
Janë publikuar pamje të reja të autorit të dyshuar për vrasjen e 44-vjeçarit Artan Myrtaj, ngjarje e ndodhur më 20 shtator në Sarandë.
Në pamjet e bëra publike, një prej personave të dyshuar shfaqet me skafandër në kokë, i veshur me xhup të gjelbër dhe pantallona të zeza, ndërsa mban dy armë zjarri në duar.
Nga pamjet rezulton se në atentat dyshohet se kanë marrë pjesë dy persona. Njëri prej tyre shfaqet pranë vendit ku ndodhej viktima, ndërsa personi tjetër dyshohet se e priste me motor për t’u larguar pas krimit.
Artan Myrtaj u qëllua me armë zjarri në qendër të Sarandës, ndërsa nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një kalimtar 73-vjeçar. Autorët u larguan nga vendngjarja me motor, ndërsa policia ngriti pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës.
Hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të motivit të vrasjes, vijojnë.






















