
Ngjarja e para disa ditëve e ndodhur në qytetin e Durrësit, kur i paraburgosuri Altin Ndoci u arratis nga spitali rajonal i atij qyteti, kur ishte dërguar “për vizitë dhe analiza mjekësore” nga ana e autoriteteve të Burgut të Durrësit, ku mbahej i izoluar pas disa akuzave të rënda nga ana e SPAK-ut, nuk është një ngjarje e panjohur dhe e paprecedentë, jo vetëm në këto 35 vite të pluralizmit, por edhe gjatë gjithë periudhës 45 vjeçare së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Edhe pse konsiderohet si një nga regjimet më diktatoriale të Europës Lindore, ndonëse sporadike, arratisjet nga kampet dhe burgjet komuniste nuk kanë munguar, por ato kanë qenë me pasoja të rënda, pasi shumë nga të dënuarit e kanë paguar me jetën e tyre atë “aventurë”!
Arratisjet e para nga kampet e burgjet komuniste e kanë zanafillën që nga viti 1945, por me ndonjë individ të veçantë dhe jo të organizuara në grupe. Arratisja e parë e bujshme në grup, është ajo e prillit të vitit 1947, kur 20 të burgosur që vuanin dënimin në kampin e Beratit, mundën që të kalonin rrethimin me tela me gjemba e të “merrnin malet”! Një ngjarje pak e shumë e tillë u përsërit edhe në dhjetorin e po atij viti, kur nga kampi i Llakatundit të rrethit të Vlorës, ku vuanin dënimin rreth 60 të burgosur politikë, nëntë prej tyre (të dënuar si “armiq të popullit”, nga 10 deri në 20 vjet heqje lirie), mundën të arratisen nga kampi, pasi kishin “korruptuar” me raki, zogj të skuqur dhe duhan, rreshter Brahim Hoxhën nga Vlora, i cili ishte dhe anëtar partie.
Që nga ajo kohë e më pas, për gati 45 vite të regjimit komunist, arratisjet nuk kanë qenë të pakta dhe ato kanë ndodhur në të gjitha kampet e burgjet e Shqipërisë, duke filluar nga Tirana, Maliqi (Kampi i tharjes së Kënetës), Rinasi (Kampi i ndërtimit të Aeroportit), Burreli, Spaçi, Repsi, Rubiku, (Kampi i Uzinës së Shkrirjes së Bakrit), Vlora (Kampi i Sodës Kaustike), Laçi (Kampi i Uzinës së Superfosfatit), Elbasani (Kampi i Fabrikës së Çimentos), Fushë-Kruja (Kampi i Fabrikës së Çimentos), Ballshi, Zejmeni, Borshi dhe Shën- Vasia e Sarandës, Qafë-Barit etj., ku pjesa më e madhe e të dënuarëve që kanë tentuar arratisjen nga kampe burgjet, mbetën në telat me gjemba të “sharruar” nga plumbat e ushtarëve që ruanin ata. Për ironi të fatit, njeri prej tyre ishte dhe Sazan Hadaeri, (djali i motrës së Shefqet Peçit, një nga udhëheqësit emblematik të Shqipërisë komuniste), i cili u vra nga rojet e burgut të Burrelit, më 2 gusht 1967, pasi kishte kaluar rrethimet e atij burgu dhe ishte fshehur diku në vreshtat e fermës bujqësore!
Sa më sipër, pothuaj pjesa më e madhe e këtyre ngjarjeve me tentative dhe arratisje nga kampet e burgjet e regjimit komunist, tashmë janë shumë të njohura, si nga dëshmitë dhe rrëfimet e protagonistëve të tyre apo dokumentet arkivore, në këtë shkrim po publikojmë tetë histori arratisjesh, duke dhënë vetëm komunikatat operative ditore sekrete të Ministrisë së Brendshme, në të cilat ato ngjarje raportohen thjesht si lajme. Në këto ngjarje që kemi përzgjedhur për botim në këtë shkrim, e para i përket 1 nëntorit të vitit 1953, kur katër të burgosur që vuanin dënimin në kampin e Rinasit, mundën që të arratisen duke u larguar nga kanali i nevojtoreve e, të kalonin kufirin shtetëror duke dalë në Jugosllavi! Ndërsa e fundit, i përket prillit të vitit 1991, kur forcat e policisë së Degës së Brendshme të rrethit të Mirditës, vranë të dënuarin Pëllumb Dermani, që ishte arratisur nga kampi i Spaçit, ngjarje e cila shënoi dhe epilogun e atij regjimi diktatorial. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë të cilat janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme dhe publikohen për herë të parë (me faksimilet përkatëse) nga Memorie.al

RAPORT – INFORMACIONI I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, PËR ARRATISJEN E KATËR TË DËNUARVE POLITIK NGA KAMPI I RINASIT, MË 31 TETOR TË VITIT 1953, NGA KANALI I NEVOJTOREVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tepër Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Nr. 127
“Sekretariati” Tiranë, më 1 nëntor 1953
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 190
Arratisje të burgosurish politik nga Kampi Nr. 4
Njofton se në datën 31 tetor 1963, në orën 03.00, kanë ikur nga Kampi Nr. 4, të burgosurit e poshtëshënuar.
Shefqet Nexhip Islami, lindur në vitin 1920 në fshatin Kardhiq të Gjirokastrës dhe banues në Fier, arrestuar më 1.XII.1948, dënuar me 20 vjet privim lirie, për fajin se ka bërë pjesë në një organizatë tradhtare.
Ago Çelo Mitaj, lindur në vitin 1925 në katundin Bolenë të Qarkut Vlorë, arrestuar më 29.VIII.1950, i dënuar me 20 vjet privim lirie, për fajin se ka propaganduar dhe se ka dashur që të arratisej në Greqi.
Abaz Vesel Korçari, lindur në vitin 1925 në katundin Vërseshtë të rrethit të Skraparit, arrestuar më 16.VIII.1946, i dënuar me burgim të përjetshëm (zbritur në 20 vjet), për fajin se ka bërë pjesë në një grup kundër Pushtetit.
Nexhip Sherif Dauti, lindur në vitin 1924 në katundin Palevli të rrethit Sarandë, arrestuar më 20.X.1950, i dënuar me 20 vjet privim lirie, për fajin se ka qenë anëtar i një grupi reaksionar dhe më pas ka bashkëpunuar me diversantë për të formuar një grupo dhe Komitete për rrëzimin e Pushtetit Popullor.
Të përmendurit kanë mundur të dalin nëpërmjet kanalit të nevojtoreve të kampit. Në ndjekje të tyre kanë shkuar forca të Policisë, gjurmët kanë ndjekur deri afër Rrugës Durrës- Tiranë. Janë lajmëruar qarqet përkatëse dhe forcat e Policisë.
Drejtoria e qarkut për këtë çështje do të njoftojë me relacion të veçantë.
SHEFI I SEKRETARIATIT
Major
Rasim Dedja
Ministrit të Punëve të Brendshme
Gjeneral-major Kadri Hazbiut
Gjeneral-major Mihallaq Ziçishtit
Kolonel Delo Balilit
Në dosje
RAPORT – INFORMACIONI I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, PËR TENTATIVËN E ARRATISJES SË 20 TË DËNUARVE POLITIK NGA KAMPI I “PALLATEVE AGIMI”, MË 24 QERSHOR TË VITIT 1954
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tepër Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Sekretarjati” Tiranë, më 25 qershor 1954
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 175
TIRANË
Tentim arratisje i një grupi të burgosurish
Njofton se me datën 24 Qershor 1954, në kapin nr, 4 në Tiranë, një grup të burgosurish prej 20 vetash, të cilët kishin përgatitur një kanal prej 8 m. gjatësi për të dalë nga kampi, me qëllim arratisje. Të sipërmit kanë qenë të dënuar rëndë. Elementët kryesorë u zbuluan dhe në marrëveshje me Gjeneral-major Kadri Hazbiun, filloi marrja e tyre në hetuesi. Do t’i jepen gjyqit për tentativë arratisje dhe kalim në Jugosllavi
SHEFI I SEKRETARIATIT
Major
Rasim Dedja
RAPORT – INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, PËR ARRATISJEN E TRE TË DËNUARËVE POLITIK NGA BURGU I BURRELIT, MË 2 GUSHT 1967, KU NJERI I VRA NGA ROJET
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
DREJTORIA E ADMIN. DHE STUDIMEVE Tiranë, më 3.8.1967
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 179
BURRELI
Njofton se me datën 2.8.1967, në ora 19-30, në kohën që oficeri i rojës së burgut, Ymer Lena dhe roja Hamit Laçi, po bënin si zakonisht apelin për kontroll në dhomën Nr. 7, në të cilën ishin gjithsej 18 veta, të dënuarit për krime kundër shtetit me nga 25 vjet, Adem Isuf Allçi, nga Tropoja, Sazan Hajdar Hajdari, nga Gjirokastra dhe Dhori Rafail Deshnica, nga Korça, të tre nën moshën 30 vjeçe, goditën me grusht oficerin dhe rojën, duke i rrëzuar në tokë pa ndjenja, iu morën çelësat e dyerve të brendshme, dolën në oborrin e rrethuar, duke hipur në shpinën e njërit prej tyre, kaluan nga porta e burgut, në tarracë, dhe u hodhën nga ana e mbrapme e burgut, në një lartësi 4 m.
Roja i diktoi dhe ju thirri për t’u ndaluar, por mbasi nuk iu bindën, ai qëlloi dhe goditi duke lënë të vdekur Sazan Hajdarin, plagosi Dhori Dishnicën, por ky mundi të dalë jashtë telave, por nga plagët e marra, i kishte mbetur fuqia dhe ishte fshehur te vreshtin në fermës. Ndërsa Adem Isuf Allçi u largua dhe nga masat e marra, u kap në Fishën e Tosumit nga A.G.B.V. Fitim Hoxholli dhe nga një polic i Degës, të cilët ishin në ndjekje të tij. Refaili është plagosur në këmbë dhe në kurriz, u dërgua për mjekime në infermierinë e burgut. Oficeri i rojës dhe roja kanë pësuar vetëm goditje në fytyrë dhe janë në gjendje normale.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
GANI GOXHI
RAPORT – INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, PËR ARRATISJEN E KATËR TË DËNUARVE POLITIK NGA KAMPI I BALLSHIT, MË 12 MAJ 1975
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
DREJTORIA E ADMIN. DHE STUDIMEVE Tiranë, më 12.5.1975
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 109
FIERI
Më 12.5.1975, ora 04.00, në repartin 309 Ballsh., janë larguar nga kampi të dënuarit; 1) Pëllumb Isuf Kasa, vjeç 37, lindur në Lushnje dhe banues në Tiranë, i dënuar me 8 vjet heqje lirie; 2) Bardhyl Haxhi Zaimi, vjeç 25, lindur dhe banues në Kavajë, i dënuar me 6 vjet heqje lirie; 3) Hate Lirim Demo, vjeç 29, lindur dhe banues në fshatin Gorisht Vlorë, i dënuar me 26 vjet heqje lirie; 4) Piro Vangjel Mëngjesi, vjeç 28, lindur në Fier dhe banues në Shtyllas, i dënuar me 20 vjet heqje lirie. Janë marrë masa për kërkimin e tyre, brenda dhe jashtë rrethit.
DREJTORI
PILO SHANTO
RAPORT – INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR ARRATISJEN NGA KAMPI I BORSHIT TË SARANDËS, I TË DËNUARIT POLITIK HAXHI SHABAN SULA, MË 11 QERSHOR 1976
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 11.6.1976
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 138
SARANDA
Më 10.6.1976, ora 7.30, në Repartin e Riedukimit Borsh, i dënuari me 7 vjet heqje lirie për sjellje të padenjë në shoqëri dhe për goditje të përfaqësuesit të pushtetit, Haxhi Shaban Sula, vjeç 26, nga Tirana, i dënuar katër herë, u largua nga vendi i punës dhe pasi iua afrua në mënyrë të maskuar rojës, ushtar Fiqiri Serjiut, e goditi atë befasisht dhe e rrëzoi në kanal.
Pas kësaj i mori mitralozin me gjithë municion dhe iku në drejtim të Ndërmarrjes Bujqësore. Në këtë kohë ushtari qëlloi me pistoletë në drejtim të tij, por pa pasoja. Në afërsi të NB-së ai gjeti një makinë të asaj ndërmarrje, që drejtohej nga shoferi Pilo Vrana, e cila kishte ndaluar dhe tre katër punëtorë.
Këta të fundit, kur panë Haxhiun me mitraloz, ikën nga frika, ndërsa shoferin e urdhëroi të niste makinën dhe vetë hipi në karroceri. Shoferin e porositi të ecte në drejtim të Sarandës, se ndryshe do ta vriste. Pasi u vu në dijeni komanda e repartit dhe ajo u vu në ndjekje të tij, ai qëlloi me mitraloz në drejtim të tyre, deri sa arriti në fshatin Nivicë.
Atje zbriti nga makina, vuri përpara shoferin, duke e urdhëruar që të ecte në drejtim të fshatit Bajkaj – Vergoj. Kur mbërritën në Qafën e Breshërit, ra në përpjekje me forcat e Degës së Punëve të Brendshme, të cilat e plagosën rëndë dhe e kapën të gjallë.
KRYETARI
PILO SHANTO
RAPORT – INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR ARRATISJEN NGA KAMPI I SPAÇIT I DY TË DËNUARVE POLITIK, STAVRI GUXA DHE MANOIL QIRICI, MË 10 DHJETOR 1977
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 10.12.1977
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 290
RRËSHENI
Më 9.12.1977, u arratisën nga kampi i Spaçit, dy të dënuar; Stavri Thoma Guxa, vjeç 27, lindur në Derviçan – Gjirokastër, i dënuar me 18 vjet heqje lirie për tradhti të lartë ndaj atdheut dhe Manol Aleks Qirici, vjeç 35, lindur në Mbrezhdan – Përmet, i dënuar me 10 vjet heqje lirie, për agjitacion e propagandë. Ngjarja ka ndodhur në orën 18.00, kur kanë dalë nga turni i punës. Rrethimi është çarë midis truprojës së parë dhe të dytë. Janë marrë masa për kapjen e tyre.
KRYETARI
PILO SHANTO
RAPORT – INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR TENTATIVËN E ARRATISJES NGA KAMPI I SPAÇIT I TË DËNUARIT POLITIK, REFIK ZENEL BEQO, MË 12 MAJ 1979, QË U VRA NGA ROJA
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 12.6.1979
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 137
MIRDITA
Më 11.6.1979, ora 23.15, në Repartin 303 Spaç, u konstatua largimi nga vendi i punës i të dënuarit me 12 vjet heqje lirie, Refik Zenel Beqo, nga fshati Rrajcë Librazhd. U morën masa për kapjen e tij dhe në orën 00.50, të datës 12.6.1979, u diktua midis vend-rojeve Nr. 15 dhe 16, pasi kishte kaluar rrethimin e parë dhe ishte duke kaluar pengesën retikulatë, për tek rrethimi i dytë.
Pasi u paralajmërua, u vra nga oficeri Rruzhdi H…. dhe ushtarët Zaim D…. dhe Gjergj M….të vend-rojeve të sipërme. Kanë hapur zjarr dhe ushtarët e vend-rojeve Nr. 13 dhe 14. Në vend, veç grupit operativ të Degës, ka shkuar dhe kryetari i Degës së Zbatimit të Veprave Penale.
KRYETARI
PILO SHANTO
RAPORT – INFORMACIONI SEKRET I MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR ARRATISJEN NGA KAMPI I SPAÇIT I TË DËNUARIT, PËLLUMB DERMANI, I CILI U VRA NGA FORCAT E POLICISË, ME 1 PRILL 1991
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 3.4.1991
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 78
MIRDITA
Me datën 1.4.1991, nga kërkimi i forcave tona, u asgjësua i burgosuri Pëllumb Dermani, që ishte arratisur nga burgu./ Memorie.al






















