Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor dhe dënuar me 4 vite burg Muhamet Mehdi Manollarin, një 40-vjeçar nga Radomira e Peshkopisë, me banim në Tiranë. Ai u dënua për veprën penale “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, ndërsa është gjithashtu nën hetim për akuzën e rëndë të “Financimit të terrorizmit”.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, Manollari akuzohet se në vitin 2018 i ka dërguar babait të tij, Mehdi Manollarit, një shumë prej 864 eurosh, gjatë kohës kur ky i fundit ndodhej në Siri dhe ishte pjesë e organizatës terroriste ISIS. Mehdi Manollari është larguar nga Shqipëria më 5 maj 2013 për në Siri dhe është përfshirë në listën kombëtare të personave të shpallur për financim terrorizmi. Ai dyshohet të ketë humbur jetën në luftë në vitin 2019.
Gjykata, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Erjon Bani dhe Elsa Ulliri, ka vendosur gjithashtu të asgjësojë një dokument të falsifikuar të përdorur gjatë hetimeve, ndërsa disa prova materiale, përfshirë përgjime dhe të dhëna celulare, mbeten pjesë e dosjes.
Njoftimi i plotë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur
pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale, që i përket procedimit
penal nr. 255, të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurit Muhamet Mehdi Manollari, i
akuzuar për kryerjen e veprës penale “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona
të shpallur”, parashikuar nga neni 230/ç i Kodit Penal”
.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim
të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e
Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Erjon Bani dhe Elsa
Ulliri, me vendimin Nr. 29, datë 15.04.2025 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Muhamet Mehdi Manollari, për kryerjen e veprës
penale “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, parashikuar
nga neni 230/ç i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.
2. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Muhamet Mehdi Manollari fillon nga dita e
ekzekutimit të këtij vendimi, në momentin që merr formë të prerë, dhe ky dënim të
kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
3. Bazuar në nenin 190 dhe 391 të K.Pr.Penale, deklarimin e falsitetit të aktit konkretisht
“Dërgesë Parash-KOPJA E Agjentit”, nr. ****
, datë ****
, ora ****, me shënimet
“DËRGUESI A.N MARRËSI A.A.S”
, e Unionit Financiar Tiranë sh.a (dokument i
cili ndodhet bashkëngjitur Akt Ekspertimit grafik nr. 2213, datë 29.03.2024), duke
urdhëruar fshirjen tërësore të këtij dokumenti me anë të asgjësimit sipas
parashikimeve proceduriale.
4. Bazuar në nenin 190 dhe 224 të K.Pr.Penale, provat materiale që janë: CD të
Përgjimeve sipas procesverbalit datë 21.02.2024, CD të dërguara me shkresat
përkatëse nga Kompanitë Celuare, Cd të dërguara nga ana e institucioneve të
ndryshme dhe DVD përkatëse, mbetën pjesë e dosjes.
5. Shpenzimet hetimore të llogaritura në shumën 12500 (dymbëshjetë mijë e pesëqind)
lekë, dhe ato gjyqësore sipas formularit përkatës t’i ngarkohen të pandehurit.
6. Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve nga e
nesërmja e njoftimit të vendimit.
Tiranë, më datë 15.04.2025






















