Opinion 2026-05-02 20:13:00 Nga VNA

Po sikur të provojmë të mos besojmë gënjeshtrat?

Ndaje në Whatsapp
Po sikur të provojmë të mos besojmë gënjeshtrat?

Nga Bjorn Runa


Është krijuar një imunitet ndaj gënjeshtarëve publikë në politikë, i cili i ngjan imunitetit që fiton organizmi ndaj antibiotikëve. Njerëzit dëgjojnë gënjeshtrat e politikës dhe i marrin lehtë, madje ndonjëherë edhe me të qeshur.

Mjafton të çosh kanalin e TV në çfarëdo momenti të ditës aty ku lideri i opozitës, Sali Berisha, është duke folur dhe do të mendosh se po dëgjon martirin më të madh politik që ky vend ka prodhuar ndonjëherë, e jo dikë i cili ka udhëhequr vendin për periudha të konsiderueshme kohe, influenca e të cilit në politikë ka qenë mjaft e madhe edhe kur është gjendur në opozitë. Mund të mendosh gjithashtu se partia që ai drejton gjendet nën një kërcënim ekzistencial të jashtëm, sepse është tepër demokratike… Kjo, e thënë nga një lider i cili, në një shkëmbim të fundit në rrjetet sociale, deklaroi se partia e tij është më demokratikja në vend, në të njëjtën kohë kur ka skualifikuar çdo kandidat që guxoi të shprehte dëshirën për të garuar përballë tij. Madje, edhe ata që me gjasë i kishte zgjedhur vetë për t’i mposhtur.

Nga ana tjetër, shumica në pushtet ofron anën tjetër të të njëjtit imazh. Nëse dëgjon mjaftueshëm ato që thonë, do të bindesh se Shqipëria është në rrugë e sipër për t’u kthyer në një lloj Zvicre ballkanike, një vend ku gjithçka shkon ashtu siç duhet dhe ku ata që qeverisin nuk janë më shumë se sa kujdestarë të vëmendshëm të një shteti ndërkaq të suksesshëm.

Përballë tyre, opinioni publik tregohet bujar në interpretimin e gjithë kësaj: është në natyrën e politikanëve të thonë gjëra që ndoshta as vetë nuk i besojnë. Është e gjitha pjesë e nevojës për të thënë atë që njerëzit duan të dëgjojnë. Por, po sikur të mos jetë kështu? Po sikur ata t’i besojnë vërtet ato që thonë, sado të pabesueshme qofshin?

Përgjatë tri dekadave, dy partitë kryesore të vendit kanë ngritur një rreth të brendshëm, të përbërë thuajse ekskluzivisht nga njerëz që nuk kundërshtojnë. Arsyet për këtë janë të shumta dhe strukturore. Një funksionar partie, karriera politike e të cilit është ndërtuar mbi investimin direkt të liderit dhe që i është vendosur emri në fletën e votimit si rezultat i përkrahjes apo simpatisë së tij, e ka natyrisht të pamundur të kultivojë brenda vetes ndjesinë e kundërshtimit. Nëse do të fliste, do të rrezikonte gjithçka. Por edhe ata që mund të kenë vetëbesimin e nevojshëm për të kritikuar – figura madhore me qëndrime të pavarura – kuptojnë shpejt se postet e rehatshme që mbajnë janë, në fakt, tepër komode për t’u rrezikuar. Çfarë mund t’i shtyjë të bëjnë rezistencë brenda një sistemi që i trajton mirë? Përveç kulturës së heshtjes, e gjithë kjo krijon një cikël feedback-u ku perceptimet e liderit mbeten dhe nuk i sfidon askush, gjersa kthehen realisht në bindje.

Do të qe ndoshta shumë herë më mirë që politikanët tanë, si në qeveri edhe në opozitë, të ishin thjesht gënjeshtarë. Një politikan që gënjen mund të ballafaqohet me faktet, ndërsa një që e beson me gjithë mend fabulën që ka ngritur vetë, do të bëjë rezistencë. I vetmi realitet që ekziston për këtë të fundit është cikli i mbyllur që ka ngritur vetë dhe çdo provë a kritikë shihet si sulm.

Është një cikël të cilin, një opozitë konfrontuese e vetme, nuk e thyen dot, pasi gjuha agresive dhe maksimaliste e bën më të lehtë që kritika të shpërfillet dhe etiketohet si performative. Ajo që mund të funksionojë është trysnia politike përmes mekanizmave konkrete… Debate parlamentare që citojnë mospërputhje specifike mes deklaratave publike dhe realitetit, ristrukturimi i mjedisit mediatik në mënyrë që gazetaria investigative të mos jetë çështje gjobash apo proces financiarisht i padëshirueshëm. Njëkohësisht, nevojitet ndërtimi i llogaridhënies që nis nga niveli më i fundmë, ai bashkiak dhe administrativ, ku zyrtarët jetojnë shumë pranë pasojave të mundshme të veprimeve të tyre.

Tani, asgjë nga këto nuk ndryshohet dot shpejt, por qëllimi nuk është që politikanët të flasin ndryshe. Ajo që nevojitet në të vërtetë është rikonstruktimi i të gjithë mjedisit informues rreth tyre, derisa distanca mes asaj që ata besojnë dhe asaj që ndodh në jetën reale të bëhet e papërballueshme për ta.

Duhet së paku të provojmë të mos besojmë. Aty fillon beteja e vërtetë me sëmundjen tonë. Ndryshe, imuniteti që kemi fituar ndaj gënjeshtarëve publikë mund të na vrasë, siç vret jetën e një njeriu virusi që ka fituar imunitet ndaj antibiotikëve.

Video

Një avion ngarkese Boeing 777-300ER i kompanisë Kalitta Air ka prekur pistën me pjesën e pasme gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar Cincinnati/Kentucky Verior. Pas këtij incidenti, mjeti ajror arriti të ngrihej sërish për të bërë një xhiro dhe u ul i sigurt pak më vonë. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka nisur menjëherë një hetim zyrtar për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarjeje. Klikoni artikullin për të mësuar më shumë detaje rreth manovrës së pilotëve dhe gjendjes së avionit.

Një stuhi e fuqishme me shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta ka goditur sot Shkupin, duke shkaktuar kaos dhe dëme të mëdha materiale. Erërat e forta kanë rrëzuar pemë mbi automjete të parkuara në qendër të qytetit, si dhe kanë dëmtuar çati e semaforë. Ndërkoh shumë rrugë kryesore kanë mbetur të bllokuara.

Nis protesta e 52 e qytetarëve. Protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë.

Sepse në Londër shteti nuk të pret ta mbarosh ndërtimin pa leje dhe pastaj ta shemb.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news