Kronika 10 December 2025, 19:59 Nga VNA

Hemodializa monopol i heshtur nën kompanitë e Klodian Allajbeut, deputetët ngrenë alarmin për abuzime

Ndaje në Whatsapp

Hemodializa monopol i heshtur nën kompanitë e Klodian Allajbeut,

Në Komisionin e Ekonomisë, ku u diskutua projektligji për koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat, deputetët ngritën shqetësime serioze mbi praktikën e transferimit të kontratave koncesionare ndërmjet kompanive, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, ku disa prej tyre janë kthyer në monopol faktik.

Në qendër të debatit u vendos koncesioni i hemodializës, i dhënë në vitin 2016 për një periudhë 10-vjeçare Spitalit Amerikan dhe shoqërisë “Evita shpk”, të lidhura me biznesmenin Klodian Allajbeu. Dy kompanitë krijuan më pas “Dia Vita”, me të cilën Ministria e Shëndetësisë nënshkroi kontratën për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë spitale rajonale: Shkodër, Lezhë, Vlorë, Elbasan dhe Korçë.

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, e cilësoi procesin e transferimeve të vazhdueshme si favorizues të monopolizimit të shërbimeve:
“Duhet hequr mundësia e kalimit të kontratave nga njëra kompani te tjetra. Në shëndetësi është krijuar monopol.”

Në të njëjtën linjë u shprehën edhe deputetë të opozitës, mes tyre Besart Xhaferri i PD-së, i cili po ashtu foli për “monopolizim të qartë” të shërbimit të hemodializës.

Sipas deputetëve, kontrata e hemodializës është transferuar disa herë brenda një rrethi të mbyllur kompanish të lidhura me Allajbeun. Vetëm tre vjet pas marrjes së koncesionit, në vitin 2019, “Dia Vita” e transferoi kontratën te kompania suedeze “Diaverum”, e cila më vonë, sipas të dhënave të bëra publike, e ka kaluar atë te një kompani me kapital arab.

Gjatë kësaj periudhe, struktura drejtuese e kompanive është ndryshuar vazhdimisht, me administratorë shqiptarë dhe të huaj që kanë ardhur dhe ikur, ndërsa vetë Allajbeu nuk figuron zyrtarisht në dokumente. Aktualisht, kompania përfaqësohet nga Klodian Shehu, kunati i biznesmenit.

Deputetët kërkuan hetim të plotë mbi arsyet e këtyre transferimeve, duke theksuar se ato mund të jenë përdorur për të shmangur barrat fiskale dhe për të fshehur përgjegjësitë ligjore.

Kontrata e hemodializës ka qenë ndër më të kontestuara edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka evidentuar dyshime për abuzime me cilësinë e shërbimit dhe faturime të dyfishta për procedura të paofruara. Sipas KLSH-së, shteti ka paguar rreth 2.3 miliardë lekë në vit për parashikime të shërbimeve dhe jo për shërbime realisht të kryera, gjë që ka rënduar drejtpërdrejt mbi buxhetin e taksapaguesve.

Koncesioni i hemodializës mbetet kështu një prej çështjeve më të debatueshme të sektorit të shëndetësisë, ku praktikat e transferimeve, dyshimet për abuzim dhe përqendrimi i tregut po shtojnë kërkesat për transparencë dhe hetim të thelluar.

 

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme