Politika 2026-04-05 19:17:00 Nga VNA

Nga kritiku i PD-së te viktima e së njëjtës metodë: Braçe kërkon Bashkinë e Tiranës, por Rama e “vetëpërjashton” nga mbledhja e Njësisë 5

Ndaje në Whatsapp
Nga kritiku i PD-së te viktima e së njëjtës metodë:

Në politikën shqiptare ekziston një moment i veçantë kur ambicia përplaset me realitetin. Në atë pikë, disa zgjedhin të heshtin, disa të negociojnë, ndërsa disa të tjerë zgjedhin Facebook-un. Erion Braçe duket se ka zgjedhur këtë të fundit.

Prej disa ditësh deputeti socialist po e trajton gjithnjë e më seriozisht idenë e kandidimit për Bashkinë e Tiranës. Problemi është se, përpara se të bindë partinë apo strukturat, ai ka nisur të ankohet publikisht se po lihet jashtë loje nga vetë njerëzit e tij.

Në një status në Facebook, Braçe falënderoi qytetarët për mbështetjen, por njëkohësisht shprehu pakënaqësinë për faktin që kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në Njësinë 5 pa praninë e tij, ndonëse ai është deputeti i kësaj zone.

“Unë nuk arrij ta kuptoj këtë që një udhëheqës shkon bën mbledhje në njësinë 5 pa deputetin. Një udhëheqës krijon një grup me të cilin komunikon e me një arsye, deputeti të mos dijë. Nuk ka gjë që ndodh në njësinë 5 dhe mos ta di unë. Dhe kjo është një gjë joproduktive”, dëgjohet të thotë në një video në Facebook zoti Braçe.

Por problemi në këtë histori nuk është vetëm ankesa e Braçes. Është edhe mënyra sesi reagimi i tij e vendos drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama në qendër të kësaj situate. Sepse në fund të fundit, mbledhja në Njësinë 5 nuk u organizua nga një strukturë anonime, por nga vetë Rama.

Pra, ndërsa Braçe po përpiqet të projektojë veten si kandidat për Bashkinë e Tiranës, kryeministri zhvillon një takim politik pikërisht në zonën e tij elektorale pa praninë e tij. Në politikë, këto gjëra zakonisht nuk ndodhin rastësisht.

Ironia është se kjo skenë tingëllon shumë familjare për politikën shqiptare. Për vite me radhë, socialistët kanë kritikuar mënyrën sesi në Partinë Demokratike figura që sfidonin liderin margjinalizoheshin nga Sali Berisha. Kandidatë të shpallur e të pa-shpallur janë gjetur shpesh jashtë loje përpara se gara të fillojë.

Sot, paradoksi është se Braçe duket se po përjeton diçka shumë të ngjashme brenda partisë së vet. Vetëm se këtë herë metoda është më elegante: nuk ka përjashtim zyrtar, nuk ka deklaratë politike. Mjafton që kryeministri të bëjë mbledhjen në zonën tënde dhe ti ta kuptosh vetë mesazhin.

Në këtë kuptim, Rama nuk ka nevojë të shpallë asnjë vendim për kandidaturat. Politika shqiptare ka shpikur një teknikë më të sofistikuar: kandidati e kupton vetë kur nuk është pjesë e planit.

Braçe duket se ka bërë një llogari politike të thjeshtë: nëse e paraqet veten si zërin kritik brenda shumicës, ai mund të fitojë simpatinë e publikut. Por problemi është se kjo strategji ka një kufi të dukshëm. Në politikë nuk mjafton të ankohesh se nuk të ftojnë në mbledhje; duhet edhe të kesh njerëzit që të presin kur të hysh.

Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi i situatës: tentativa për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës po shoqërohet me një ankesë se në Njësinë 5, zonën ku ai është zgjedhur deputet, takimet zhvillohen pa të.

Nëse kjo është prova e parë e forcës së tij politike në terren, atëherë gara për Bashkinë e Tiranës rrezikon të nisë me një problem themelor: kandidati që kërkon qytetin, ende po kërkon derën e mbledhjes në lagjen e vet.

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news