Bota 2 Tetor 2024, 22:20 Nga VNA

Irani dhe Izraeli, si shtetet që dikur ishin miq u bënë armiq të betuar

Ndaje në Whatsapp
Irani dhe Izraeli, si shtetet që dikur ishin miq u bënë armiq

Edhe njëherë u përshkallëzua në mënyrë të rrezikshme situata: Irani sulmoi Izraelin me raketa, qeveria izraelite kërcënon me kundërsulme. Ka pasur një kohë, kur të dy shtetet nuk kanë qenë armiq, përkundrazi.

Lufta në Rripin e Gazës po zhvillohet për gati një vit. Dhe nuk luftohet më vetëm në Gaza. Sulmet me raketa dhe dron ka pasur gjithashtu midis Izraelit dhe Libanit, Sirisë, Irakut dhe Jemenit prej muajsh. Në fund të korrikut u vra në Teheran kreu i jashtëm i Hamasit, e shpallur si organizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera. Udhëheqja e Iranit më pas u shpreh se do të hakmarret. Të premten e kaluar u vra Hassan Nasrallah, kreu i organizatës shiite libaneze Hezbollah, një tjetër aleat kyç i Teheranit. Më parë, shpërthimi i radiomarrëseve, të ashtuquajturit pager, plagosi qindra zyrtarë të Hezbollahut dhe vrau disa të tjerë. Që atëherë, ka qenë e paqartë nëse dhe si do të përgjigjet lidershipi ushtarak i Iranit – edhe për shkak të historisë së tyre të përbashkët të mbushur me konflikte.

Kundërsulmi i Republikës Islamike erdhi të hënën në mbrëmje: Garda Revolucionare e Iranit goditi me rreth 200 raketa Izraelin. Sulmi ishte si hakmarrje për vrasjen e kreut të jashtëm të Hamasit, Ismail Haniya, Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe një gjenerali iranian, u tha televizioni shtetëror iranian.

Nga aleatë në armiq

Irani dhe Izraeli janë armiq tani prej dekadash. Teherani i mohon të drejtën e ekzistencës Izraelit dhe kërcënon “regjimin sionist” me shkatërrim. Izraeli, nga ana e tij, e konsideron Iranin armikun e tij kryesor. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Të dy vendet ishin aleate të ngushta deri në Revolucionin Islamik në Iran në vitin 1979. Irani ishte madje një nga shtetet e para që njohu shtetin e Izraelit në vitin 1948. Izraeli e shikonte Iranin si një aleat kundër shteteve arabe në konfliktin e Lindjes së Mesme. Për Teheranin, Izraeli, i mbështetur nga Uashingtoni, shihej gjithashtu si një kundërpeshë e mirëpritur politike ndaj fqinjëve të tij arabë.

Izraeli madje trajnoi ekspertë iranianë për bujqësinë, ofroi njohuri teknike dhe ndihmoi në ndërtimin dhe trajnimin e forcave të armatosura persiane. Sundimtari i atëhershëm i Iranit, Shah Mohammad Reza Pahlavi, ofroi nga ana e tij naftë, e cila nevojitej urgjentisht në zhvillimin ekonomik të Izraelit. Irani kishte komunitetin e dytë më të madh hebre jashtë Izraelit. Pas revolucionit, një pjesë më e madhe e hebrenjve u larguan nga vendi. Por ka ende më shumë se 20,000 hebrenj që jetojnë në Iran sot.

Pika e kthesës: Revolucioni Islamik

Pas fitores së Revolucionit Islamik në Iran në vitin 1979 dhe ngritjes në pushtet të krahut fetar brenda revolucionarëve nën Ajatollah Ruhollah Khomeini, Teherani i anuloi të gjitha marrëveshjet me Izraelin. Ajatollah Khomeini e kritikoi vazhdimisht Izraelin për pushtimin e territoreve palestineze. Gradualisht Teherani filloi të zhvillonte një retorikë të ashpër kundër Izraelit me synimin për të fituar mbështetjen e shteteve arabe ose të paktën simpatinë e popullsisë në këto vende. Regjimi në Iran donte të rriste kështu ndikimin e tij.

Kur Izraeli ndërhyri në luftën civile libaneze në vitin 1982 dhe pushtoi jugun e vendit, Khomeini dërgoi Gardën Revolucionare iraniane në Bejrut për të mbështetur milicët shiite atje. Edhe sot e kësaj dite, milicia e Hezbollahut që u krijua në atë kohë konsiderohet si krahu i zgjatur i Teheranit në Liban.

Thellimi i konfliktit

Udhëheqësi aktual fetar i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili vendos në fund për të gjitha çështjet e vazhdoi këtë politikë. Khamenei dhe i gjithë lidershipi i Republikës Islamike të Iranit gjithashtu vënë në dyshim në mënyrë të përsëritur realitetin historik të vrasjes sistematike të hebrenjve evropianë në kohën e nacionalsocializmit dhe përpiqen të relativizojnë apo madje edhe të mohojnë Holokaustin.

Për të forcuar pozicionin e tij kundër Izraelit, por edhe kundër Arabisë Saudite, Irani jo vetëm që mbështeti Hezbollahun në Liban dhe Hamasin në Gaza, por edhe ndërhyri në luftën siriane në anën e presidentit sirian Assad deri më sot, po ashtu mbështeti edhe milicët Huthi në Jemen e të ashtuquajturën lëvizje e rezistencës islame në Irak. Një arkitekt kryesor i kësaj lufte në hije ishte gjenerali i Gardës Revolucionare Quasem Soleimani, i cili u vra në një sulm me dron amerikan në fillim të vitit 2020.

Izraeli gjithashtu ka bërë pak për të lehtësuar tensionet me Iranin. Në fjalimet e tij, kryeministri Benjamin Netanyahu e krahasoi vazhdimisht Republikën Islamike me Gjermaninë naziste, e cila kërcënonte drejtpërdrejt ekzistencën e vendit të tij. Ai e përshkroi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e cila u negociua nga fuqitë me veto në OKB-së, si edhe Gjermania dhe Irani, si një “gabim me përmasa historike”. Sipas Netanyahut, ai do të parandalonte një bombë bërthamore iraniane “me çdo mjet”.

Izraeli ka kryer vazhdimisht akte sabotazhi kundër programit bërthamor të Iranit. Në vitin 2020, kreu i programit bërthamor të Iranit, Mohsen Fakhrisadeh, u vra. Atëherë gazetat angleze “The Guardian” dhe “New York Times” raportuan se të gjitha provat tregojnë për një vrasje të qëllimshme nga shërbimi sekret izraelit. Izraeli as e mohoi dhe as nuk e konfirmoi përgjegjësinë.

Narrativa e armiqësisë jo e pakontestuar

Ndryshe nga konflikti mes qeverive dëgjohen gjithmonë tone të ndryshme në mesin e popullatës ose nga shoqëria civile. “Irani duhet të shqyrtojë marrëdhëniet e tij me Izraelin sepse ato nuk janë më aktuale”, tha Faeseh Hashemi Rafsanjani në një intervistë në fund të vitit 2021. Faeseh është vajza e ish-presidentit iranian Ali Akbar Hashemi Rafsanjani dhe një ish-deputete e Parlamentit iranian. Edhe politologu i njohur Sadegh Zibakalam, i cili është kritik ndaj qeverisë, gjithashtu e kundërshton politikën e Iranit ndaj Izraelit. “Ky qëndrim e ka izoluar vendin në skenën ndërkombëtare”, thekson profesori në Universitetin e Teheranit në një intervistë për Dë në vitin 2022.

Në Izrael, gjithashtu, ka pasur rregullisht zëra që kanë shprehur solidaritet me popullin e Iranit. Për shembull, iniciativa e mediave sociale “Izraeli e do Iranin”, e cila u bë e njohur për herë të parë në vitin 2012. Në vitin 2023, një fushatë e ngjashme mbështeti iranianët që dolën në rrugë kundër regjimit në Teheran pas vrasjes së vajzës së re Mahsa Jina Amini. Së fundmi, pati një përpjekje tjetër për të ringjallur fushatën duke përdorur hashtagun #IsraelisLoveIranians.

Por në nivelin politik, që nga sulmi i organizatës terroriste të Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023 dhe si pasojë “luftën për shpagim” të shpallur nga Izraeli, siç e përshkroi kryeministri Netanyahu, frontet janë ngurtësuar më shumë se kurrë. Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 41,000 palestinezë janë vrarë në luftën e Gazës, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Sulmet me raketa nga Hezbollahu dhe bombardimet izraelite mbi Libanin jugor deri në kryeqytetin Bejrut kanë detyruar tashmë qindra mijëra njerëz në Izrael dhe Liban të lënë shtëpitë e tyre. Frika e një zgjerimi të luftës ishte dhe është për këtë arsye e madhe. SHBA, BE dhe Gjermania u bëjnë thirrje të gjitha palëve ndërluftuese të përfshira që të tregojnë përmbajtje. /Marrë nga DW

 

Video

Në brigjet e Uellsit të Ri Jugor, në Australi, është vërejtur një balenë tepër e rrallë, plotësisht e bardhë — një këlysh me emrin Siale, e lindur në Tonga në vitin 2024. Emri i saj, që do të thotë “jasemin i bardhë”, është një homazh për pastërtinë e ngjyrës së saj unike. Pas zhdukjes misterioze të Migaloo-së në vitin 2018, Siale mund të jetë e vetmja balenë gunga albino e njohur në Tokë.

Numërimi në Vlorë, nga kandidatja Mersini, ministra e biznesmenë Teksa procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e pjesshme të bashkisë Vlorë është drejt fundit janë publikuar pamje nga qendrat e numërimit. Ku siç shihet në pamje kandidaten Mersini e shoqërojnë ministra, deputetë dhe biznesmenë. Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga KQZ, janë numëruar të gjitha 231 qendrat e votimit. Brunilda Mersini ka marrë 15,672 vota, që përfaqësojnë 78.44% të totalit. Pas saj renditet Dionis Sota me 2,333 vota (11.68%) dhe Gjergji Nika me 1,975 vota (9.88%). Avantazhi i Brunilda Mersinit ndaj Dionis Sotës është 13,339 vota, ndërsa ndaj Gjergji Nikës 13,697 vota, duke i dhënë fitores një përmasë të padiskutueshme dhe historike për qytetin bregdetar.

Ku është eshtë parë ndonjëherë që opozita të bashkohet kundër qeverisë?! Merrni shembull nga Shqipëria

LDK shpalli fitoren në Prishtinë Përparim Rama i LDK, sipas kryetarit të kësaj partie Lumir Abdixhiku, ka fituar në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë me 51,5% të votave. Rama sipas Abdixhikut ka fituar ndaj kandidatit të VV Hajrullah Çeku. Abdixhiku tha se LDK ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme në këto zgjedhje lokale duke fituar pesë komuna. Përkrahësit kanë shkuar në selinë e LDK-së duke thirrur "Përparim ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke".

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme