Në zemër të Nju Jorkut, një kabinë fotografike po tërheq mijëra të rinj me një premtim të pazakontë: të të prezantojë me personin që mund të jetë “shpirti yt binjak”.
E quajtur “Missed Connections Booth”, kabina kombinon një pyetësor me 26 pyetje, një algoritëm për përputhjen e personaliteteve dhe një set fotografish. Pasi paguajnë 10 dollarë, pjesëmarrësit fotografohen dhe, pak sekonda më vonë, marrin një shirit fotografik ku, përveç fotove të tyre, shfaqet edhe portreti i një personi që algoritmi e konsideron përputhjen më të mirë romantike.
Por ka një detaj që e bën përvojën edhe më misterioze: sistemi nuk jep numër telefoni, adresë apo profil në rrjetet sociale. Në letër shfaqet vetëm fotoja dhe emri i personit. Pjesa tjetër u lihet fatit dhe rastësisë.
Që nga hapja në mesin e korrikut, mbi 3,500 persona kanë provuar fatin e tyre dhe, në disa ditë, radhët kanë zgjatur deri jashtë ndërtesës. Në TikTok dhe Instagram janë publikuar qindra video ku njerëzit përpiqen të gjejnë “partnerin misterioz” që u ka sugjeruar kabina.
Ideatorët e projektit thonë se nuk synojnë të zëvendësojnë aplikacionet e njohura të takimeve. Përkundrazi, synimi është të rikthejnë emocionin e takimeve të rastësishme dhe historive romantike, në një kohë kur shumë përdorues thonë se janë lodhur nga aplikacionet ku gjithçka vendoset me një rrëshqitje të gishtit.
Sipas krijuesve, nëse eksperimenti vazhdon të ketë sukses, kabina mund të vendoset edhe në qytete të tjera amerikane, duke e kthyer kërkimin për “shpirtin binjak” në një përvojë reale, larg ekranit të telefonit.






















