Një nga pesë shtetasit francezë të riatdhesuar këtë të diel nga anija turistike “Hondius”, ku u shfaq një vatër e hantavirusit, ka shfaqur simptoma të sëmundjes gjatë fluturimit të kthimit dhe është vendosur menjëherë në izolim.
Lajmi u konfirmua nga kryeministri francez, i cili njoftoi se të pesë pasagjerët do të mbahen në izolim të rreptë deri në një urdhër të dytë. Qeveria franceze paralajmëroi gjithashtu masa të posaçme për izolimin e kontakteve të afërta, me qëllim mbrojtjen e popullsisë.
Anija “Hondius” mbërriti këtë mëngjes në portin e Granadillas në Tenerife, pavarësisht kundërshtimit të presidentit të Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, i cili kishte kërkuar që anijes të mos i lejohej ankorimi. Vendimi për lejimin e hyrjes u mor nga Ministria spanjolle e Transporteve.
Pas kontrolleve shëndetësore të kryera nga ekipet mjekësore në bord, autoritetet spanjolle konfirmuan se pjesa tjetër e pasagjerëve vazhdon të jetë pa simptoma.
Ministria italiane e Shëndetësisë deklaroi se aktualisht nuk ekziston rrezik pandemie dhe se hantavirusi është shumë ndryshe nga Covid-19 për shkak të nivelit të ulët të transmetimit. Sipas autoriteteve, virusi transmetohet kryesisht përmes urinës, pështymës dhe jashtëqitjeve të brejtësve, ndërsa transmetimi nga njeriu te njeriu mbetet shumë i kufizuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë theksoi se të gjithë pasagjerët e anijes konsiderohen kontakte me rrezik të lartë dhe duhet të monitorohen, por vlerësoi se rreziku për popullsinë është “i ulët”.
Ndërkohë, disa vende kanë nisur operacionet për evakuimin e qytetarëve të tyre nga Tenerife. Australia pritet të dërgojë një avion të posaçëm, ndërsa Norvegjia ka dërguar një avion ambulancë të pajisur për transportin e pacientëve me infeksione të rrezikshme. Një pasagjer grek rreth 70 vjeç do të qëndrojë në karantinë për 45 ditë, megjithëse autoritetet thanë se ai është në gjendje të mirë dhe pa simptoma.






















