Histori të harruara 25 Dhjetor 2025, 08:19 Nga VNA

Historia e trishtë e Urim Elezit, i dënuar dy herë nga regjimi komunist: Si më qëruan sytë nën tortura, nëna sapo i dëgjoi, bërtiti dhe u shemb në dysheme

Ndaje në Whatsapp

Historia e trishtë e Urim Elezit, i dënuar dy herë nga regjimi

Urim Elezi, lindur më 18.10.1941 në Floq të Korçës, hyn te të dënuarit dy herë nga regjimi komunist me shumë vite vuajtjeje. Ai u burgos më 26.10.1963 dhe doli që andej më 10.2.1989. hyri në 22 vjeç dhe doli 48 vjeç, madje i verbuar. Në moshën 18-vjeçare kreu shkollën e Instruksionit në Gjirokastër, ku gradohet nënoficer. Në dënimin e parë ishte ushtar në Repartin Nr.9357 Gjirokastër. Herën e parë u akuzua në bazë të nenit 64, në kombinim me nenet 10 e 14 të Kodit Penal. Ishte me shërbim ushtarak, së bashku me shokun e tij Hekuran Shyti, në Gjirokastër. Sipas gjykatës, i kish propozuar Hekuranit të arratiseshin sepse bëhej jetë e mirë në vendet kapitaliste e sidomos në SHBA. Hekurani lirohet më parë nga ushtria dhe gjatë kësaj kohe gjen personat e tjerë, me të cilët do kryenin arratisjen. Hekurani i nis një telegram Urimit në Gjirokastër, me kërkesën që të të niset se nëna ishte sëmurë.

Kësisoj Urimi bashkohet me shokët e tij, Hekuran Shyti, Durim Shyti dhe Robert Morava. Të pa orientuar mirë, të spiunuar nga një banori i zonës, ata u kapën nga forcat e kufirit në postën kufitare të Nikolicës në rrethin e Korçës. Gjykata Ushtarake Tiranë me vendimin nr.21, datë 27.2.1964, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë, heqjen e të drejtës zgjedhore për 4 vjet dhe të gradës së rreshterit.

U la në fuqi me vendimin nr.23, datë 31.3.1964 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. Për herë të dytë u arrestua më 19.2.1980. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal me artikulime shumë rënduese. Dega e Punëve të Brendshme Fier, me shkresën nr.112, datë 15.1.1980, i kërkoi Drejtorisë së Hetuesisë miratimin e arrestimeve për tre shtetas, midis të cilët edhe i përmenduri Urim Elezi. Ishte marrë në përpunim aktiv më 17.5.1979 se zhvillonte propagandë në radhët e të dënuarve.

Raportonin për të “I penduari” dhe “Tekniku”. Për të thuhej të ishte shprehur: “Sigurimi i ka lyer duart me gjakun e këtij populli. Kanë bërë krimet më të shëmtuara që mund të ketë në histori, Sigurimi është sjellë me popullin dhe me njerëzit, më keq se ç’janë sjellë fashistët dhe nazistët..! Nuk ka më të poshtër se komunistët. Unë quaj komunistë të gjithë ata që kanë yllin në ballë si një domate, pavarësisht nëse besojnë mjekrën e Marksit apo mustaqet e Stalinit…! Krimet më monstruoze në Shqipëri, janë bërë në kohën kur kanë ardhur në fuqi komunistët! Jeta te ne është burg”. Gjykata e Rrethit Fier e drejtuar nga Sokrat Dautaj, me pjesëmarrjen e prokurorit Kiço Koçi, me vendimin nr.94, datë 18.4.1980, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie, si dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. I bindur në kotësinë e vendimeve komuniste, Urim Elezi nuk e ankimoi vendimin. Pasi i kishte dërguar një letër Enver Hoxhës, ku e cilësonte “përbindësh të pangjyrë, të sëmurë me mani persekutimi”, më 6.12.1981, u rrah nga policët e Burgut të Burrelit, deri sa u verbua. U lirua më 10.2.1989, nga Reparti nr.305 Përparim, i rrethit të Sarandës.

Kthimi në shtëpi

Mbërrijmë rreth orës 22.00 në rrugën hyrëse të fshatit. Vëllai dhe nipi më mbanin nga krahët. Ecim pak hapa dhe ndalova. Unë nuk ecja dot. Në një situatë të tillë, Festimi i thotë nipit të vejë të marrë gomarin e X, por unë nuk pranova ndaj më marrin në krah të dy. Ngjitemi tek e përpjeta “Plepat e Hashimit” e “Thana e Hakiut” i theshin qëmoti. Ishte shkurt, ftohtë shumë për vëllanë e nipin, sepse unë nuk arrija të ndjeja më të ftohtë. Atje tej, dukej një dritë makine -“Obobo”?! – thotë vëllai. Më marrin mua dhe më futin në ledh dhe kthehen të dy me kurriz nga ledhi që të mos na shohin kush jemi. Kalon makina. Ajo paskësh qenë makina e kryetarit të kooperativës Gëzim Iljazit, me shofer Sami Elezin. Kur kalon makina, nipi me vëllanë më marrin në krahë.

– “Kush është ky? – ju them, – ‘Gazi’ i Degës, prapë do më arrestojnë”?! –“Mos ki merak, se qe kryetari i kooperativës me shofer nipin tonë, djalin e Bales”. Arritëm në shtëpi. Takohem me vëllanë, Bilbilin, gruan e tij Sabiken dhe fëmijët e tij. I pyes për nënën, se kisha frikë a ishte gjallë apo jo se nuk e pashë aty. Në këtë moment vjen vëllai im i madh Avdyli. Më takon dhe më thotë që nëna është tek soba matanë, por unë duhet të kem kujdes kur ta takoj, se mos i pushojë zemra. Pas tij vjen Tatjana, vajza e vëllait tim tjetër, Myzaferit, e pas saj Drita, gruaja e vëllait tim Myqerremit. U mërzita shumë se mu fiksua që një gjë i kishte ndodhur nënës, se të gjithë erdhën dhe ajo jo. Fillova t’u bërtisja nga mërzitja e madhe. Atë çast vjen Feridoni, djali i vëllait tim Festimi.

Festimi i thotë vëllait tim Avdylit, që të shkojë të sjellë nënën, ç’ka për të bërë le të bëhet. Vete vëllai, Avdyli dhe sjell nënën. Sa hyn në derë nëna, ulërin me të madhe. I bie të fikët kur më pa në atë gjendje. Unë nuk shihja askënd, ndaj s’dija ç’të bëja. Më marrin vëllezërit më venë të ngrohem afër stufës, por unë nuk isha mësuar me zjarr dhe ca nëna, ca zjarri, fillova të alivanosem. Shkëlqimi, djali i vëllait tim Avdylit më pa dhe vjen më kap për krahu: – “xhaxhi, çfarë ke”?! Ja bëj me dorë për të dalë jashtë. Shkëlqimi e kuptoi sikur e kisha nga nëna dhe i thotë Donit, të vijë me vrap. Të dy më marrin dhe më nxjerrin në korridor. Unë ua bëj me dorë, që dua të dal më tej jashtë. Ata përsëri e kuptuan sikur unë nuk po e duroja dot më nënën në atë gjendje, jo që e kisha nga stofa, sepse qe mesnatë, dimër, shkurt. Sa më nxjerrin në oborr u mbusha me frymë dhe më erdhi fytyra.

Të dy nipërit po qanin, fillova të qaj dhe unë. Qëndruam pak minuta dhe u kërkoj të më fusin brenda, por të më lenë tek dera se përndryshe do vdisja, ngaqë nuk isha mësuar me zjarr. Më lenë tek dera. Nëna sa më shikon bërtet: – “Biri i nënës ç’të kanë bërë dushmanët kështu. Qofshin të mallkuar”! (qe hera e parë, që nëna mallkonte). Nënën e kishin vënë në krye të krevatit ku ajo flinte dhe unë në fund. Ajo qaj, unë qaj dhe të gjithë qanin bashkë me ne. Pasi kaloi mesnata, dëgjoj një zë gruaje nga jashtë: “O Shkëlqim, o Shkëlqim. Hëmo, akoma s’ka erdhur”?! – “Kush është kjo grua” -i them. Festimi i thotë: “thuaji të ikë, do vijë nesër thuaji”. – “Kush qe” – i pyes përsëri. – “Është Ladifeja. Ka një javë që rri këtu tek ne”. Një grua plakë, në gjithë atë dëborë më priste mua. Menjëherë i them nipërve të venë ta marrin dhe ta sjellin këtu.

U çudita dhe pyesja veten se ku e kishte gjetur Ladifeja atë dhembshuri për mua. U kujtova që Ladifeja kishte dy vëllezër në burg, Baton, për mos denoncim e, Irfan Elezin, për tentativë arratisje, i cili nga torturat e mëdha nxori dhe të vëllanë. Shtëpia e tyre është strehë për strehë me shtëpinë tonë. Sigurimi, fill dy ditë pasi u lirova, gjysëm kg. qumësht që i jepnin nënës si veterane, ia preu. Vëllai im Bilbili, e kërkoi që t’i kthehej 1/2 kg qumësht. Pushteti i asaj kohe i thotë vëllait, që i kthehej racionin nënës, vetëm nëse ndahej nga unë.

…Megjithëse vinin të ndrojtur për të më takuar, në mendjen time kanë ngelur këto kontrast-urime të cilat jo pa qëllim dua t’i ndaj me ju. Një ish-sekretar pushteti: “Shyqyr që dole shëndosh, u bë si u bë, tani t’ia shpërblesh partisë…”! Tejet i nervozuar i përgjigjem; “borxhet që keni ndaj meje dhe popullit shqiptar nuk shlyhen kurrë…”!

Dy kunetërit e vëllait tim, Festimit, Avni dhe Islam, nga Dvorani dhe Mukadezi, vjehrra e vëllait tim me kunatën e saj Hatixhen, më thanë: “gëzohemi që dole faqebardhë”.

Si vazhdoi filli i jetës sime…?

Nuk isha ai djalë i vitit 1963, 93 kg djalë, po një burrë që peshonte rreth 50 kg., pa sy dhe me këmbë që nuk punonin. Nëna çdo ditë më thoshte: “bir, ja ku janë letrat që më ke dërguar. Ja dhe këmisha dhe mbathjet e shkurta me koret e gjakut tënd kur u arrestove, që i kam mbajtur gjatë në gjoks”. Unë në atë moment nuk reagova. Ajo vazhdoi më tej: – “Merri numëroji këto lekët që kam ruajtur për ty”. Nëna për gjatë një javë të tërë më theshte: “Lexomë letrat që më ke shkruar, numëro lekët”. Unë e anashkaloja, i thoja që më vonë, jam i lodhur, nesër etj; ndërsa vëllezërit dhe nipërit, gjenin momentin dhe mundoheshin që të kisha sa më pak kontakt me të. Një ditë, i tregoj nipave të mi, Tikes dhe Shkëlqimit, sesi më verbuan. Në atë moment, për fat të keq, dera e dhomës nuk qe e mbyllur mirë.

Nëna rastis dhe hap derën për të hyrë në dhomë. Nipërit ngaqë ishin të përqendruar tek unë, nuk e dëgjuan fare derën. Nëna  dëgjon bisedën e ulërit: “Biri i nënës”! Këputet dhe bie në çimento. Mezi e përmendën. Që nga data 10 shkurt 1989 e, deri në 11 shkurt 1990, që ndërroi jetë, nëna ime ishte me një këmbë, sepse njërën e humbi kur u këput përdhe. Jetoi me mua një vit e një ditë plot, unë u lirova në 10 shkurt 1989, ajo ndërroi jetë në 11 shkurt 1990. Ishte aq e brengosur nga unë, saqë në momentin që ndërroi jetë, i le amanet vëllait tim Festimit, që të më gjente një grua të krishterë ose çobankë dhe të më martonte. (Kur më ka lindur mua, nënës i ka dalë në ëndërr, që gruan mos ma jepte nga feja ime). Kur Festimi i dha fjalën e u betua për djemtë e tij, nëna mbylli sytë…!

Pas vdekjes së nënës, mbeta fare i vetëm. Që kur u bënë të shtatat e nënës, shtëpia rruhej tmerrësisht nga Sigurimi Shtetit. Madje, edhe vëllezërit e mi i kërcënuan të mos shkelnin më tek unë, por Festimi dhe Bilbili përsëri më vinin, një herë në dy-tre muaj dhe me shumë frikë. Festimi ishte në fshatin Dvoran dhe më vinte natën me biçikletë, ndërsa vëllai tjetër Bilbili, që ishte në fshat, nuk mund të më vinte dot, se ishte i paralizuar, ama në mënyrë të fshehtë më dërgonte Sami Hasankollin dhe Nandi Elezin. Dhoma kur rrija unë, i vetëm në gjithë atë shtëpi të vjetër, ishte shumë e ftohtë. Xhamat e dritareve ishin të thyer nga era. Derën e shkatërruar të dhomës e hapte era. Të dy kanatat e derës së korridorit, në pjesën fundore të tyre ishin të kalbura dhe futej brenda jo vetëm era, por edhe kafshë të vogla.

Pislliku filloi të më mbulonte. Zurra morra dhe kisha një uri të paparë. Ftohtë acar. Dhe unë kisha vetëm një stof rrangallë të zezë sterrë, në të cilën i zija morrat që kisha dhe i shtypja aty. Kur i shtypja morrat në stof, ato kërcisnin. Dëgjoja vetëm një zë që thërriste emrin tim, dhe ky qe i ndjeri Sali Elezi. Unë nuk i përgjigjesha dot. Pas pesë ditëve, përsëri më vjen Sali Elezi, por kësaj here hyn brenda. Sa më shikon më thotë: – “Ç’ke o Urim, ti nga fytyra dukesh meit (i vdekur); çfarë ke, folë”?! – “Kam pesë ditë pa ujë e pa bukë dhe nuk më është futur njeri”. Iku me vrap në shtëpinë e tij dhe më sjell ushqim. Pas tij vjen Gazmor Servet Elezi. Kur më shikon Moni fytyrën që e kisha njolla-njolla të zeza nga morrat që i shtypja në stof, ulërit me të madhe!

Prej kësaj dite e morri vesh gjithë fshati gjendjen time. Farefisi deri në 5-6 breza, veçanërisht familjet: e Servetit-Tikos, me dy djemtë, Gazmor dhe Zenel Elezin (familjarisht janë njerëzit më të dashur në fshatin Floq, të cilët mundësuan jetën time, duke me sjellë ushqim, pasi pa ta do të kisha vdekur), Sali Elezi, atë e bir Sali dhe Bardhi Elezi, etj. Atë e bij Fatli dhe Muhamet e Gone Elezi, Sami Hasankolli, si dhe kushërinjtë e mi të shtrenjtë, Berti dhe Drita Hasankolli, që më kanë respektuar dhe qëndruar shumë pranë. Ferdinand Elezi, Ylli Shahinlli dhe kushërinjtë e mi, katër vëllezërit; Selami-Xhevat-Sefer dhe Qemal Hasankolli, Shëndet Sadik Hasankolli, Xhevdet Hasan Ramolli, Selami Refat Ramolli e shumë të tjerë, jo vetëm më lanin, jepnin ushqim dhe rroba, por dhe në shtëpitë e tyre më kanë strehuar shpeshherë.

Derë më derë jam endur që në 15-16 shkurt 1990 e, deri 27 dhjetor 1991. (Kur mora autorizimin dhe pas dy vjetëve jemi futur në shtëpi, me ndërhyrjen e të paharruarit Pjetër Arbnorit (i pari kryetar i Parlamentit Pluralist Shqiptar). Hyra në Pallatin Nr. 6, Rruga “Floresha Myteveli”, Korçë. Por, para se të hyja në pallat, ishim 22 familje të persekutuara dhe banesave tona sistemi famëkeq, u kishte dhënë nga dy-tre autorizime, me qëllim që ne të mos i merrnim banesat tona, por në vendin tone të hynte ish-Dega Brendshme me ata të Sigurimit të Shtetit.

Banesa ime ishte si mos më keq, me dritare prej plastmasi dhe pa kushtet minimale. Përsëri edhe kur erdha në Korçë, duke qenë se po të kthehesha në fshat nuk merrja hyrje, ish -bashkëvuajtësit e mi të dhembshur e fisnikë, më mbajtën nëpër shtëpitë e tyre, me familjet e tyre. S’mund ti përmend të gjithë se janë shumë, por nuk të rri pa përmendur në veçanti: Edmond Merdanin, në familjen e të cilit gjeta një ngrohtësi shumë të madhe familjare; e veçoj këtë nga familjet e të tjera të Merdanëve që kam ndenjur, sepse Mondi më ka shoqëruar sa herë i kam thënë në fshat. Kur më thanë që do më çonin në Greqi, për të bërë një operacion për frakturat në kokë dhe sytë, i them Mondit të shkojë në Floq tek vëlla Bilbili: “të të tregojë varret e prindërve dhe më merr një doçkë dhe nga varri i prindërve, sepse operacioni është shumë i rëndë”.

Megjithëse atëherë nuk kishte makina, Mondi shkoi me biçikletë dhe ma solli dheun e varreve të prindërve; Engjëll Fidani, vëllai im i cili familjarisht me gruan e tij Bekimen, të bekuarën dhe me dy djemtë e tij, Renaton e Benin, jo vetëm që kryeja gjithë nevojat e jetës aty, po vetë asnjëherë nuk më lanë: më merrnin kudo që vinin dhe më shoqëronin kudo që doja unë, sidomos Renatoja, i cili veç kësaj më argëtonte shumë me natyrën e tij të qeshur dhe të dhembshur. Pajtim Reshat Lalaj gjithashtu është njeri i rrallë, mik dashamirës, tepër i interesuar në zgjidhjen e problemeve. Më ka shoqëruar dhe ndihmuar në momentet më të rëndësishme të jetës, jo vetëm kur isha vetë, por edhe në bashkimin tim me Vjollcën, si dhe në rimëkëmbjen e ekonomisë sime familjare.

Do të quhesha mosmirënjohës nëse nuk do të shprehesha për kushërirën time, Nurian (bashkëshortja e Ali Pelivanit), të cilën nëna ime e ka dashur më shumë nga të gjitha kushërirat e mia. Ajo më ka zëvendësuar nënën time, ndaj si e tillë mbetet për mua në këtë botë dhe botën tjetër, nëna ime e dytë, pasi nuk më është ndarë kurrë as kur isha tepër i mjeruar. Me pak fjalë, Nuriani është përkujdesur për mua, njësoj si për fëmijët e saj. Ajo bashkë me bashkëshortin Ali Pelivani, djemtë dhe vajzat e saj, ka bërë përpjekje të njëpasnjëshme, që unë të krijoja një familje të shëndoshë. Andaj, ajo sot është e rehatuar teksa më shikon me shumë dashuri me Vjollcën, vajzat Urjolsën dhe Jonën, dhëndurët e mi, mbesën Tamara dhe nipin Dasar.

Nuk mund të le pa përmendur familjen e Majlindës, babanë e saj Avzi Fezolli, nga fshati Pilur-Devoll, motrat dhe vëllezërit e saj ndër të cilët do të dalloja Valin, si dhe tre dajot e saj;  Njazi, Hamdi dhe Gëzim Bylykbashi. Këta më kishin si djalin e tyre dhe gjithmonë përpiqeshin për të më bashkuar me një njeri të mirë, i cili duhej t’i përshtatej natyrës dhe karakterit tim. Kur ata më tregonin se kishin ndonjë rast njohjeje, më vishnin me rrobat më të mira, pasi isha “i keqosur” nga burgu dhe në moshë të thyer. Nuk më ka “hequr nga sytë” as bashkëshorti i Majlindës, Sami Hasankolli, kushëriri dhe bashkëfshatari im, i cili më ka trajtuar si pjesëtar të pandarë të familjes së tij, gjë të cilën e them me plot gojë edhe sot.

Në pallatin ku jetoj dhe aktualisht me familjen time të lumtur, nuk mund të rri pa falënderuar me një mirënjohje të thellë, të gjithë pallatin, por në veçanti, duke ju kërkuar falje të tjerëve: Familjen e Pëllumb Tuxharit, çdo anëtar të kësaj familje, që nuk festonin Vit të Ri pa mua dhe Pëllumbi dihet nga të gjithë, bashkë me të atin, të paharruarin Skënder dhe nënën e tij Hyqmetin. Pëllumbi më është bërë vëlla i denjë dhe dy prindërit e tij, prindër të denjë e të dhembshur.

Familjet e pallatit nuk i veçoj dot, por po filloj mirënjohjet në  bazë të distancës të hyrjes së banesës time: Ilir Muhamerr Berberi, veçoj të atin dhe të ëmën e tij. Edhe pse ishte rreth 1 km. larg nga unë me banim, 9 muaj e pak kur pallati nuk kishte ujë se e preu Dega, i paharruari Muhamerr më furnizonte me ujë që e sillte me krahë, si për djalin e tij ashtu dhe mua; ndërsa nëna e tij Myneverri, meqë unë nuk vija të ngrohesha në shtëpinë e tyre, dërgonte Ilirin të më merrte dhe më sillte shpeshherë edhe vetë, plot ushqime të gatuara).

Selim Misliu; dy vëllezërit Allisha Koçiu dhe Muhameti; Fillareti Vreto, gruaja e Marko Vretos, e cila më është ndodhur në çdo moment kur kam qenë vetë, si nënë dhe si motër; dy familjet, Jakup Bako dhe Petrit Bako; Hyqmet Barrolli etj…! Në 26 dhjetor, ditën e djelë ora 10, Zoti më shpërbleu me Vjollca Dhori Nedo. Kisha dëgjuar për Vjollcën nga bisedat me të tjerët që ishte tepër humane. Vjollca punonte në Gjykatë. Bisedoj me vëllanë tim Festimin dhe vajzën e tij Irenën, që të më shoqëronin të takonim Vjollcën në zyrën e saj. E lemë një ditë dhe vëllai vjen me vajzën e tij. Unë isha i veshur si mos më keq, ndaj mbesa kishte sjellë rroba. Unë i thashë Irenkës:  -“Hadje  ikim bijë e xhaxhit”!

– “Jo, xhaxhi si do të të çoj unë me këto rroba”?! – më tha duke qarë. – “Moj, ajo po të jetë vërtet humane siç e tregojnë, do i vijë keq për mua”. – “Epo, çoje Irena” – i thotë  vëllai. Mbërrijmë tek zyra e Vjollcës. – “Hajde baba”, – më thotë  ajo. “Obobo! – them  me vete, më thotë baba kjo”! – “Ulu këtu, do të të ndihmojë Vjollca baba. Kam dhe këtë shoqen time avokate Valin, që të të ndihmojmë” (Vali Kondili, na ka ndihmuar tepër në bashkëjetesën tonë familjare, ekonomikisht dhe shpirtërisht). – “Kam një hall që ma zgjidh vetëm ti dhe Perëndia” – i them unë…! Me këto fjalë, u krijua familja ime. Në datën 1 tetor 1994. Zoti më bekoi me trashëgimtarin tim të parë, Ursjolën, më 4 mars 1996. Zoti më bekoi përsëri me trashëgimtarin tim të dytë, Jonën.

Në këtë linjë dashamirëse nuk mund të le pa përmendur edhe vëllezërit e mi kosovarë…! Me gjithë respektin që kam për të gjithë vëllezërit kosovarë, për të cilët do të duhej një libër i tërë për të folur, do të doja të veçoja Isak Gojnovski dhe familjen e tij, pasi nuk i shkëputën lidhjet me familjen time edhe pas kohës që qëndruan në Shqipëri. Që nga prilli i vitit 1999 e, deri më sot, Isaku me Gjylen së bashku me fëmijët, nipërit e mbesat e tyre, vijnë shpesh për të na vizituar, plus telefonatave të panumërta.

Isaku është ndryshe nga të tjerët, pasi karakterizohet nga patriotizmi, atdhedashuria dhe është njëri intelektual. Kujtoj një moment me të: pasi u njohëm mirë me njëri-tjetrin, Isaku më kërkoi ta prezantoja me partitë e djathta në vendin tonë ndaj unë e çova në Partia Demokratike Korçë, ku asokohe qe kryetar z. Alfred Olli. Biseduam gjatë me kryetarin dhe sapo u larguam prej andej, Isaku më shprehu kënaqësinë me fjalë tepër pozitive, duke më kërkuar përsëri të vazhdonim takimet tona me familje patriotike të qytetit./ Memorie.al

Video

Një mjek në Indi është pezulluar nga detyra pasi u filmua duke ushtruar dhunë fizike ndaj një pacienti të shtruar në spital. Incidenti ndodhi në Kolegjin Mjekësor Indira Gandhi në Shimla, ku mjeku Raghav Narula goditi pacientin gjatë një debati verbal, pasi ky i fundit kërkoi të trajtohej me respekt. Pamjet e dhunës u bënë publike dhe çuan në reagime të forta nga familjarët dhe qytetarët, të cilët kërkuan arrestimin e mjekut. Autoritetet spitalore konfirmuan pezullimin e tij dhe nisjen e një hetimi.

Në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër u kremtua Mesha e Shenjtë me rastin e Krishtlindjes, e cila u celebrua nga Arqipeshkvi i Dioqezit Shkodër-Pult, imzot Giovanni Peragine. Gjatë predikimit, imzot Peragine theksoi rëndësinë e ndriçimit të brendshëm shpirtëror: “Ne i kemi zbukuruar shtëpitë dhe rrugët me drita, por ato ndriçojnë vetëm jashtë. Duhet të ndezim dritën brenda nesh, dhe ajo drite vjen përmes Krishtit të lindur.” Ngjarja u zhvillua në një atmosferë solemne dhe festive, ku besimtarë të shumtë morën pjesë për të festuar lindjen e Krishtit.

Këto janë momentet e zhytjes për bamirësi në Belfast Lough, ku qindra persona përqafuan traditën me qëllim bamirësinë

Një banesë është përfshirë nga flakët në zonën e Plazhit të Vjetër. Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë forcat zjarrfikëse për shuarjen e zjarrit. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme