Sociale 2026-07-17 09:25:50 Nga VNA

Familja e Martin Canit akuzon Ramën: Po përdor emrin e djalit tonë për propagandë, kamerat nuk shpëtojnë jetë

Ndaje në Whatsapp
Familja e Martin Canit akuzon Ramën: Po përdor emrin e djalit

Familja e Martin Canit ka reaguar me një deklaratë të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, pas fjalimit të këtij të fundit gjatë prezantimit të projektit “Smart City”, ku u shpreh se prindërit duhet të ndihen më të sigurt për fëmijët e tyre falë teknologjisë dhe sistemit të ri të kamerave në shkolla.

Në deklaratën e shpërndarë për mediat, familja Cani akuzon kryeministrin se po përdor emrin e Martinit për qëllime politike, ndërsa shmang përgjegjësinë e institucioneve për tragjedinë që i mori jetën djalit të tyre.

Sipas familjes, mbyllja e TikTok-ut nuk ka ndalur vrasjet e të miturve, duke sjellë si shembuj rastet e ndodhura në Maliq dhe Durrës. Ata theksojnë se problemi nuk janë rrjetet sociale, por dështimi i sistemit arsimor, mungesa e sigurisë në shkolla dhe përgjegjësia institucionale.

Familja Cani kundërshton edhe projektin për vendosjen e kamerave në shkolla, duke argumentuar se ato nuk parandalojnë dhunën, nuk zëvendësojnë psikologët, nuk garantojnë siguri dhe nuk do ta kishin shpëtuar Martinin.

Në deklaratë ngrihen edhe pyetje të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit, duke kërkuar të dijë pse nuk ka takuar asnjëherë familjen, pse nuk ka kërkuar falje për dështimet e sistemit dhe pse nuk ka ofruar mbështetje institucionale.

Familja rikthen në vëmendje edhe mungesën e pajisjes zemër-mushkëri dhe të një kardiokirurgu në Spitalin e Traumës, duke pretenduar se këto mangësi i kushtuan jetën Martinit. Sipas tyre, pajisja kushton më pak se një automjet qeveritar, por ende nuk është siguruar.

Po ashtu, familja kritikon reagimin e qeverisë në Kuvend, duke kujtuar se, sipas saj, ministrat Ogerta Manastirliu dhe Belinda Balluku qeshën kur u përmend emri i Martinit, ndërsa kryeministri nuk mbajti asnjë qëndrim.

Në deklaratë përmendet edhe hetimi për ngjarjen, ku familja pretendon se arma e krimit u gjet nga një qytetar i rastësishëm dhe jo nga policia, duke e cilësuar këtë një tjetër dëshmi të dështimit institucional.

Në fund, familja Cani kërkon mbylljen urgjente të hetimeve për përgjegjësinë e shkollës “Fan Noli” dhe të sistemit shëndetësor, duke e cilësuar të papranueshme që, sipas tyre, pas 18 muajsh ende nuk ka përgjigje për përgjegjësit.

“Martini nuk ishte slogan politik. Martini nuk ishte pretekst për censurë. Martini nuk ishte justifikim për kamera. Martini ishte një fëmijë me ëndrra që meritonte të jetonte”, thuhet në mbyllje të deklaratës, ku familja kërkon drejtësi për Martinin, siguri për fëmijët dhe përgjegjësi nga institucionet.

Lexo gjithashtu

Video

Ky është momenti i aksidentit tragjik të ndodhur sot në afërsi të mbikalimit të TEG-ut. Në video shihet që betonierja ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara. Nga aksidenti i rëndë humbën jetën dy shtetas të huaj që ndodheshin në betoniere.

Ky është momenti i aksidentit tragjik të ndodhur sot në afërsi të mbikalimit të TEG-ut. Në video shihet që betonierja ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara. Nga aksidenti i rëndë humbën jetën dy shtetas të huaj që ndodheshin në betoniere.

Kuvendi do të mblidhet sërish më 30 korrik, edhe pse seanca e 23 korrikut ishte parashikuar të mbyllte sesionin parlamentar. Vendimi ka shtuar zërat për një rifreskim të mundshëm të kabinetit qeveritar, megjithëse nuk ka ende konfirmim zyrtar. Deputetët socialistë pritet të zhvillojnë të premten një mbledhje të zgjeruar me kryeministrin Edi Rama, mes pritshmërive për lëvizje në qeveri. Ndërkohë, protestuesit kanë paralajmëruar një tjetër protestë para Kuvendit, ndërsa vëmendja mbetet te zhvillimet politike në fundjavë.

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news