “as me zhurmë, as me ndotje, as me kufizim të burimeve”.

“Unë nuk kam asnjë lidhje me banorët e Kurdarit,” tha ai. “Jemi shumë larg tyre fizikisht.”

Doma lë të kuptohet se, nëse banorët këmbëngulin në bllokimin e punimeve, ai do t’u drejtohet institucioneve të rendit. “Unë do të vazhdoj punimet”, theksoi sipërmarrësi.

Interesa politike?

Në Kurdari, spekulimet se pas projekteve të HEC-eve qëndrojnë njerëz me pushtet politik, janë kthyer në legjendë. Si shumë ndodhi në Shqipëri, edhe përballja e banorëve të Kurdarisë me HEC-et, duket se ka një sfond politik.

Fshati është pjesë e njësisë administrative Suç, në bashkinë Klos, e cila dikur ka qenë një bastion i së djathtës. Por në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste arriti të merrte një fitore të thellë, duke siguruar 60% të votave.

Shumë prej tyre, besojnë se nisja e punimeve për HEC-in “Doma”, fill pas zgjedhjeve parlamentare, nuk është rastësi.  Administratori i kompanisë ndërtuese, Ashim Doma është një figurë lokale e lidhur ngushtë me Partinë Socialiste. Ai ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2013-të në listën e PS-së në qarkun e Dibrës.

Disa nga banorët mendojnë se pas projektit qëndron ish-kryetari i bashkisë Mat dhe deputeti i ri i PS-së, Agron Malaj.

I pyetur për lidhjet e përfolura me deputetin, Ashim Doma mohon çdo përfshirje politike dhe e përkufizon investimin si një “biznes familjar”.

“S’e kam të nevojshme të kem prapavijë politike,” tha ai, ndërsa pretendoi se “pjesa më e madhe e protestuesve nuk janë fare nga fshati.”

“Thonë që i marrim ujin e pijshëm apo të vaditjes, por këto janë trillime”, shtoi Doma.

Pas jehonës që përplasja me kompaninë krijoi në media, deputeti i zgjedhur i PS-së, Agron Malaj, pati një takim me banorët e Kurdarisë, pasditen e 29 qershorit.

Malaj, dukej i vendosur të hidhte poshtë zërat se ai qëndronte pas projektit, ndërsa shtoi se çdo vepër që ndërtohet pa miratimin dhe dëgjesat publike është “e pavlefshme.”

“Kjo zonë është punëtore, kjo zonë jeton me këtë ujë,” tha Malaj. “Nuk mund të cënohet jeta për interesa që nuk janë të përbashkëta”, përfundoi ai./BIRN/

 

Video

Alpinisti amerikan Alex Honnold ka realizuar një ngjitje historike të dielën, duke u bërë personi i parë që ka shkallëzuar ndërtesën më të lartë të Tajvanit, Taipei 101, pa përdorur litar, parzmore apo rrjet sigurie. Ngjitja u zhvillua në kushte të kontrolluara dhe ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare, për shkak të nivelit ekstrem të rrezikut dhe vështirësisë që paraqet një strukturë prej 508 metrash lartësi. Taipei 101 konsiderohet një nga ndërtesat më ikonike në botë dhe një sfidë e jashtëzakonshme për çdo alpinist. Alex Honnold është i njohur globalisht për ngjitjet e tij pa mjete sigurie (free solo), duke shtyrë kufijtë e alpinizmit modern. Autoritetet lokale nuk kanë raportuar incidente gjatë ngjarjes, ndërsa ngjitja është cilësuar si një arritje e rrallë sportive dhe teknike.

Protestat e kamionistëve do të ndikojnë qarkullimin kufitar nga 26 janari. Automjetet e transportit të mallrave do të ndalohen të hyjnë dhe të dalin nga pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut: hyrja bllokohet nga mesnata, ndërsa dalja nga ora 12:00. Po ashtu, nga ora 11:30 e 26 janarit nis një grevë 48-orëshe e Shoqatës së Kamionistëve të Malit të Zi, duke ndaluar qarkullimin e kamionëve nga Shqipëria drejt këtij vendi. Në akset drejt kufirit me Malin e Zi do të lejohen vetëm automjete të vogla, autobusë, mjete emergjence dhe transport pasagjerësh. Përjashtim nga ndalimi bëjnë kamionët që transportojnë ilaçe dhe bagëti, ndërsa qarkullimi i automjeteve të udhëtarëve vijon normalisht. Protesta zhvillohet për shkak të kërkesave të kamionistëve për lehtësira fiskale, përmirësim të kushteve në dogana dhe kundërshtim të kufizimeve të punës së shoferëve në zonën Shengen.

Në rrugët e qyteteve të Kinës patrullojnë robotë që mbikëqyrin trafikun. Kina është vendi më i përparuar në botë!

“Arabia Saudite lejon zyrtarisht të huajt të blejnë dhe zotërojnë prona banimi, toka dhe ferma bujqësore në të gjithë vendin.”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme