Në seancën fillestare për vrasjen e Liridona Ademajt, bashkëshorti i saj është deklaruar “plotësisht i pafajshëm” për akuzën "vrasje e rëndë", teksa Prokuroria dha detaje të aktakuzës dhe tha se Murseli kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij. I akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me avokatin, Granit Plava tha se zgjedh të mbrohet në heshtje, ndërkaq Tom Dodaj ka pranuar fajësinë. Dodaj ishte përfshirë në akuzë, pasi i ka shitur armën Murselit, me të cilën më pas është kryer vrasja e Liridona Ademajt. Ai më pas u dënua me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Për veprën penale, ai mund të dënohej deri me tetë vjet burgim. Gjatë shqiptimit të aktgjykimit, gjykatësja bëri të ditur se rasti ndaj Dodajt do të ndahet nga rasti ndaj tre të akuzuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt. Liridona Ademaj, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Rasti fillimisht ishte raportuar si "grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë autoritetet kishte arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Gjyqtarja e rastit, Fatime Dermaku, gjatë seancës që zgjati mbi dy orë më 31 janar, tha se nëse gjenden fajtorë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla mund të dënohen nga 10 vjet e deri me burgim të përjetshëm. Seanca fillestare për këtë rast ishte paraparë të mbahej më 27 janar, por u ndërpre pak pasi nisi për shkak se avokatët e dy të akuzuarve thanë se nuk kishin pranuar me kohë shkresat e lëndës. Të premten, në gjykatore Prokuroria lexoi aktakuzën ndaj të pandehurve. Aty u tha se Naim Murseli kishte premtuar 30.000 kompensim për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, dhe madje e kishte mbajtur me njërën dorë, që ajo të mos shmangte plumbin. Dorasi, sipas aktakuzës, ishte Granit Plava, ndërkaq Kokalla ishte ai që kishte gjetur Plavën për të kryer këtë akt. Prokuroria: Naim Murseli planifikoi vrasjen e Liridonës Duke folur për pjesën e aktakuzës ndaj Naim Murselit, prokurorja Javorka Përlinçeviq, tha se Murseli kishte bërë plan për ta vrarë Liridonën nga mllefi dhe në shenjë hakmarrjeje, pasi çifti kishte pasur “raporte të çrregulluara familjare dhe martesore”. Prokuroria tha se më 25 qershor 2022, është paguar polica e sigurimit jetësor për Liridonën në vlerë prej 3.000.000 kruna suedeze me qëllim që pas vdekjes së saj, Murseli të përfitonte këtë sigurim. Prokuroria tha se Naim Murseli ia ka shpalosur planin e tij të akuzuarit Kushtrim Kokalla, për vrasjen e bashkëshortes dhe ka kërkuar nga ai që të gjejë mënyra për ta realizuar atë. Ai, sipas Prokurorisë nuk kishte pranuar të kryente vrasjen, dhe e kishte njoftuar Murselin me Granit Plavën. Prokuroria tha se të tre më pas janë pajtuar që Plava të vriste Liridonën dhe Murseli do ta kompensonte atë me 30.000 euro. Ndërkaq, në këtë rast Tom Dodaj u përfshi pasi në ditën e vrasjes, Murseli kishte blerë nga ai një pistoletë, e firmës Zastavëm dhe 20 fishekë, në vlerë prej 280 eurosh. Me këtë armë, tha Prokuroria, ishte vrarë Liridona Ademaj. Vrasja, tha Prokuroria është kryer në intervalin kohor nga 19:00 deri në 20:18, në Bërnicë të Prishtinës, përkatësisht në vendin e dakorduar mes tre të akuzuarve, të cilët u tha se inskenuan skenën e krimit me qëllim që të dukej si grabitje. “....Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, pas çka, Naimi me fëmijët kanë dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, tha Prokuroria. Autoritetet thanë se gjatë bastisjeve në shtëpinë e tij është gjetur pistoleta Zastava dhe 19 fishekë, armë me të cilën Prokuroria tha se u krye vrasja. Ndërkaq, Kushtrim Kokallës, sipas autoriteteve, i ishte kërkuar nga Murseli që të gjejë “mundësi” për vrasjen e Liridonës dhe ai e kishte njoftuar atë me Plavën. Autoritetet e akuzojnë se ishte në dijeni për vrasjen e Liridonës dhe nuk kishte lajmëruar autoritetet për këtë vepër penale. Çfarë ndodhi në nisje të seancës? Në nisje të seancës të premten, sërish pati ankesa nga një avokat mbrojtës se kishte pasur vështirësi në qasje në shkresat e lëndës. Gjyqtarja Fatime Dermaku, njoftoi se më 30 janar ka pranuar një email nga Ndrec Dodaj, avokat i Kushtrim Kokallës, që thotë se CD-të e pranuara për lëndën, nuk hapen. “Sot kam kërkuar nga mbrojtësi përmes zyrtares time ligjore që të marrë ato CD me vete. Lidhur me pretendimet e tij kemi ftuar edhe IT e gjykatës për të vërtetuar nëse CD hapen”, tha gjyqtarja Dermaku. Avokati Dodaj pranoi se i ka marr këto materiale me vete, duke shtuar se ai i ka provuar CD në dy kompjuterë të kolegëve. Në gjykatore më pas erdhi IT-ja e gjykatës që ia mori CD-të avokatin për të verifikuar hapjen e tyre. “Kjo po bëhet për të vërtetuar pretendimet e mbrojtësit”, tha gjyqtarja, teksa IT-ja para të gjithëve në sallë hapi të katër CD-të që kishte avokati. Gjyqtarja tha se me këtë konstatohet se materialet janë në rregull dhe se të njëjtat u janë dërguar palëve. Ajo shtoi se me këtë konstatohet se prokurori i shtetit ka përmbushur të gjitha detyrimet, sa i përket materialeve. Më pas, gjyqtarja vazhdoi me leximin e të drejtave të të akuzuarve. Ishte Kushtrim Kokallla ai që tha se nuk i kuptonte të drejtat. Kjo shtyu avokatin e tij Dodaj që të kërkonte konsultim me klientin. Por, gjyqtarja i tha avokatit që të mos e pengonte procedurën dhe i shqiptoi vërejtje me shkrim dhe e paralajmëroi se radhës tjetër do ta dënonte me gjobë. Më pas, ekipi mbrojtës i Naim Murselit, u ankua për sjelljen e gjyqtares ndaj avokatit të Kokallës. Gjykatësja shqiptoi gjobë prej 500 eurosh ndaj mbrojtësit të Murselit, Shemsedin Piraj, për prishje të rendit dhe qetësisë. Përveç të të akuzuarve, në sallën e gjyqit më 31 janar të pranishëm ishin edhe babai dhe vëllai i Liridonës. Tom Dodaj, që akuzohet se ka shitur armën që u përdor në vrasjen e Liridonës, është parë duke hyrë në gjykatë, ndërkaq tre të akuzuarit e tjerë janë dërguar në gjykatore nga një hyrje tjetër e gjykatës, larg syrit të mediave.
Më 15 janar të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte ngritur aktakuzë për vrasjen e 30-vjeçares Ademaj. Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, deklaroi më 15 janar se jatë kohës që çifti jetonte në Suedi – së bashku me dy fëmijët e tyre – ata kishin pasur “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore. "Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t'i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore", tha Përlinçeviq, e cila tha se gjetja e motivit të vrasjes kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë. Deri te ky informacion, sipas prokurores, autoritetet erdhën pas bashkëpunimit me shtetin e Suedisë, pasi Prokuroria në Prishtinë kishin kërkuar të dhëna rreth jetës së çiftit dhe marrëdhënies së tyre martesore. "Vetëm atëherë arritëm të krijojmë një pamje të plotë të jetës së tyre dhe të gjejmë motivin që e shtyu Naim Murselin të marrë vendimin për largimin e Liridonës, për të mos thënë likuidimin e saj, sepse mënyra e kryerjes së veprës tregon qartë një akt të tillë si likuidim", deklaroi Përlinçeviq. Kryeprokurori i Prokurorisë në Prishtinë, Zejnullah Gashi, gjatë konferencës për media më 15 janar deklaroi se vrasja e kryer nga “anëtari i familjes” u krye në “mënyrë dinake”, prandaj shtoi se pret dënim kapital nga gjykata. Sipas Prokurorisë, Naim Murseli kishte “planifikuar gjithçka”, ndërkaq Kokalla dhe Plava, sipas organit ndjekës ishin “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës. I akuzuari i katërt, sipas Prokurorisë është i përfshirë në mënyrë të tërthortë në këtë rast, përkatësisht ai dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit. Murseli, Kokalla dhe Plava gjenden në paraburgim, ndërkaq Dodaj po mbrohet në liri. Vrasja e Liridona Ademajt kishte shkaktuar zemërim në publik edhe për faktin që bashkëshorti i saj kishte qenë pjesë e ceremonisë së varrimit. Familja e Liridonës kishte kërkuar zhvarrosjen e trupit të saj, në mënyrë që ajo të varrosej vranë varrezave të prindërve të saj, ndërkaq aktivistët për të drejtat e grave kanë kërkuar që Liridona të mos identifikohej më me mbiemrin e bashkëshortit, por me atë të familjes së saj, Ademaj. 58 gra të vrara në 14 vjet Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë. Sipas të dhënave, që nga viti 2010 e deri më tani, në Kosovë janë vrarë afër 60 gra. Në të shumtën e rasteve, dorasit kanë qenë bashkëshortët. Sipas organizatave që merren me të drejtat e grave, mesazhe “trimëruese” dorasëve është duke u dërguar sistemi i drejtësisë në Kosovë me, siç thuhet, “dënimet e lehta”. REL






















