Histori të harruara 20 Janar 2026, 08:35 Nga VNA

Letra që e shpëtoi nga internimi / Historia e Pëllumb Pilinçi dhe lutja e nënës së tij drejtuar Enver Hoxhës

Ndaje në Whatsapp

Letra që e shpëtoi nga internimi / Historia e Pëllumb

VNA sjell në rubrikën “Histori të harruara” një histori të dokumentuar të persekutimit komunist, që nis në burgun e Maliqit dhe përfundon me një letër lutjeje drejtuar diktatorit.

Pëllumb Pilinçi, i njohur për publikun për shkak të angazhimeve të tij politike dhe kombëtare, lindi më 16 prill 1948 në burgun e Maliqit, në një kohë kur familja e tij po persekutohej rëndë nga regjimi komunist.

Fëmijërinë dhe rininë i kaloi mes burgjeve dhe kampeve të internimit. Në vitin 1975, pas më shumë se një viti e gjysmë lutjesh dhe ankesash, një letër e nënës së tij, Zarife Gani Pelinçi, drejtuar Enver Hoxhës, çoi në lirimin e tij të parakohshëm nga internimi, fakt i dokumentuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Po atë vit, Pëllumb Pilinçi emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u arsimua, u bë profesor dhe për mbi 45 vjet u angazhua në çështje kombëtare dhe ndërkombëtare. Sot, ai e konsideron mision të jetës së tij forcimin e lidhjeve Shqipëri–SHBA dhe ndërtimin e një Shqipërie të fortë, të lidhur ngushtë me Perëndimin.

Por sot, VNA publikon letrën prekëse të shkruar nga Zarife Gani Pelinçi, nëna e Pëllumb Pelinçit, drejtuar Enver Hoxhës, e cila zbardh dramën e një familjeje të dëshpëruar dhe mekanizmin e internimeve në Shqipërinë e viteve ’70. Pas më shumë se një viti e gjysmë lutjesh dhe ankesash, çështja përfundoi me lirimin e parakohshëm të të riut nga internimi.

Në letrat e saj, Zarife Pelinçi shpjegon se familja, me origjinë nga Podgoria e Korçës, kishte shkuar me punë në NBSh Levan, sektori Shtyllas, jo si të internuar, por me dëshirë. Megjithatë, djali i saj, Pëllumbi, u mbajt në Shtyllas pa iu lejuar kthimi pranë kooperativës dhe pa sqarime për arsyet e internimit. Sipas nënës, ai ishte në moshë për t’u martuar, por fejesa i ishte prishur për shkak të gjendjes së tij.

Familja theksonte se për më shumë se një vit e gjysmë kishte endur dyerve të institucioneve, nga dega e Punëve të Brendshme në Fier deri në Ministrinë e Brendshme në Tiranë, pa marrë asnjë përgjigje zyrtare. Në një tjetër letër, nëna sqaron se djali i saj kishte punuar si piktor në hekurudhën Elbasan–Përrenjas dhe ishte internuar për pesë vjet pa vendim gjykate apo prokurorie.

Dokumenti zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i datës 23 maj 1975, drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së, konfirmon se Pëllumb Pelinçi ishte internuar me vendim të Komisionit të Internim-Dëbimeve më 14 nëntor 1973, për pesë vjet, në Shtyllas të Fierit. Si arsye përmenden mosangazhimi në punë dhe aktiviteti i tij si piktor, si edhe “qëndrimi politik jo i mirë” i familjes, duke rikujtuar dënimet e mëparshme të babait.

Megjithatë, mbi bazën e kërkesave të familjes dhe faktit se gjatë internimit nuk ishte konstatuar asnjë veprim negativ nga ana e tij, Komisioni vendosi lirimin e parakohshëm të Pëllumb Pelinçit me vendim të datës 5 prill 1975. Familjes iu njoftua heqja e masës më 7 prill të po atij viti.

Letra

Shoku Enver jemi me origjinë nga Podgorie e Korçës dhe sot jemi me punë në N.B.Sh, Levan sektori Shtyllas jo të internuar por të ardhur vetë dhe sot duam të kthehemi në fshat pranë kooperativës. Djalin nuk na i lënë e mbamë në Shtyllas pa e lejuar as në një vent sikur dhe i sëmurë të jetë. Djalin e kam në moshë për të martuar dhe e kisha fejuar që i bënë e fejuara u nda.
Lutem shumë si prindër të tij dhe vëllezërit e tij jemi të dëshpëruar pa masë sepse ka një vit e gjysëm që sorollaemi poshtë e lart pa asnjë përgjigje pse është internuar.
Mosmarrëveshjet që ka pasur burri ndikuan në internimin djalit.
Lutjet tona janë në M.P.B Komisionit Qendror Tiranë. Në rast se do të shikoni lutjet do të shikoni jo të drejta. Pres përgjigje
Zarife Gani Pelinçi
 
I dashur shoku Enver
Unë djemtë dhe burri, jemi të dëshpëruar në kulm. Djalin Pëllumb Pelinçin e kam patur piktor në hekurudhën Elbasan-Përrenjas dhe këtu arrestohet me internim 5 pesë vjet pa vendim nga gjykata ose prokuroria e ndonjë rrethi. Kemi një vit e gjysëm që kemi bërë lutjet zyrtare dhe verbalisht nuk na thonë asgjë nga dega e Fierit dhe deri në ministrin e Brendshme Tiranë. Lutjet tona si prindër të djalit dhe lutjet e djalit janë pronë e komisionit internim –dëbimit Tiranë. Kemi ardhur mbi pesëmbëdhjetë herë në Tiranë jemi takuar me personat e internimit si me Seit Kondim dhe me shumë të tjerë takohena çështja e djalit qëndron pa u zgjidhur pa përgjigje nga asnjë lutje që kemi bërë.  
 
 
Republika e Popullore e Shqipërisë                                                                 SEKRET
Ministria e Punëve të Brendshme                                                       Tiranë, më 23.05.1975
Zyra e Kërkesaë Ankesave                
Nr. Z-19/1
 
KOMITETIT QËNDROR TË PPSH
                                                                        TIRANË
Në lidhje me shkresën tuaj Nr.Z-23/1  datë 12.03.1975
Ju njoftojmë se Gani Pëllumb Pelincci, me vendimin Nr.43 datë 14.11.1973, të komisionit të internim –dëbimeve, ka qenë internuar në Shtyllas të Fierit, pranë familjes së tij, për 5 vjet kohë, si person që nuk punonte dhe merrej me bërje e shitje pikturash.
Qëndrimi politik i familjes së tij nuk ka qenë i mirë, babai i tij është dënuar dy herë me heqje lirie: në vitin 1948 për arratisje në Jugosllavi dhe në vitin 1962 për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullore.
Mbi bazën e kërkesës së familjes, duke marrë parasysh se pas marrjes së masës së internimit e këtej në qëndrimin e Gani Pëllumb Pe inçit nuk është konstatuar ndonjë gjë negative, komisioni i internim –dëbimeve, me vendimin Nr.2 datë 05.04.1975, vendosi lirimin e tij para kohe.
Të interesuarit heqja e masës i është njoftuar me datën 07.04.1975
 
Ngjitur ju kthehet letra
Ndihmës i Ministrit
FARUDIN POÇARI
 

Letra që e shpëtoi nga internimi / Historia e Pëllumb

Letra që e shpëtoi nga internimi / Historia e Pëllumb

Letra që e shpëtoi nga internimi / Historia e Pëllumb

Video

Momentet e para të rikthimit të energjisë elektrike mbrëmë në QSUT, pas minutave të errësirës që krijuan ankth dhe pasiguri në godinat ku funksionojnë shërbime jetike.

Lëre oqeanin Evis. Rregullo dritat në QSUT.

Ish kreu Bashkisë Kavajë, Elvis Roshi, tashmë zyrtarisht i pandehur, është paraqitur sot në SPAK i shoqëruar nga avokati. Roshit iu komunikua akuza për “shpërdorim detyre,” pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për parregullsi në tenderat gjatë periudhës së tij në krye të Bashkisë së Kavajës. https://www.vna.al/kronika/ish-kryebashkiaku-i-kavajes-elvis-roshi-paraqitet-ne-prokurorine-e-posac-i19092

Presidenti rus Vladimir Putin mori pjesë në festimet për Ditën e Epifanisë Ortodokse më 19 janar, një ditë që përkujton pagëzimin e Jezusit në lumin Jordan. Sipas traditës ortodokse ruse, besimtarët duhet të zhytën tre herë nën ujë, duke simbolizuar Trinisë së Shenjtë. Festimet u zhvilluan në ambiente të hapura me temperatura të ulëta, ku presidenti mori pjesë në ceremoninë fetare si pjesë e përkujtimit të kësaj dite të shenjtë. Dita e Epifanisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit ortodoks, duke pasqyruar traditat dhe ritualet që praktikohen gjerësisht nga besimtarët rusë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme