Rajoni 2026-05-03 08:03:49 Nga VNA

DASH: Bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës

Ndaje në Whatsapp
DASH: Bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërsa shprehin shqetësim për vazhdimin e bllokadës politike në vend.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se “bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës”.

“Ne po i ndjekim nga afër zhvillimet. Do të donim t’i shihnim të gjitha grupet politike të bashkëpunojnë për interesat më të mira të popullit të Kosovës”, tha zëdhënësi.

Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor.

Ato u shpallën pasi Kuvendi u shpërnda automatikisht këtë javë, për shkak të dështimit për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e akuzoi opozitën për bojkotim të qëllimshëm të seancave, ndërsa partitë opozitare e fajësuan pushtetin për mungesë bashkëpunimi dhe për tentim të përqendrimit të pushtetit në një dorë të vetme.

Legjislatura e dhjetë, e dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, zgjati më pak se tre muaj.

Ato zgjedhje u mbajtën pas një krize të zgjatur politike që nisi pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025, kur Kuvendi nuk arriti të konstituohej për muaj të tërë dhe përpjekjet për formimin e Qeverisë përfunduan pa sukses.

Analistët paralajmërojnë se Kosova rrezikon të përballet me një skenar të ngjashëm me atë të Bullgarisë, e cila në pesë vjetët e fundit ka kaluar nëpër shtatë cikle zgjedhjesh të njëpasnjëshme, pa arritur stabilitet institucional.

Ata shtojnë se kriza ndikon edhe në ritmin e vendimmarrjes shtetërore dhe sjell barrë të konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit.

Më 2 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka nisur afati për partitë politike për t’u deklaruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, si dhe për formimin e koalicioneve, i cili do të zgjasë deri më 7 maj.

Sipas planit të aktiviteteve të miratuar nga KQZ-ja, më 2 maj ka nisur edhe afati për certifikimin e partive të reja dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë. Afati për partitë e reja përfundon më 10 maj, ndërsa për listat e kandidatëve më 12 maj.

Një ditë më parë, KQZ-ja miratoi edhe planin e aktiviteteve dhe buxhetin për zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të kushtojnë 10 milionë e 887 mijë euro.

Fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë, nga 28 maji deri më 7 qershor në orën 07:00, kur hapen vendvotimet.

Votimi me postë do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor, ndërsa një ditë para zgjedhjeve do të organizohet votimi në përfaqësitë diplomatike.

Regjistrimi për votim nga jashtë vendit do të bëhet nga 6 deri më 17 maj.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, mbi 2 milionë qytetarë të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, kishin të drejtë vote – një shifër që pritet të mbetet e ngjashme edhe në zgjedhjet e ardhshme. Pjesëmarrja ishte rreth 45 për qind./REL

Video

Spanja po përballet me një valë zjarresh të mëdha, disa prej të cilave kanë dalë jashtë kontrollit pranë Madridit, duke detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e emergjencës dhe të urdhërojnë evakuimin e mbi 60 mijë personave. Flakët kanë përfshirë edhe zonën ku ndodhet Kompleksi i Komunikimeve në Hapësirën e Thellë i NASA-s në Robledo de Chavela, një nga tre observatorët kryesorë që përdoren për komunikimin me misionet hapësinore, përfshirë Voyager 1, James Webb dhe programin Artemis. Personeli është evakuuar në kohë, ndërsa ende nuk dihet nëse pajisjet kanë pësuar dëmtime.

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një objekt industrial në Essex të Mbretërisë së Bashkuar, pasi një sasi plehu kimik shpërtheu brenda një prej godinave. Flakët u shoqëruan me shtëllunga të dendura tymi që mbuluan qiellin mbi zonë. Rreth 100 zjarrfikës u angazhuan në operacionin për shuarjen e zjarrit, duke arritur ta vënë situatën nën kontroll dhe të parandalojnë përhapjen e flakëve drejt banesave përreth.

Të paktën 30 persona, mes të cilëve edhe fëmijë, mbetën të plagosur nga një aksident me autobus në Stamboll. Mjeti doli nga rruga për shkak të lagështisë, u përplas me një makinë dhe më pas goditi një shtyllë sinjalistike. Ekipet e emergjencës iu erdhën menjëherë në ndihmë të dëmtuarve duke i transportuar në spital. Ndërkohë, autoritetet turke kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa deri tani nuk raportohet për viktima.

Autoritetet ruse kanë bërë të ditur se kanë rrëzuar një dron kamikaz ukrainas të tipit FP-2, i cili, sipas tyre, kishte në shënjestër Wildberries, platformën më të madhe të tregtisë elektronike në Rusi. Sipas njoftimit, droni u neutralizua përpara se të godiste objektivin.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news