Ndërtekst 2025-08-23 09:31:00 Nga VNA

S’ke pse tkurresh që të tjerët të ndihen rehat

Ndaje në Whatsapp
S’ke pse tkurresh që të tjerët të ndihen rehat

Çfarë ndodh me identitetin kur kupton se ndodhesh brenda një konteksti të huaj, pa rrjete mbështetëse, pa gjuhë, dashuri, pika orientimi apo të ardhme të qartë, e megjithatë, duhet të mbijetosh?

Që kur përfundova librin “Unë që s’kam njohur kurrë burra” (I Who Have Never Known Men) nga Jacqueline Harpman, leximi i tij nuk më la rehat për një kohë të gjatë. Një rrëfim distopik, i treguar përmes syve të një vajze të re pa emër, rritur në një bunker bashkë me tridhjetë e nëntë gra më të mëdha në moshë. Askush nuk e di pse ndodhen aty. Askush nuk mban mend fillimin. Askush nuk shpjegon asgjë.

Ky është pra dhe një nga aspektet më tronditëse të romanit: refuzimi për të shpjeguar sistemin, që ekziston thjesht sepse ekziston.

Dhe ajo heshtje brenda së cilës jetojnë ato gra? Atë heshtje e njihja.

Si dikush që ka manovruar brenda disa sistemeve organizative, kulturore, shoqërore dhe ndërpersonale ku të qenit ndryshe përballej me dyshim në heshtje, ku prania ime shihej si thyerje e ndonjë skenari që nuk e kisha lexuar ndonjëherë, ky libër më preku thellë.

Më kujtoi dhunën e ngadalshme të atyre mjediseve që zhbëjnë kontekstin, e megjithatë kërkojnë konformitet dhe përsëri ta bëjnë me dije se je “e përjashtuar”. Ku heshtja nuk është paqe, por ndëshkim. Ku pyetja “pse” të shndërron problem, e jo njeri.

Në romanin e Harpmanit nuk ka antagonistë. Ka vetëm një gumëzhitje të pandërprerë të paqartësisë. Sistemi dëmton përmes mënyrës si është ndërtuar, përmes lënies jashtë, përmes fshehjes së fakteve dhe mbi të gjitha, përmes shpërfilljes. Kjo më kujtoi se si funksionojnë disa ekipe apo organizata toksike: përmes armiqësisë së fshehur dhe dëbimit të heshtur. Përdorin orkestrime për të të bërë të ndihesh se nuk je pjesë e tyre. Instinktet e tua paraqiten si ekzagjerime. Tolerohesh me buzëqeshje ironike, por nuk mirëpritesh. E ndjen këtë në shikimet vjedhurazi, në takimet pas takimeve, në projektet që papritmas shuhen dhe në daljes shoqërore pjesë e të cilave ti nuk je kurrë.

Këtë fytyrë ka shpesh mobingu (lexo: sulme të turmës kundër një individi të shënjestruar) në vendin e punës: nuk ka tërbim, por zbythje. Nuk ka ndëshkim haptazi, por këputje e lidhjeve. Është grupi ai që vendos, në heshtje, se ekzistenca jote nuk u vjen për shtat.

Të ekzistosh brenda një ekipi apo sistemi ku identiteti yt shihet si kërcënim, do të thotë të performosh vazhdimisht një akt të lodhshëm ekuilibrimi. Mëson të zbutësh qoshet, të bëhesh më pak i dukshëm, të dyshosh tek vetja. Edhe rrëfimtarja në romanin e Harpmanit është nën vëzhgim, por asnjëherë nuk i a thonë pse; e kontrollojnë dhe ndonjëherë e ndëshkojnë. Gratë rreth saj e trajtojnë me frikë, jo me armiqësi, fakti që ajo është ndryshe. Kjo të bën me dije se ndryshimi, edhe kur nuk persekutohet haptazi, është shpeshherë i padëshiruar.

Në roman, protagonistes i është mohuar kujtesa, familja dhe historia. Ajo vëzhgon, pyet dhe refuzon të humbasë veten brenda frikës së grupit. Kur kafazi më në fund hapet, ajo del jashtë, sepse e di që pasiguria është prapë më e mirë se nënshtrimi.

Atë çast e përjetova si thellësisht personal. Mjafton vetëm një person për ta thyer ciklin.

Kam punuar me gra që u është dashur ta rindërtojnë veten nga e para pasi kanë dalë nga sisteme të dhunës, pas mërgimit, pas shpërfilljes e përbuzjes nga institucionet që dikur u kishin besuar. Edhe unë jam një prej tyre. Ashtu si rrëfimtarja, ne shpesh nuk marrim përgjigje, por sidoqoftë ekziston shtegu para nesh për ta rigjetur kuptimin. Për ta rishkruar jetën tonë.

Në roman është një fjali që nuk e heq dot nga mendja: “E gjitha që mbeti ishte ekzistenca, lakuriqe dhe e kulluar”.

Kjo më bëri të mendoj për ata njerëz që kanë qëndruar pranë meje dhe pranë të tjerëve kur gjërat u bënë të paqarta apo izoluese në punë, që shohin nëpër mjegull dhe të ndihmojnë të rikujtosh se kush ishe para se heshtja të fillonte të rëndonte. E vërteta është se shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se po ua zhbëjnë ekzistencën, derisa zhbërja është pothuajse e plotë. Dhe ndonjëherë, mjafton vetëm një zë që të thotë s’ke pse të tkurresh këtu për t’i dhënë fund çmendurisë.

Libri nuk jep përgjigje të lehta. Nuk dhuron shpresë të mbështjellë me zgjidhje. Por, na rikujton se identiteti, kur i mohohet hapësira, e krijon hapësirën e vet. Dhe ndonjëherë, thjesht të shtrëngosh dhëmbët dhe të qëndrosh fort në atë që të bën të ndryshëm është akti më radikal.

Nga Linda Baleta

Lexo gjithashtu

Video

Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, mjegulla e dendur ka përfshirë zonat e ultësirës perëndimore të Krujës dhe Kurbinit, duke reduktuar ndjeshëm dukshmërinë. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve që lëvizin në aksin rrugor të veriut të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit. Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, deri më tani nuk janë raportuar ngjarje apo incidente në këtë segment rrugor. Shërbimet rrugore dhe policia po monitorojnë situatën për të garantuar sigurinë e qarkullim

? Situatë emergjente në Bangladesh! Një zjarr i madh ka shpërthyer në zonën e ngarkesave të aeroportit ndërkombëtar “Hazrat Shahjalal” në Dhaka, duke vënë në gatishmëri të lartë autoritetet. ? Flakët janë përhapur me shpejtësi dhe zjarrfikësit po luftojnë prej më shumë se tre orësh për ta vënë situatën nën kontroll. ✈️ Përkohësisht, të gjitha fluturimet në aeroportin kryesor të vendit janë pezulluar. ? Pamjet nga vendi tregojnë tym të dendur të zi që ngrihet nga terminali i mallrave, duke mbuluar qiellin dhe krijuar një atmosferë mbytëse. ?‍? Mediat lokale raportojnë për disa zjarrfikës të lënduar gjatë përpjekjeve për të përballuar flakët.

Presidenti Donald Trump takohet me tenorin e famshëm Andrea Bocelli në Shtëpinë e Bardhë Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, ka pritur në Zyrën Ovale tenorin e njohur italian, Andrea Bocelli. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe simbolizon një moment të rëndësishëm kulturor midis SHBA-së dhe Italisë. Andrea Bocelli, i njohur në mbarë botën për zërin e tij të jashtëzakonshëm dhe kontributin në muzikën klasike e moderne, është takuar me Trump për të diskutuar tema që lidhen me artin, kulturën dhe projektet humanitare.

?️ Në shërbimin e Okulistikës në QSUT, diagnostikimi, ndjekja dhe trajtimi i të gjitha patologjive që lidhen me shikimin kryhen sipas standardeve më të larta të kujdesit shëndetësor. ? Shërbimi disponon pajisje moderne dhe teknologji të avancuar, që mundësojnë realizimin e ndërhyrjeve në sy — nga ato rutinore, deri tek rastet më të ndërlikuara që kërkojnë ekspertizë të veçantë. ?‍⚕️?‍⚕️ Këshilla e mjekëve mbetet e qartë: bëni kontrolle periodike të syve! Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm janë çelësi për të ruajtur shikimin tuaj.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news