Histori të harruara 31 Mars 2025, 09:03 Nga VNA

Historia e trishtë e poetit Vehbi Skënderi që u dënua, duke punuar si hamall!

Ndaje në Whatsapp
Historia e trishtë e poetit Vehbi Skënderi që u dënua, duke

Poeti Vehbi Skënderi ka lindur në Ersekë më 18 maj të vitit 1927, në familjen e një kleriku të lartë nga Strelca e Korçës. Babai i tij Imam Demir Efendiu, kishte kryer studimet e larta fetare në Stamboll. Ai ishte një njeri i ditur, kishte një bibliotekë nga më të pasurat e asaj kohe, në arabisht dhe persisht, kishte pikëpamje liberale antikomuniste, ishte për bashkëjetesë të mirëfilltë ndërfetare dhe shfaqte simpati për demokracitë perëndimore: djalin e madh, Kadriun, e dërgoi në Shkollën Amerikane Bujqësore të Fultz-it, në Golem të Kavajës. Imam Demir Efendiu kishte shërbyer si klerik në Korçë, Ersekë, Pogradec etj. Nëna e tij, Selimeja, ndonëse autodidakte, përveç librave fetare, lexonte edhe letërsi në gjuhën shqipe. Ajo ishte Kryetare e Komisionit të Luftës kundër Analfabetizmit në të gjithë Gorën.

Shkollën fillore (me pesë klasë) Vehbiu e kreu në Strelcë në vitet 1934-1939. Në vitin 1940, u mobilizua me forcë nga ushtria greke në vijën e parë të frontit, për hapjen dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Aty ai përjetoi nga afër tmerret e luftës: përpara syve të tij kalonin përditë me qindra luftëtarë të plagosur e të gjymtuar. Në vitet 1941-1943, vazhdoi studimet fetare në Medresenë e Lartë Tiranë, ku midis mësimdhënësve kishte orientalistin e mirënjohur Vexhi Buharaja, Profesor Mehdi Bushatin, Hafiz Ismetin etj. Në majin e vitit 1943, ndërpret studimet dhe del partizan në Çetën e Dibrës, me komandant Haxhi Lleshin, ku iu mbijeton tre plagosjeve. Në vitin 1944, pranohet në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare.

Me mbarimin e Luftës në vitin 1945, kalon në Divizionin e Mbrojtjes Popullore. Në fillim të vitit 1947, shtrohet në Sanatoriumin e Turanës, me një proces tuberkular të avancuar, kur merr raport për t’u shkëputur përfundimisht nga ushtria. Më 1951-in, fillon një kurs estetik dyvjeçar, ku jepnin leksione Jakov Xoxa, Bedri Dedja, Mark Gurakuqi etj. Në vitet 1953-1956, kryen shkollën e mesme profesionale (dega rusisht). Në vitet 1956-1961, kryen Fakultetin Histori-Filologji, me rezultate shumë të mira. Vehbi Skënderi njihte shumë mirë rusisht, italisht dhe frëngjisht.

Veprimtaria si gazetar

Bashkëpunimin me shtypin, Vehbi Skënderi e fillon tek gazeta “Arma e Mbrojtjes” e Ushtrisë Popullore, që nxirrte Ministria e Mbrojtjes. Shkrimi i tij i parë që gjen jehonë të veçantë, ishte ai i botuar më 1945, tek gazeta “Bashkimi”, me titullin “Myfiti”, ku bën portretin dhe historinë e një çami nga Filati. Në vitet 1949-1953, është redaktor në revistën “Miqësia”, me Gjovalin Lukën, ndërsa në vitet 1955-1956, në revistën “Hosteni”, me Spiro Çomorën. Në vitet 1956-1959, është korrespondent special në të përditshmen “Bashkimi”.

Nga viti 1960, deri në vitin 1966, punoi në revistën “Ylli”, ku ishte gazetar dhe anëtar i kolegjiumit. Në vitet 1973-1974, ai ishte redaktor i poezisë, në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë. Veprimtarinë publicistike, e cila është brilante, Vehbi Skënderi mundi ta rifillonte vetëm pas vitit 1992, me rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Në këto vite të periudhës postkomuniste, Vehbi Skënderi ka botuar publicistikë dhe poezi, kryesisht në gazetat e përditshme “Rilindja” e Kosovës, që botohej në Tiranë dhe “Bota Sot”.

Veprimtaria si poet

Poezinë e parë, e cila pati shumë sukses, Vehbi Skënderi e botoi në revistën “Letërsia jonë” në vitin 1947. Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, pa qenë kandidat. Më 1953, botoi librin e parë poetik, ‘Këngët e para’. Prej atëherë, ka botuar librat poetikë ‘Vjersha’ (1958), ‘Fletë nga ditari im’ (1964), ‘Vjershat dhe poemat e Drinit’ (1969), ‘Vazhdim i një bisede’ (1971), ‘Vdekja e Ofelisë’ (1971), ‘Shqiponja e Vermoshit’ (1972), ‘Përsëri mëngjes’ (1973), ‘Vjersha dhe poema të zgjedhura’- Kolana e poezisë shqipe (1973), ‘Kumbojnë vitet’ (1983), ‘Nxitoj’ (1987), ‘Bëjmë’ sikur (1995), ‘Hëna e vjedhur’ (2000), ‘Zvicra Shqipëria’ ime (2004).

Për “Fletë nga ditari im”, në vitin 1966, Vehbi Skënderi mori Çmimin e Republikës.  Një vit më vonë, merr çmim në konkursin kombëtar për poemën ‘Vazhdim i një bisede’. Ai merr edhe çmime të tjera nga organet botuese në konkurse të ndryshme kombëtare. Poezitë e tij përfshihen në antologjitë dhe tekstet shkollore të kohës dhe në botimet e poezisë shqipe, në gjuhë të huaja. Vëllimin e fundit, ‘Mirëmëngjesi, Shqipëri – Lirika të një tetëdhjetëvjeçari’, i cili u botua pas vdekjes, poeti Vehbi Skënderi e përfundoi në fillim të vitit 2009.

Kalvari i gjatë nga persekutimet…!

Përplasjet e Vehbi Skënderit me regjimin e kohës, dolën hapur në vitin 1966-‘67, kur shkruan fejtonin; ‘Klubi i të qetëve ose, Klubi i të lumturve’, për Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve. Një sekretar partie për ideologjinë, u shpreh atëherë se; “ky fejton, përmban helm më shumë se romani më antiparti i kohës”. Po atë vit, me një grup të shquar intelektualësh – Profesor Selman Riza, Profesor Ligor Mile, Profesor Dhimitër Pilika, Kolonel Dilaver Radeshi, historiani i mirënjohur Zija Shkodra, majori Bektash Bedo etj. – ai përgatiti një “Brigadë shtypi” dhe e dorëzon për botim në Zërin e Popullit.

Në këtë pamflet, kritikoheshin rëndë Instituti i Historisë dhe Instituti i Gjuhësisë: Instituti i Historisë, në vend që të merrej me figura e epoka madhore të historisë kombëtare, merrej vetëm me Haxhi Qamilin, duke mos bërë asnjë monografi për Pirron e Epirit, Teutën e Ilirisë, Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin e Fan Nolin, duke mos bërë asnjë studim për Lashtësinë, Mesjetën, Rilindjen Kombëtare, duke mos bërë asnjë studim për Kosovën. Instituti i Gjuhësisë nuk kishte përgatitur ende Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Pamfleti nuk botohet. Kryeredaktori i ‘Zërit të Popullit’, Todi Lubonja ia dorëzon dorëshkrimin, sekretari të parë të Tiranës Manush Myftiut, dhe me të merret Byroja Politike, duke e cilësuar si “veprimtari armiqësore, të njëjtë me Konferencën e Partisë së Tiranës”.

Në Komitetin Qendror, gjatë seancash të terrorit të gjyqit politik, e akuzonin për veprimtari antiparti, sepse sipas tyre, sulmonte institucionet e superstrukturës të diktaturës dhe nacionalist, meqë u deklarua se Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë. Gjyqi ishte kaq i tmerrshëm, sa njëri prej pjesëtarëve, i ndjeri Bektash Bedo, vrau veten. Nga ky grupi intelektualësh në vitet e tranzicionit, është vlerësuar me të drejtë me nderime të larta, midis tyre vetëm Profesor Selman Riza, ndërsa për autorin e këtij shkrimi, Vehbi Skënderin, ka vazhduar gjatë këtyre njëzet viteve heshtja. I ndjeri Profesor Zija Shkodra, pas rrëzimit të diktaturës moniste, në një shkrim të gjatë, ka hedhur dritë të plotë rreth rolit kyç të Vehbi Skënderit.

Më 1967-ën, për pesë vjet rresht, Vehbi Skënderi, tashmë autor i ndaluar, dërgohet në Hidrocentralin e Vaun të Dejës, i dënuar me punë korrektuese. Një vit më vonë, në Kantjerin e Zadejës, dërgohet me punë fizike, zëvendësdrejtori i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës. Ai i kërkon Vehbi Skënderit, të bëhet agjent i Sigurimit, çka shkrimtari e refuzon kategorikisht. Funksionari i lartë i Sigurimit, i betohet shkrimtarit, se do të pendohet për këtë refuzim. I transferuar si zëvendësdrejtor i Degës së Punëve të Brendshme në Tiranë, ai ia përsërit kërcënimin shkrimtarit edhe disa vite më vonë. Më 1974-ën, nën udhëzimet e Sekretari të Parë të Tiranës, Sigurimi i Shtetit sajon të tjera reprezalje kundër Vehbi Skënderit, i cili përjashtohet nga partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga puna, i digjen librat dhe i ndalohet botimi.

Më 1975-ën, internohet në Shkodër, por organet e rrethit të Shkodrës nuk e pranojnë, sepse mungon vendimi me shkrim. Më 1976-ën, internohet familjarisht në fshatin e largët Zall-Mner të Tiranës. Pas katër vitesh pa punë, caktohet si punëtor transporti, në Kombinatin Poligrafik, në repartin e presimit dhe në magazinën e hedhjes së mbeturinave. Pas rreth dhjetë vitesh në atë punë të rëndë, i rikthehet e drejta e botimit. Por në Lidhjen e Shkrimtarëve i deklarojnë, se rehabilitimi i tij i plotë si autor, do të bëhet vetëm diku nga vitet 2030-2040…!

Del në pension në vitin 1987, duke qenë korrektor në repartin e dispensave, në Kombinatin Poligrafik. Prej 15 qershorit të vitit 1996, Vehbi Skënderi jetoi dhe krijoi në Zvicër, me familjen e tij të dashur, me gruan, dy nipat e tij, dhëndrin Skënder Buçpapaj dhe vajzën e tij të vetme, Elida Buçpapaj, të cilët e rrethuan me dashuri dhe përkujdesje shembullore, deri në fund të jetës së tij. Më 13.06.2011, në orën 04:30, në spitalin kantonal të Bazel Landit, Bruderholzspital, ku u shtrua në mëngjesin e datës 11.09.2011, pushoi së rrahuri zemra e Vehbi Skënderit, poetit të paepur, në përballjen me përndjekjet dhe ndalimet që përjetoi nga diktatura e egër komuniste dhe drejtpërdrejt nga Sigurimi i Shtetit./ Memorie.al

 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme