Maskat LED për fytyrën janë kthyer në një nga produktet më të kërkuara të kujdesit për lëkurën, por dermatologët paralajmërojnë se ato nuk janë një zëvendësim për rutinën bazë të skincare-it dhe se rezultatet varen nga përdorimi i vazhdueshëm.
Sipas një artikulli të The Guardian, këto pajisje përdorin terapi me dritë (photobiomodulation), ku gjatësi të ndryshme valore stimulojnë proceset natyrale të riparimit të lëkurës. Drita e kuqe ndihmon në uljen e inflamacionit dhe stimulon prodhimin e kolagjenit, duke e bërë lëkurën të duket më e lëmuar dhe më e tendosur. Ndërsa drita blu synon bakteret që shkaktojnë aknet dhe mund të reduktojë shfaqjen e tyre.
Dermatologu Derrick Phillips thekson se përdorimi i rregullt i maskave LED mund të sjellë përmirësime graduale, por modeste, dhe se ato duhet të konsiderohen vetëm si një shtesë e rutinës së kujdesit për lëkurën.
“Paratë shpenzohen më mirë fillimisht për bazat e skincare-it dhe vetëm më pas për pajisje të tilla”, shprehet ai.
Çmimet e maskave LED variojnë nga 100 deri në 500 paund, ndaj ekspertët rekomandojnë të mendoni mirë përpara blerjes. Për shumë njerëz, produktet me përbërës aktivë si retinoidet, vitamina C, peptidet apo acidi salicilik ofrojnë rezultate më të dukshme me një kosto më të ulët.
Një tjetër këshillë e rëndësishme është përdorimi i përditshëm i kremit mbrojtës ndaj diellit (SPF). Dermatologët paralajmërojnë se trajtimet kundër plakjes nuk kanë shumë efekt nëse lëkura nuk mbrohet nga dëmtimet që shkakton rrezatimi UV.
Për ata që nuk duan të investojnë në një maskë të plotë LED, ekzistojnë edhe patch-e LED për zona të caktuara të fytyrës, të cilat kushtojnë më pak dhe janë më praktike për trajtimin e akneve ose problemeve të lokalizuara.
Sipas The Guardian, përpara se të investoni në pajisje të shtrenjta, dermatologët rekomandojnë konsultimin me një specialist për të ndërtuar një rutinë të përshtatur sipas nevojave të lëkurës, duke shmangur kështu shpenzimet e panevojshme dhe përdorimin e produkteve që mund të shkaktojnë irritim.






















