Editorial 9 Prill 2026, 09:28 Nga VNA

Kush po ia pret krahët drejtësisë? Vendimi i Gjykatës së Lartë që mund të shpëtojë politikanët nga burgu

Ndaje në Whatsapp
Kush po ia pret krahët drejtësisë? Vendimi i Gjykatës

Nga Desada Metaj

Vendimi i pritshëm i Gjykatës së Lartë që do të unifikojë metodën e dhënies së masave të sigurimit personal, nuk është një ngjarje rutinë në kazanin e madh të gjykatave, si qindra-mijëra vendime që japin çdo ditë. Fakti që ky vendim kamuflon atë çka është përfolur kryesisht në ambiente politike, pra shqetësimin e dhënies së masave të sigurimit “arrest me burg” për shumë figura të larta politike, është njëra anë e medaljes. Kjo e bën këtë ngjarje me peshë të madhe publike, por edhe politike. Betejat me drejtësinë që kanë bërë e bëjnë Ilir Meta, Ilir Beqja, Erjon Veliaj dhe një aradhe tjetër personazhesh politikë si ata, kanë marrë shkas e janë fokusuar kryesisht tek dhënia ndaj tyre e arrestit me burg. Shumë të tjerë, në pritje të një fati të ngjashëm, e rrisin akoma më shumë këtë peshë.
 
Iniciativa e Gjykatës së Lartë, më saktë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, për të reformuar mekanizmin gjyqësor të deritanishëm të dhënies së këtyre masave, nuk mund të lexohet e ndarë dhe e izoluar nga ky shqetësim i politikanëve të lartë. Shumë syresh prej tyre, më së shumti në mazhorancë, e i pari ndër ta kryeministri, kanë përshfaqur me të madhe një histori të zymtë, sikur në burgjet shqiptare janë mbipopulluar me njerëz të pafajshëm, të cilët ndodhen në qeli si në asnjë vend tjetër të botës. Statistikat e ofruara prej tyre, kinse të huazuara nga raporte të institucioneve europiane (që nuk gjenden në fakt) , zbulojnë një panoramë ekstremisht represive të drejtësisë shqiptare. Kjo e fundit vizatohet si një përbindësh që ka mbushur burgjet me të pafajshëm dhe i ka harruar aty, duke e kthyer kështu Shqipërinë në një vend ku nuk respektohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Kështu e ka vizatuar drejtësinë shqiptare dhe burgjet shqiptare kryeministri i këtij vendi, duke skermitur dhëmbët politikë edhe me ndërmarrje iniciativash për të ndryshuar ligjet e drejtësisë.
 
Në fakt, të gjithë e dimë, e nëse jo, e nuhasim pa gabuar, se kjo është një betejë midis politikës dhe drejtësisë. Tanime që drejtësia ka marrë forcë dhe autoritet, ndryshe nga 30 vjetët e fundit, ajo ka dalë nga faza e nënshtrimit dhe e qenit shtojcë pa identitet i pushtetit të radhës. Tashmë që po procedohen dhe po merren masa sigurimi ndaj të dyshuarve politikanë të kriminalizuar, politika ka si front kryesor dhe serioz lufte pikërisht atë kundër drejtësisë dhe ky është një film real që i shfaqet përditë publikut shqiptar, falas.
 
E në këtë betejë shumë të strukturuar të politikës ndaj drejtësisë, arma që politika ka është ajo e ndryshimit të ligjeve. Ndryshoji ligjet drejtësisë dhe kjo e fundit nuk do të ketë mundësi as të penalizojë korrupsionin, shpërdorimin e detyrës, krimin e organizuar e një seri veprash penale. Ndryshoji ligjet për masat e sigurimit dhe drejtësia nuk do të mund të vendosë masa arresti në burg apo shtëpi për politikanë të kapur në krim apo korrupsion, hajdute e trafikantë qofshin. Këtë armë, pra ndryshimet ligjore, politika, kryesisht mazhoranca, ende nuk ka filluar ta eksplorojë hapur. Shenja të vogla i ka dhënë në rastin Balluku: ku treshja Rama-Balla-Manja, kryeministër–kryetar grupi parlamentar–kryetar i komisionit të ligjeve, depozituan plot arrogancë një projektligj që synon të kufizojë një masë tjetër sigurimi, siç është ajo e pezullimit nga detyra për ministrat. Me gjasë, presioni ndërkombëtar, tashmë që jemi në një pikë kritike të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, ka sjellë efektin e njëfarë zmbrapsjeje të përkohshme, për sa kohë që vrulli fillestar i treshes së mësipërme u zbeh dhe ai projektligj është në sirtarët e Kuvendit, i fjetur, për t’u nxjerrë befas sapo ndonjë kërkesë tjetër për pezullim nga detyra për ndonjë qeveritar të lartë t’i vijë nga SPAK.
 
Paralelisht dhe befas, me këtë qasje, në lojë është futur Gjykata e Lartë, e cila me vendimin e pritshëm nuk do të bëjë as më shumë e as më pak pikërisht atë që politikës nuk po i lejohet ta bëjë në Kuvend: pra jo të ndryshojë rregullat nëpërmjet ligjeve, por t’i ndryshojë ato nëpërmjet vendimeve gjyqësore. Vendimi i Gjykatës së Lartë për ndryshimin e praktikës gjyqësore lidhur me vendosjen e masave të sigurimit është një lëvizje akoma edhe më e rafinuar sesa banaliteti indryshimit të ligjeve në Kuvend.
 
Kjo është ajo se ç’po përgatitet të ndodhë me vendimin e pritshëm unifikues të Gjykatës së Lartë. E këtu nuk jemi në një truall paragjykimesh. Si një vend i vogël, ku gëlojnë plot informacione që shkëmbehen haptaz dhe të mbyllura midis politikës dhe drejtësisë, midis gjyqtarëve apo edhe midis prokurorëve dhe operatorëve të tjerë të drejtësisë, është pothuajse bindje që iniciativa për të reformuar mekanizmin e vendosjes së masave të sigurimit penal është një lëvizje e cila synon krijimin e vështirësive të shtuara për prokurorinë në kërkimin e këtyre masave dhe lehtësimin ndaj të pandehurve apo të dyshuarve që t’i shpëtojnë burgut paraprak, ndërkohë që hetohen nga prokuroria. Tashmë duhet folur pa doreza dhe e vërteta duhet thënë siç është.
 
Nevoja e prokurorisë që, teksa procedohen me hetimet ndaj politikanëve të lartë të dyshuar si të korruptuar apo të lidhur me krimin, është një nevojë jetike për mbarëvajtjen e hetimeve dhe suksesin final të tyre. E dimë tashmë se çfarë janë në gjendje të bëjnë, me pushtetin politik, mediatik, financiar dhe jo vetëm, që kanë në dorë politikanët, kur rrezikohen nga hetimet e prokurorisë. Kanosje gjyqtarësh dhe prokurorësh, shantazh dëshmitarësh apo blerje të heshtjes së tyre, presion intensiv mediatik ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë nominale, telendisje publike të biografisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve edhe familjarisht, deformim të perceptimit publik ndaj së vërtetës. Përditë e shohim dhe dëgjojmë. Që nga SPAK-u, te GJKKO e deri te Gjykata Kushtetuese. Si kurrë më parë, publiku shqiptar njeh me emër e mbiemër madje dhe familjarë të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Në shumicë dërrmuese të lakuar prej këtyre politikanëve, të cilët çuditërisht janë nën hetim apo afër të qenit të tillë.
 
E në këtë pikë, vendimi i pritshëm i Gjykatës së Lartë, mesa duket qartë se shkon në të njëjtin drejtim me shqetësimin dhe interesin e politikanëve të lartë, është një lëvizje e një “kolone të pestë” brenda drejtësisë. Një akt i cili pritet që, nëpërmjet detajeve që fshihen, të minojë, të gërryejë, të erodojë luftën e deritanishme të drejtësisë ndaj korrupsionit qeveritar dhe krimit të lidhur me politikën. Që deri në këtë fazë është veçse në fillimet e veta. Duket qartë se, nëpërmjet këtyre lëvizjeve, kërkohet t’i vihet fre “livadhisjeve” të drejtësisë që i është afruar rrezikshëm pushtetit të politikanëve. Kanë zgjedhur, pra, edhe me këtë vendim të pritshëm të Gjykatës së Lartë, “t’i presin kokën maces” sa pa nxjerrë thonjtë.
 
E për këtë arsye, gjithë injektimi në publik, prej kryeministrit dhe personazheve afër tij, se Shqipëria është vendi me më shumë të paraburgosur sesa të burgosur, se liritë dhe të drejtat themelore po shkelen nga drejtësia, se arresti në burg duhet të jetë vetëm në raste ekstremisht specifike, se ka masa të tjera që e kryejnë funksionin njëlloj si arresti në burg, ishte pikërisht paradhoma e asaj që pritet të konkretizohet me vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë.
 
Sigurisht që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë është e udhës të prezumohen edhe ata jo të kapur nga politika, jo të komprometuar, të blerë apo të shitur te pushteti. Sigurisht që ata nuk kanë dalë e nuk do të dalin të japin deklarata publike lidhur me paragjykimin e punës së tyre. Edhe pas vendimit që do të japin, askush prej tyre nuk do të japë shpjegime. Në rreshtat e vendimit që do të shkruajnë, të stërzgjatur dhe të stërholluar me fjali e pasazhe e referenca, shpesh të pakuptueshme për publikun e gjerë, jo çdokush mund të gjejë se ku fle lepuri. Por në këtë situatë është e udhës që së paku ato premisa që ka ngritur kryeministri dhe pushteti për situatën alarmante të paraburgimit në Shqipëri të çmontohenparaprakisht, dhe që së paku edhe ata gjyqtarë të Gjykatës së Lartë ta dinë se arsyet që ka parashtruar kryeministri dhe pushteti i tij për një situatë alarmante në sistemin penitenciar lidhur me paraburgimet nuk ekzistojnë. Le të gërmojnë e të gjejnë apo shpikin arsye të tjera, por jo këto.
 
Dhe ku ka më mirë se sa një palë tjetër profesionistësh, siç janë prokurorët, të jenë ata që të çmontojë pikërisht narrativën e pushtetit dhe mazhorancës. Shoqata e Prokurorëve ishte ajo që disa ditë më parë, në një reagim publik, bëri me dije disa statistika të marra nga raporti i Prokurorit të Përgjithshëm në Kuvend. Të dhënat, që mund t’i verifikojë kushdo, paraqesin një tablo tërësisht të ndryshme nga ajo që vizatoi kryeministri, ministri i Drejtësisë apo figura të tjera të pushtetit dhe politikës. Një tablo mëse normale, aspak abuzive në statistika, brenda racionales gjyqësore e madje ndonjëherë edhe më e ulët se në vendet e BE-së. Është mirë që këto statistika dhe shifra t’i kenë parasysh edhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, teksa do të rreken të marrin një vendim i cili, nëse do të shkojë me shijet e pushtetit, mund të shndërrohet shumë shpejt në një moment vetëshkatërrues për drejtësinë vetë e sidomos për pritshmërinë e publikut për drejtësi.
 
E dhëna e parë që bie në sy nga statistikat e përpunuara nga Shoqata e Prokurorëve është se kërkesat e prokurorëve para gjykatës për të kërkuar “arrest në burg” janë vetëm 19–20%. Pra, në 10 të pandehur për të cilët prokuroria kërkon një masë sigurimi gjatë hetimit, vetëm për 2 prej tyre kërkohet masa e arrestit me burg. Për 8 të tjerët kërkohen masa më të lehta: detyrim paraqitjeje, ndalim daljeje jashtë shtetit etj. Kjo është një shifër që për këdo është mëse normale. Në fenomenin e madh të kriminalitetit që ka pushtuar prej kohësh këtë vend — që nga korrupsioni, krimi i organizuar, vrasjet, vjedhjet, krimi në familje, krimi kundër autoritetit shtetëror, shpërdorimi i detyrës e me radhë — reagimi penal do të duhej të ishte ku e ku më i madh.
 
Së dyti, nga ky 20% kërkesash të prokurorisë, jo të gjitha miratohen nga gjykata e shkallës së parë, apo më shumë akoma nga gjykatat e apelit apo ajo e lartë. Prokuroria bën vetëm kërkesën, kurse masën e arrestit në burg e jep efektivisht gjykata. Këto statistika, në fakt, duhet t’i kishte nxjerrë Ministria e Drejtësisë apo KLGJ, por kjo nuk është bërë. Pra, faktikisht numri i atyre të pandehurve për të cilët është dhënë efektivisht një masë e arrestit në burg është akoma më i vogël se ky 20% i kërkesave të prokurorisë.
 
Së treti, dhe kjo është një e dhënë që do të ishte e vetmjaftueshme të mbyllte çdo debat: nga 19–20% e kërkesave për “arrest në burg”, pothuajse të gjitha janë raste kur autorët janë kapur në flagrancë ose janë ndaluar nga policia. Është e logjikshme dhe e ligjshme që kush kapet në flagrancë në kryerje e sipër të krimit ose ndalohet, të kërkohet “arrest në burg”. Pra, prokuroria nuk ka bërë asgjë më shumë sesa ka vijuar punën paraprake të policisë (kapjen në flagrancë të autorëve të veprave penale), duke kërkuar më pas në gjykatë masën e arrestit në burg. Pra, në thelb, numri prej 20% është produkt i veprimtarisë së Policisë së Shtetit. Asnjë abuzim, shtim apo ekzagjerim nuk ka nga prokuroria/gjykata. Madje, po të kemi parasysh sa problematike është veprimtaria e Policisë së Shtetit në Shqipëri, ka vend të mendohet se ky 20% është dukshëm më i ulët se sa dimensioni real i fenomenit kriminal.
 
Vetëm 0.4% nga totali është numri i atyre që janë hetuar fillimisht në gjendje të lirë e më pas prokuroria ka kërkuar “arrest në burg”. Dhe kjo është mëse normale, madje një shifër e ulët.
 
Së katërti, ky 20% i kërkesave për “arrest në burg”, që siç u tha i referohet rasteve kur policia ka arrestuar në flagrancë, lidhet me vepra penale të rënda: krime kundër jetës, shëndetit, pronës, familjes, rendit dhe sigurisë publike. Për nga natyra e tyre, janë pikërisht këto vepra që sjellin flagrancë dhe detyrimin e policisë për të arrestuar. Çdo iniciativë për të lehtësuar situatën e këtyre autorëve të dyshuar nuk është gjë tjetër veçse një kërkesë që një i korruptuar të gëzojë paranë e tjetrit, një vrasës të bredhë i lirë mundësisht i armatosur, një dhunues në familje të qëndrojë pranë viktimave, një hajdut të vazhdojë të vjedhë, apo një person i rrezikshëm për rendin publik të vijojë të kërcënojë sigurinë tonë.
 
Së pesti, askush nga qeveria nuk i thotë publikut se në sa raste personat me masa më të lehta sigurimi kanë kryer sërish vepra penale. Sa efektiv është arresti në shtëpi? Sa herë është shkelur? A ka kapacitete policia për mbikëqyrje 24/7? Dihet që jo. Në këto kushte, masat e tjera shpesh mbeten në letër dhe të pandehurit për krime të rënda rikthehen faktikisht në liri.
 
Së gjashti, askush nuk jep statistika shqiptare mbi raportin midis të paraburgosurve dhe sa prej tyre dënohen përfunidmisht po me burg . Nëse ky raport është afër 1:1atëherë paraburgimi është i justifikuar. Po ashtu, askush nuk tregon sa prej të paraburgosurve shpallen të pafajshëm.
 
Së fundi, duhet theksuar se numri i të pandehurve në arrest me burg është më i lartë në fazën e hetimit dhe bie në fazat e mëvonshme. Ka edhe raste abuzimi me ankimet, kur vetë të pandehurit shtyjnë ditët e qendrimit në paraburgim deri në gjykimin në apel për të përfituar nga llogaritja më e favorshme e ditëve të paraburgimit.
Të gjitha këto tregojnë qartë se nuk ka abuzim me arrestin në burg. Përkundrazi. Kjo masë që synon të mbrojë hetimet, tëparandalojë kryerjen e veprave penale të tjera të ngjashme apo të parandalojë ikjen ndaj drejtësisë, duket se është ende e pamjaftueshme. Sigurisht nëse kjo shoqëri kërkon drejtësi. Sepse është e qartë që politikanët dhe pushtetarët nuk kanë interes për të. Ata kërkojnë lirinë për të vazhduar të abuzojnë me pushtetin, për të nëpërkëmbur qytetarët dhe për të kompromentuar drejtësinë.
Gjykata e Lartë, me vendimin që do të marrë, ka rastin të tregojë se në cilën anë është. Ai vendim mund të mos kuptohet menjëherë nga publiku, por një gjë është e sigurt: era e qelbur shpon çdo hundë.
 
Po presim !

Video

Kolegjet e Bashkuara do të vendosin sot lidhur me ndryshimin e praktikës për caktimin e masave të sigurisë, një nismë e ndërmarrë nga kryetari Sokol Sadushi pas vënies në lëvizje nga një shtetas i akuzuar për çështje droge. Nisma e Sadushit po kritikohet gjerësisht pasi ka dyshime se kjo lëvizje do të pasjellë lirimin e zyrtarëve të lartë të akuzuar nga SPAK për korrupsion, sikurse është Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës.

Papa Leo XIV zhvilloi një takim miqësor në Sheshin e Shën Pjetrit, ku priti ekipin e basketbollit Harlem Globetrotters. Gjatë takimit, atmosfera ishte e çlirët dhe simbolike, duke theksuar rolin e sportit si një mjet për afrimin e kulturave dhe promovimin e mesazheve pozitive.

Gazetari Mohammed Washah është vrarë në Gaza si pasojë e një sulmi ajror izraelit që goditi automjetin e tij. Al Jazeera konfirmoi vdekjen, ndërsa autoritetet izraelite nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi incidentin. Më herët, Izraeli kishte ngritur akuza ndaj gazetarit për lidhje të dyshuara, të cilat janë mohuar.

Ti nuk numëron veten, se po ta numëroje do ishin 13 milion. Hy e dil.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme