Histori të harruara 14 February 2026, 15:23 Nga VNA

Kur biografia të shkatërronte jetën: Historia e Teki Gjonzenelit në dy letra arkivore

Ndaje në Whatsapp
Kur biografia të shkatërronte jetën: Historia e Teki Gjonzenelit

VNA sjell këtë herë në rubrikën “Histori të harruara” historinë e Teki Gjonzenelit, të rrëfyer përmes dy letrave arkivore që flasin qartë për mënyrën se si funksiononte sistemi i internimeve gjatë diktaturës. Dokumentet tregojnë se si një vendim administrativ mund të përcaktonte fatin e një familjeje të tërë, ndërsa vetë personi përpiqej të justifikonte jetën dhe punën e tij.

Në letrën zyrtare, autoritetet argumentojnë se masa e internimit duhej të vazhdonte për shkak të biografisë familjare: babai i lidhur me Ballin Kombëtar, vëllezër të arrestuar apo të arratisur, dhe klasifikimi si familje “kulake”. Gjuha është e shkurtër, burokratike dhe pa asnjë referencë për jetën personale të njeriut që po gjykohej.

Krejt ndryshe tingëllon letra e dytë, ajo e vetë Teki Gjonzenelit. Ai shkruan si një punëtor që ka kaluar vite në kantieret industriale të vendit — nga Vlorë deri te hidrocentralet dhe fabrikat — dhe që nuk arrin të kuptojë pse është internuar. Ai përmend profesionin, familjen, vitet e punës dhe pyet thjesht: ku është faji im?

Dy letrat vendosen përballë njëra-tjetrës si dëshmi e një kohe ku biografia kishte më shumë peshë se puna, ndërsa vendimet politike ndryshonin jetën e njerëzve pa shpjegime. Pa retorikë dhe pa dramë të shtuar, dokumentet flasin vetë për realitetin e internimeve dhe për përplasjen mes sistemit dhe individit.

Letra 1 – Drejtuar Komitetit Qendror të Partisë

Ju njoftojmë se Teki Gjonzenelit, i internuar në bazë të vendimit nr. 8, datë 14.2.1968, të Komisionit të Internim-Dëbimeve, për këto arsye:

Familjarisht, si në të kaluarën ashtu edhe aktualisht, kanë mbajtur dhe mbajnë qëndrim të keq. Aktualisht konsiderohen familje kulake.
Babai i tij, Muhamet Gjonzenelaj, ka qenë toger i Ballit Kombëtar dhe, si i tillë, ka luftuar kundër forcave partizane; ndërsa kushëriri i tij, Beqo Gjonzenelaj, është ekzekutuar.

Në vitin 1960 i është arratisur një vëlla në Greqi; ndërsa në vitet 1959 dhe 1969 i janë arrestuar dy vëllezër dhe janë dënuar për veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor.

Mendojmë që të mos i hiqet masa e internimit.

Letra 2 – LUTJE

Kam 20 muaj që jetoj e punoj në fshatin Bohagjan si i internuar. Në vitin 1944 fshati im u dogj nga fashizmi. Unë, bashkë me familjen, erdha në qytetin e Vlorës, atje ku jetova në mënyrë të rregullt për 4 vjet.

U pushova nga puna më 25/III/1968. Për të shkuar në fshat, unë këtë e refuzova, se nuk kisha as edhe një banesë ose ndonjë anë tjetër. Ata gjithsesi më pushuan nga puna. Mbas një muaji më internuan për në fshat për 5 vjet.

Jam me profesion ekskavatorist, vinçier, elektricist i kategorisë XII. Kam gruan dhe një vajzë. Po ju them vetëm kaq që gjatë këtyre 10 muajve atje në fshat vetëm kam realizuar 400 ditë pune.

Kurse para se të më dërgonin në fshat kam punuar për 5 vjet në hidrocentralin e Ulzës, 7 vjet në Shkopet, në Bistricë 2 vjet, në Soda 2 vjet dhe kohën e fundit edhe në Azotikun e Fierit. Gjatë punës jam shpërblyer edhe duke dalë në gazetat e tjera.

As vetë s’e di se ku qëndron faji im. Por edhe sikur unë të kem për të shlyer ndonjë faj të të tjerëve, kjo është forma që do të më edukonte?

Më vjen keq që çereku i shekullit në Shqipërinë socialiste mua me familjen time më gjen të internuar.

Me nderime
Teki Gjonzeneli

15/11/1969

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme