Opinion 2026-04-29 19:06:00 Nga VNA

Pse opozita po e humbet reformën territoriale në tavolina “qokash”

Ndaje në Whatsapp
Pse opozita po e humbet reformën territoriale në tavolina

Reforma territoriale nuk është thjesht një lojë me lapsa me ngjyra mbi hartë, por është llogaria e ftohtë se kush do t’i pastrojë mbeturinat, kush do t’i ndriçojë rrugët dhe kush do t’i ndërtojë shkollat në lagjen tënde.

Për shumicën e shqiptarëve, fakti që Shqipëria u nda në 61 bashki në vitin 2014 nuk ishte thjesht çështje kufijsh, por premtim për një jetë më të lehtë. Sot, kur vendi po diskuton sërish ndryshimin e kësaj harte, qytetari i thjeshtë pret të dëgjojë zgjidhje për ujin dhe rrugët, por ajo që po sheh nga ana e opozitës është një improvizim që të lë shije të hidhur.

Opozita po gabon rëndë sepse po hyn në këtë betejë jetike pa një dokument teknik në dorë, duke u mjaftuar vetëm me deklarata televizive që i merr era. Në vend që Partia Demokratike të paraqitej në Komisionin e Reformës me një “Libër të Bardhë” – ku të shpjegohej me shifra konkrete kostoja e çdo njësie të re dhe burimi i saktë i financimit – ajo po sillet si një ekip që pretendon të fitojë ndeshjen pa zbritur fare në fushë. Kur hidhen në qarkullim ide për rikthimin e komunave apo shtimin e numrit të bashkive pa një analizë kosto-përfitim, pyetja e parë që bën çdo shqiptar me këmbë në tokë është: “Kush do t’i paguajë rrogat e kësaj ushtrie të re zyrtarësh?”.

Pa një plan të qartë për decentralizimin fiskal — që në thelb do të thotë t’i japësh bashkisë mjetet për të gjeneruar të ardhura vetë dhe jo të presë lëmoshë nga korridoret e Tiranës — propozimi i opozitës zhvishet nga serioziteti. Ai mbetet thjesht një dëshirë e bukur elektorale, por tërësisht e parealizueshme në rrafshin profesional dhe financiar.

Dështimi më i madh profesional i opozitës fshihet te fakti që karriget e ekspertëve po mbushen për “qoka” politike dhe jo me njerëz që dinë të ndërtojnë shtet. Është e dhimbshme të shohësh që një reformë që prek bukën e qytetarëve, trajtohet si listë qokash për të rehatuar besnikët e radhës nëpër grupe pune. Kur dëgjon se emra si Luci, Xhodi apo “xholat” e radhës janë ata që do të vizatojnë të ardhmen e shërbimeve vendore, kupton se opozita nuk po kërkon të rregullojë Shqipërinë, por të sistemojë njerëzit e vet. Në ato tavolina nuk duhet të ulen njerëz që dinë vetëm të mbajnë mikrofonin e partisë, por duhen ekonomistë, urbanistë që njohin territorin dhe juristë që kuptojnë se si funksionon qeverisja moderne. Kjo mungesë e tmerrshme profesionalizmi e bën opozitën të duket e dobët përballë një mazhorance që e ka kapur procesin me kohë.

Një bashki e re pa buxhet është thjesht një ndërtesë ku zyrtarët pinë kafe, dhe këtu propozimi i opozitës rrëzohet sapo përballet me realitetin e financave. Sot, shumica e bashkive tona ekzistojnë vetëm sepse marrin para nga qeveria në Tiranë, pasi nuk arkëtojnë dot as taksat e tyre. Nëse shtohet numri i bashkive pa rritur fuqinë e tyre për të bërë investime, e vetmja gjë që do të arrihet është shtimi i numrit të rojeve, shoferëve dhe sekretareve nëpër zyra, ndërsa qytetari në periferi do të vazhdojë të presë rrugën që nuk vjen kurrë. Dokumentet ndërkombëtare e thonë qartë: nuk duhen thjesht zyra, duhen kapacitete administrative dhe standarde shërbimi.

Në fund të ditës, kostoja e kësaj papërgjegjshmërie bie mbi qytetarët, të cilët mbeten pa një alternativë serioze që t’i mbrojë nga centralizimi i pushtetit. Kur opozita nuk paraqet një skuadër që ngjall besim, ajo nuk dëmton vetëm veten, por i lë dorë të lirë qeverisë të bëjë çfarë të dojë me hartën e Shqipërisë.

Reforma territoriale nuk fitohet me mllef, por me mend. Nëse PD nuk e kupton që koha e “xholave” dhe e njerëzve që vijnë në punë për qoka ka mbaruar, ajo do të vazhdojë të mbetet një spektatore e trishtë inekzistente në një proces ku duhej të ishte arkitekte. Shqiptarët nuk kanë nevojë për zyra të reja për të sistemuar militantët, por për një shtet që funksionon.

Video

Një avion ngarkese Boeing 777-300ER i kompanisë Kalitta Air ka prekur pistën me pjesën e pasme gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar Cincinnati/Kentucky Verior. Pas këtij incidenti, mjeti ajror arriti të ngrihej sërish për të bërë një xhiro dhe u ul i sigurt pak më vonë. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka nisur menjëherë një hetim zyrtar për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarjeje. Klikoni artikullin për të mësuar më shumë detaje rreth manovrës së pilotëve dhe gjendjes së avionit.

Një stuhi e fuqishme me shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta ka goditur sot Shkupin, duke shkaktuar kaos dhe dëme të mëdha materiale. Erërat e forta kanë rrëzuar pemë mbi automjete të parkuara në qendër të qytetit, si dhe kanë dëmtuar çati e semaforë. Ndërkoh shumë rrugë kryesore kanë mbetur të bllokuara.

Nis protesta e 52 e qytetarëve. Protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë.

Sepse në Londër shteti nuk të pret ta mbarosh ndërtimin pa leje dhe pastaj ta shemb.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news