
Dhjetë vjet pasi koncesioni i hemodializës iu dha privatit, Sali Berisha ka zbuluar se edhe aty mund të ketë korrupsion. Kryetari i PD-së foli këtë javë për monopole, tendera të paracaktuar, transferta offshore dhe madje “valixhe me miliona”. Vetëm një gjë mungoi në denoncimin e tij: emrat e atyre që përfituan nga koncesioni.
I pyetur për problematikat e hemodializës, Berisha e cilësoi skemën “qartësisht flagrante si akt korruptiv”.
“Para se të shpallet tenderi, çohet valixhja me miliona apo bëhen transfertat në kontot offshore të tyre. Dhe ky është një krim”, deklaroi ai.
Akuza është e rëndë. Por Berisha nuk shpjegoi kush e mori “valixhen”, kush e çoi atë dhe mbi çfarë provash mbështetet pretendimi.
Dhe, mbi të gjitha, nuk përmendi Klodian Allajbeun.
Dokumentet e koncesionit tregojnë se kontrata 10-vjeçare e hemodializës u nënshkrua më 10 shkurt 2016. Fitues ishte bashkimi i operatorëve ku bënin pjesë “Evita” dhe “American Hospital”, së bashku me kompani të tjera, ndërsa për zbatimin e kontratës u krijua “DiaVita”.
Në strukturën fillestare të DiaVita-s, 85 për qind e kuotave kontrolloheshin nga “Evita” dhe 15 për qind nga “American Hospital”. Një investigim i BIRN në vitin 2015 dokumentonte se pronarja e Evita-s, Majlinda Fetiu, ishte kushërira e parë e Klodian Allajbeut, administratorit të Spitalit Amerikan.
Pra lidhja e Allajbeut me historinë e koncesionit nuk është një zbulim i vitit 2026. Ajo është publike prej më shumë se një dekade.
Më vonë pronësia ndryshoi. Në vitin 2019, kontrolli i DiaVita-s kaloi te kompania suedeze “Diaverum International AB”. Por kjo nuk ndryshon historinë e dhënies së koncesionit dhe strukturën e tij fillestare.
Edhe më interesante është memoria selektive politike e opozitës.
Në vitin 2024, me kërkesën e PD-së, Kuvendi ngriti një komision hetimor parlamentar për koncesionet në shëndetësi, të drejtuar nga deputetja demokrate Albana Vokshi. Por objekti zyrtar i atij komisioni ishte shumë konkret: sterilizimi dhe Check-up-i.
Dializa nuk ishte aty.
Pra, kur opozita kishte në dorë instrumentin parlamentar për hetimin e PPP-ve të shëndetësisë, koncesioni që sot Berisha e përshkruan me “valixhe me miliona” nuk u përfshi në objektin e hetimit.
Koncesioni ndërkohë nuk ka kaluar pa pikëpyetje institucionale. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar problematika lidhur me mënyrën e financimit dhe pagesave të shërbimit, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar zhvendosjen masive të dializës nga spitalet publike drejt privatëve dhe koncesionarit.
Kështu, problemi nuk është se Sali Berisha po denoncon sot një koncesion të qeverisë Rama. Problemi është pse iu deshën dhjetë vjet.
Dhe sidomos pse, edhe tani që flet për korrupsion, monopole, offshore dhe valixhe me miliona, ndalet pikërisht përpara emrave.
Në politikën shqiptare, marrëdhënia me koncesionarët duket se ka një cikël të çuditshëm: për vite të tëra mund të mos ekzistojnë fare në denoncimet politike, ndërsa kur marrëdhëniet ndryshojnë, papritur zbulohen edhe “valixhet”.
Sepse nga denoncimi te e vërteta, opozitës ndonjëherë i duhet një rrugë shumë e gjatë. Sidomos kur përfituesit e tenderave të qeverisë nuk janë vetëm klientë të saj, por herë pas here rezultojnë edhe klientë “part-time” të opozitës.






















