Nëse zgjoheni të lodhur edhe pas një gjumi të plotë, problemi mund të mos jetë vetëm mungesa e orëve të gjumit. Ekspertët shpjegojnë se një sërë faktorësh të përditshëm, nga ajri në dhomën e gjumit te ushqimi dhe mënyra e jetesës, mund të ndikojnë drejtpërdrejt në nivelin e energjisë.
Një nga shkaqet kryesore është cilësia e ajrit në dhomën e gjumit. Sipas studiuesve, nivelet e larta të dioksidit të karbonit gjatë natës ulin cilësinë e gjumit dhe rrisin hormonin e stresit. Hapja e dritares, qoftë edhe pak centimetra, mund të bëjë një ndryshim të madh.
Ekspertët theksojnë gjithashtu rëndësinë e kreatinës, një përbërës që ndihmon trupin të prodhojë energji në nivel qelizor. Suplementi mund të jetë i dobishëm jo vetëm për sportistët, por edhe për gratë, vegjetarianët, veganët dhe të moshuarit, duke ndihmuar në uljen e lodhjes fizike dhe mendore.
Mungesa e ekspozimit ndaj dritës natyrale është një tjetër faktor. Dalja jashtë gjatë ditës ndihmon në rregullimin e ritmit biologjik dhe përmirëson cilësinë e gjumit gjatë natës.
Sipas nutricionistëve, edhe dieta luan rol kyç. Mungesa e fibrave dhe polifenoleve – antioksidantë që gjenden te frutat, perimet, manaferrat, çaji dhe çokollata e zezë – mund të ndikojë në energji dhe përqendrim. Rekomandohet konsumimi i më shumë bishtajoreve, drithërave integrale, farave, arrave dhe frutave me ngjyra të forta.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se gjumi nuk është gjithmonë i barabartë me pushimin. Ritmi i vrullshëm i jetës, stresi dhe mungesa e kohës për relaksim mund ta lënë organizmin të rraskapitur edhe pas tetë orësh gjumë.
Ndër faktorët e tjerë që ndikojnë në lodhje përfshihen ngrënia vonë në mbrëmje, problemet me tretjen dhe kapsllëku, që sipas studiuesve ndikojnë në komunikimin mes zorrëve dhe trurit, si dhe konsumimi i tepërt i proteinave në kurriz të karbohidrateve, të cilat janë burim i rëndësishëm energjie.
Edhe zakone të thjeshta si ajrosja e shtratit, larja e rregullt e çarçafëve dhe shmangia e qëndrimit ulur për orë të gjata mund të ndihmojnë në përmirësimin e energjisë gjatë ditës. Ekspertët rekomandojnë ngritjen dhe lëvizjen për disa minuta çdo 30 minuta qëndrimi ulur.
Nëse lodhja vazhdon pavarësisht ndryshimeve në stilin e jetesës, mjekët këshillojnë kryerjen e analizave të gjakut për të përjashtuar mungesën e hekurit ose vitaminës B12, si dhe çrregullimet e gjëndrës tiroide, të cilat janë ndër shkaqet më të zakonshme të lodhjes kronike.






















