
Qeveria e Nicolás Maduro-s, në përpjekje për të përmbyllur konfliktin shumëvjeçar me Shtetet e Bashkuara, i ka ofruar administratës Trump kontroll të gjerë mbi rezervat e naftës dhe pasuritë minerare të Venezuelës, sipas burimeve të afërta me negociatat që zgjatën disa muaj.
Sipas New York Times, propozimi nga Karakasi qëndronte në tryezë edhe kur Washington-i e etiketonte regjimin Maduro si një “kartel narko-terrorist” dhe forconte praninë ushtarake në Karaibe. Oferta përfshinte hapjen totale të të gjitha projekteve aktuale dhe të ardhshme të naftës dhe arit për kompanitë amerikane.
Maduro ishte i gatshëm të zhvendoste eksportet e naftës nga Kina drejt SHBA-ve, të ofronte kontrata preferenciale për kompanitë amerikane dhe të kufizonte bashkëpunimin me Kinën, Iranin dhe Rusinë në sektorët e energjisë dhe mineraleve. Megjithatë, SHBA-të e refuzuan propozimin dhe ndërprenë çdo kontakt diplomatik me Venezuelën javën e kaluar, një zhvillim që, të paktën përkohësisht, i dha fund bisedimeve të fshehta.
Paralelisht, mobilizimi ushtarak i SHBA-ve dhe retorika agresive e zyrtarëve të presidentit Trump i bëjnë shumë analistë të mendojnë se qëllimi përfundimtar mbetet rrëzimi i Maduro-s. Sekretari i Shtetit dhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Marco Rubio, ka qenë zëri kryesor i kësaj linje, duke e quajtur Maduro-n “i arratisur nga drejtësia amerikane” dhe “udhëheqës i paligjshëm”.
Nga ana e saj, Venezuela përgjigjet publikisht me retorikë të ashpër dhe zotime për të mbrojtur “revolucionin socialist” të nisur nga Hugo Chávez, ndërsa në prapaskenë vazhdon të lejojë fluturime riatdhesimi për emigrantët dhe të kërkojë rivendosje të marrëdhënieve me SHBA-në.
Bisedimet mes të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve, Richard Grenell, dhe zyrtarëve të lartë venezuelianë ishin përqendruar te koncesionet ekonomike, por nuk u arrit asnjë marrëveshje për të ardhmen politike të Maduro-s. Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Iván Gil, kishte deklaruar se “presidenti nuk do të negociojë largimin e tij nga pushteti”.
Ndërkohë, Maria Corina Machado, udhëheqësja e opozitës, që sot fitoi Çmimin Nobel për Paqe, prezantoi në Washington një plan të sajin, që parashikon investime prej 1.7 trilionë dollarësh për 15 vitet e ardhshme, nëse vendi kalon drejt një tranzicioni demokratik.
Këshilltarja ekonomike e Machado-s, Sari Levy, tha se “ajo që ofron Maduro nuk është stabilitet, por kontroll i ruajtur përmes frikës”.
Aktualisht, Venezuela prodhon rreth 1 milion fuçi naftë në ditë, shumë më pak krahasuar me periudhën e Chávez-it, kur prodhimi arrinte në 3 milion fuçi në ditë. Pjesa më e madhe eksportohet në Kinë, përveç rreth 100 mijë fuçive në ditë që Chevron i dërgon në SHBA.
Kompania shtetërore PDVSA ka dhënë Chevron-it kontroll të plotë mbi projektet e përbashkëta dhe po shqyrton mundësinë për ta përfshirë edhe në fusha të reja naftëkërkimi. Po ashtu, Karakasi po përpiqet të rifillojë marrëdhëniet me ConocoPhillips, kompani që u tërhoq nga vendi në vitin 2007, dhe këtë vit janë mbajtur kontakte për bashkëpunime të mundshme.
Në maj, negociatat dukeshin se po afroheshin me një moment të rëndësishëm diplomatik. Grenell ndërmjetësoi kthimin në Venezuelë të një fëmije të mitur që kishte mbetur në SHBA pas dëbimit të prindërve të tij, ndërsa qeveria Maduro reagoi me lirimin e një veterani amerikan të Forcave Ajrore.
Megjithë këto shenja përparimi, Rubio kundërshtoi fuqishëm çdo negociatë ekonomike, duke e konsideruar rrëzimin e Maduro-s si të domosdoshëm edhe për të çmontuar regjimin komunist në Kubë.
Pavarësisht kundërshtive, Chevron mori në korrik leje për të operuar në Venezuelë nga Departamenti amerikan i Thesarit. Më pas, u dha edhe një tjetër leje që i mundëson kompanisë Shell të nisë nxjerrjen e gazit natyror nga vendburimi i madh detar Dragon, deri në vitin 2026, në bashkëpunim me Trinidad dhe Tobago-n.
Thuhet se Maduro pranoi një kusht sipas të cilit Shell do të investojë në programe sociale në Venezuelë, në vend që të derdhë të ardhura në arkat shtetërore, një përpjekje për të treguar se vendi mbetet “i hapur ndaj tregjeve ndërkombëtare”.