Për të dytën herë radhazi është bllokuar mbledhja e Këshillit Bashkiak në Shkodër për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa situata politike në qytet po tensionohet gjithnjë e më shumë. Këshilltarët e Partisë Demokratike u larguan nga salla, duke vijuar bojkotin e nisur më herët, ndërsa Partia Socialdemokrate e Tom Doshit nuk mori pjesë, duke e cilësuar rendin e ditës si politikisht të motivuar dhe të panevojshëm në prag të zgjedhjeve të pjesshme të 11 majit.
Në rendin e ditës ishin përfshirë vendime të rëndësishme, përfshirë miratimin e fondit 6% për ndihmën ekonomike për familjet në nevojë, menaxhimin e sezonit turistik në Velipojë dhe investime në fushën e kulturës. Zëvendëskryetarët e bashkisë shprehën shqetësim se bojkotet e njëpasnjëshme po dëmtojnë interesat e qytetarëve, ndërsa përfaqësuesit e PS-së e quajtën bojkotin si një akt që paralizon qeverisjen vendore.
Megjithatë, një zhvillim i papritur ndodhi këtë të mërkurë, kur këshilltari i PSD-së, Gjovalin Ndoj, vendosi të thyente bojkotin dhe iu bashkua grupit të këshilltarëve të PS-së, duke sinjalizuar një lëkundje të brendshme në qëndrimet e PSD-së në Shkodër.
Ky episod vjen në një kohë kur Tom Doshi, ka patur përplasje publike me kryebashkiakun Benet Beci, por ai ka lënë të kuptohet se nuk dëshiron të përplasë përfundimisht urat me Partinë Socialiste. Në një takim të zhvilluar së fundmi në Vaun e Dejës, Doshi deklaroi se pa PSD-në nuk mund të krijohet mazhorancë dhe se aleanca me PD-në është e papranueshme për të.
Gjithësesi, mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet bashkëpunimi mes forcave politike pas zgjedhjeve. E sigurt është që Tom Doshi vijon të mbajë qëndrimin se Benet Beci nuk duhet të jetë më kryetar bashkie në Shkodër, duke paralajmëruar edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja për këtë bashki.






















