Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, duke folur për aksionin e qeverisë në Theth, është shprehur se koha më e mirë për të ndërhyrë do ishte pas sezonit turistik. Ndreu gjithashtu u shpreh se fajin për këto ndërtime e kanë institucionet që i kanë lënë banorët të ndërtojnë pa leje.
“Kisha një vit e sa pa hyrë në Theth, ishte komplet tjetër gjë. Kam ngelur i befasuar nga një bum shumë i madh ndërtimi. Unë mendoj që institucionet që e kanë pasur për detyrë atë punën e kanë pasur përgjegjësinë. Nëse unë shkoj ndërtoj aty dhe nuk më thotë njeri gjë, unë mund të ndërtoj. Unë jam për ndërhyrje në Theth, por mund ta kursenin kohën, ia kam thënë dhe kryeministrit”, tha Ndreu.
Por, ndonëse kryebashkiaku i Lezhës kritikon institucionet në Shkodër për mos reagim, ai vet nuk ka këshilluar vëllain e tij për të cilin tha se është i pari që ia kanë prishur lokalin në Tiranë.
“U përmend Lezha dhe unë mendoj se edhe Lezha ka probleme. Lokali i parë që është rrëzuar te bulevardi Zogu i Parë është lokali i vëllait tim, këtu në Tiranë. Ka pas disa vite që paguante taksa, por në fund të fundit ka një filozofi, një mënyrë si trajtohen hapësirat publike”, u shpreh Ndreu.






















