
Një plagosje me armë zjarri është regjistruar këtë të premte në Tiranë, në afërsi të zonës së Zogut të Zi.
Sipas informacioneve paraprake, një shtetas nga Kosova është qëlluar me armë zjarri në këmbë. I plagosuri është transportuar menjëherë në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Në kuadër të hetimeve po mblidhen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, për të rindërtuar lëvizjet e personave të përfshirë.
Sipas të dhënave të deritanishme, i plagosuri nuk ka pranuar të bashkëpunojë me grupin hetimor dhe nuk ka dhënë informacion mbi rrethanat e ngjarjes apo autorin e dyshuar.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin dhe dinamikën e plotë të plagosjes.






















