Sociale 2026-08-10 17:20:08 Nga VNA

Inflacioni arrin në 3.4%, niveli më i lartë në 2 vite e gjysmë: Ushqimet dhe qiratë rëndojnë xhepat e shqiptarëve

Ndaje në Whatsapp

Inflacioni arrin në 3.4%, niveli më i lartë në 2 vite e

Shqiptarët po blejnë më pak me të njëjtën shumë parash, pasi kostot e jetesës vijojnë të rriten. Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni në muajin korrik arriti në 3.4%, niveli më i lartë i regjistruar në dy vite e gjysmë.

Ushqimet vijojnë të jenë ndër faktorët kryesorë që po shtyjnë lart çmimet. Ky grup dha kontributin më të madh në rritjen e inflacionit, me 1.18 pikë përqindje. Në praktikë, rreth gjysma e inflacionit të regjistruar në korrik lidhet me shtrenjtimin e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike.

Pas ushqimeve renditen shpenzimet për “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse”, me një kontribut prej 0.83 pikë përqindje. Brenda këtij grupi, rritja e qirave të apartamenteve vijon prej muajsh të mbajë peshën kryesore në shtrenjtimin e kostove të banimit.

Një tjetër faktor i rëndësishëm është transporti, i cili kontribuoi me 0.52 pikë përqindje në inflacion. Rritja e çmimeve të hidrokarbureve lidhet edhe me përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme, të cilat kanë ushtruar presion mbi tregjet energjetike.

Ushqimet shtrenjtohen edhe në kulmin e prodhimit vendas
Të dhënat e INSTAT për korrikun nxjerrin në pah një tjetër element shqetësues: çmimet e ushqimeve janë rritur edhe në kulmin e sezonit të prodhimit vendas.

Krahasuar me korrikun e një viti më parë, ushqimet u shtrenjtuan me 3.5%, ndërsa ndikimin kryesor e dhanë perimet.

Çmimet e perimeve dhe bishtajoreve u rritën me 10.1%, pavarësisht se korriku përkon me periudhën e prodhimit të tyre vendas. Rritja mund të lidhet me kostot më të larta të prodhimit për fermerët, të cilat më pas reflektohen në çmimin final për konsumatorin.

Në të njëjtën kohë, një pjesë e kërkesës së tregut mbulohet përmes importeve, duke bërë që çmimet e produkteve ushqimore të ndikohen edhe nga kostot e produkteve të importuara.

Pas perimeve, një rritje të ndjeshme kanë regjistruar edhe produktet e detit, me 9.4% krahasuar me një vit më parë, ndërsa çmimet e mishit janë rritur me 4.6%.

Nafta dhe transporti, një tjetër burim presioni mbi çmimet
Transporti është kategoria që ka regjistruar rritjen më të madhe vjetore, me 8%. Brenda saj, çmimi i naftës u rrit me 9.1% gjatë korrikut.

Ndërkohë, në tre muajt e fundit një rritje të fortë kanë shënuar edhe shërbimet postare dhe ato të korrierëve, me 13.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Turizmi shtyn lart qiratë dhe akomodimin
Rritja e kërkesës për apartamente me qira, e nxitur edhe nga sezoni turistik dhe përdorimi i platformave të akomodimit si Booking dhe Airbnb, po ushtron presion të mëtejshëm mbi çmimet e qirave.

Në korrik, qiratë e apartamenteve u shtrenjtuan me 5.2% krahasuar me një vit më parë. Efekti i sezonit turistik reflektohet edhe në çmimet e akomodimit.

Sipas INSTAT, grupi “Restorante dhe shërbime akomodimi” regjistroi një rritje mesatare çmimesh prej 2.7%. Megjithatë, brenda këtij grupi diferenca është e dukshme: akomodimi u shtrenjtua me 9.4%, ndërsa çmimet në restorante u rritën me vetëm 2.1% krahasuar me një vit më parë.

Banka e Shqipërisë kishte paralajmëruar më herët se inflacioni do të qëndronte mbi nivelin 3% përgjatë vitit 2026. Të dhënat e korrikut tregojnë se presionet mbi koston e jetesës vijojnë të jenë të pranishme, me ushqimet, banesat dhe transportin që mbeten ndër zërat kryesorë që rëndojnë buxhetin e familjeve shqiptare.

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news