Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që parashikon mbrojtje të veçantë për punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), të cilëve u kërcënohet jeta, familja apo prona për shkak të ushtrimit të detyrës.
Vendimi, që vjen me propozim të ministrit të Brendshëm dhe në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe ligjit nr. 128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, përcakton qartë mënyrat dhe kushtet për ofrimin e kësaj mbrojtjeje.
Sipas VKM-së:
- Mbrojtja e veçantë përfshin masa organizative dhe profesionale për ruajtjen e jetës, familjes dhe pronës së punonjësit të kërcënuar.
- Ajo përfitohet vetëm nëse plotësohen tre kushte kryesore: prania e rrethanave serioze që përbëjnë rrezik, gjendja që kërkon masa të menjëhershme dhe lidhja shkakësore mes rrezikut dhe detyrës.
- Mbrojtja mund të përfshijë shoqërim fizik për punonjësin apo familjarët e tij, si dhe ruajtjen e pronës.
- Vendimi për mbrojtje merret nga Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve (KVK), që funksionon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të AMP-së.
Komisioni përbëhet nga drejtues të lartë të AMP-së dhe përfaqësues rajonalë. Kërkesa për mbrojtje mund të paraqitet nga vetë punonjësi i kërcënuar, strukturat e AMP-së apo çdo organ tjetër publik që ka dijeni për rrethanat.
Brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës, komisioni duhet të vendosë për miratimin ose jo të mbrojtjes, duke përcaktuar masat konkrete, afatin e zbatimit dhe shpenzimet.
Në raste urgjente, drejtori i Përgjithshëm i AMP-së mund të urdhërojë marrjen e menjëhershme të masave mbrojtëse, të cilat më pas vlerësohen nga komisioni.






















