
Pas më shumë se 60 ditësh protesta (ndër të tjera edhe) kundër ligjit për zonat e mbrojtura, aktivistët e tij kanë kaluar në një fazë të re të aksionit qytetar.
Grupi nismëtar ka depozituar kërkesën për nisjen e procedurave që do t'i hapin rrugë mbajtjes së një referendumi për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 "Për zonat e mbrojtura". Ky konsiderohet hapi i parë zyrtar në përpjekjen për ta çuar çështjen përpara qytetarëve përmes votës.
Mes firmëtarëve të nismës, siguruar nga VNA, bien në sy emra të njohur, si gazetari Blendi Salaj, por edhe protestues që janë proceduar nga Policia e Shtetit gjatë tubimeve, mes tyre edhe Mateo. Përfshirja e tyre shihet si një sinjal se lëvizja po merr një dimension të ri, duke kombinuar protestën në terren me instrumentet kushtetuese.
Protesta kundër ligjit vijon prej më shumë se dy muajsh, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në arritjen e objektivit të tyre: shfuqizimin e ligjit përmes një referendumi mbarëkombëtar.
Nëse procedurat miratohen, nismëtarët do të kalojnë në fazën e mbledhjes së firmave, një proces që pritet të jetë prova e radhës për mbështetjen qytetare ndaj kësaj kauze.






















