Specia Turritopsis dohrnii është e vetmja krijesë e njohur që mund të kthehet në fazën e saj të hershme të jetës dhe të nisë ciklin biologjik nga e para, duke sfiduar plakjen.
Nga Petra Stock
4 gusht 2026
Pavdekësia zakonisht konsiderohet si diçka që i përket perëndive ose fantashkencës, një ëndërr që sot ndiqet edhe nga sipërmarrës të teknologjisë përmes eksperimenteve si transfuzioni i “gjakut të ri”, kriopreservimi apo ideja e një jete të përjetshme përmes inteligjencës artificiale.
Por një kandil deti i vogël, me formën e një këllëfi gishti, duket se e ka zgjidhur këtë mister shumë kohë më parë.
Sipas Maria Pia Miglietta, profesoreshë e asociuar dhe biologe detare në Universitetin A&M, Turritopsis dohrnii ka një aftësi të jashtëzakonshme për t’i shpëtuar vdekjes.
“Turritopsis është unik, sepse kur përballet me kushte të pafavorshme – temperatura të larta, prerje fizike, uri, substanca kimike në ujë apo çdo lloj stresi – kur përpiqesh ta vrasësh, ai nuk vdes,” shpjegon ajo.
Shumica e kandilëve të detit e nisin jetën si larva. Më pas shndërrohen në polipe – organizma të vegjël të palëvizshëm – të cilët prodhojnë meduza notuese që rriten deri në fazën e rritur. Pas riprodhimit, zakonisht ndalojnë së notuari, shpërbëhen gradualisht dhe vdesin.
Por Turritopsis dohrnii ndjek një rrugë krejt tjetër.
Në vend që të vdesë, ai rikthehet në fazën e tij të mitur dhe e nis ciklin jetësor nga fillimi.
Ky proces quhet transdiferencim qelizor. Sipas Migliettës, kandili duket sikur po vdes dhe fundoset në fund të detit. Më pas, ashtu si një flutur që do të kthehej sërish në vemje, ai tkurret në formën e një topi dhe, brenda 24 deri në 48 orëve, krijon një polip të ri me të njëjtin material gjenetik.
Lexuesja e The Guardian, Raquel López-Aragón, e përshkruan këtë si “një nga truket më të jashtëzakonshme të natyrës”.
“Kur ky kandil plaket ose dëmtohet, në vend që të vdesë si shumica e kafshëve, ai kthehet në një kandil foshnjë dhe rritet përsëri. Mund ta bëjë këtë sa herë të dojë, që teorikisht do të thotë se nuk ka pse të vdesë nga pleqëria. Është sikur shtyp vazhdimisht butonin e rivendosjes së jetës.”
Në laborator, ku studiohet kjo specie, kandilët mund të jetojnë teorikisht përgjithmonë. Në natyrë, megjithatë, pavdekësia e tyre mund të marrë fund nëse bien pre e grabitqarëve.
Në botë njihen tetë specie të gjinisë Turritopsis, por deri më tani vetëm Turritopsis dohrnii zotëron këtë aftësi të jashtëzakonshme.
Këta kandilë janë vetëm disa milimetra të mëdhenj, por mund të gjenden në shumë zona të botës, nga Deti Mesdhe dhe Oqeani Atlantik, deri në brigjet e Japonisë, Panamasë dhe Brazilit.
Një tjetër lexues i The Guardian vëren se kjo specie “bën pikërisht atë që premton emri i saj”: në çdo shenjë stresi kthehet në fazën e saj të mitur, një aftësi që shumë njerëz do të dëshironin ta kishin.
Biologia Lisa-ann Gershwin, e specializuar në studimin e kandilëve të detit, e përshkruan Turritopsis dohrnii si “jashtëzakonisht të bukur” dhe “krijesën më të hijshme”, por thekson se ajo që e bën vërtet të veçantë është aftësia për t’u “rilindur”.
Sipas saj, që nga kohët e lashta njerëzit kanë ëndërruar jetën e përjetshme.
“Mosdashja për të vdekur është e rrënjosur thellë në natyrën njerëzore. Dhe fakti që kjo aftësi ekziston te një kandil deti, krijon një kontrast aq të pazakontë, sa nuk pushon kurrë së mahnituri,” thotë ajo.






















