Bota 9 January 2026, 15:07 Nga VNA

"Thjesht ulemi dhe qajmë”: Pacientët me kancer në Gaza vdesin duke pritur trajtim

Ndaje në Whatsapp
"Thjesht ulemi dhe qajmë”: Pacientët me kancer në Gaza

Mjekët në Rripin e Gazës thonë se vdekjet e lidhura me kancerin janë trefishuar që prej nisjes së luftës së Izraelit në Gaza, ndërsa pacientëve u ndalohet dalja për trajtim jashtë territorit dhe furnizimi me barna jetike mbetet i bllokuar.

Për Hani Naim, pritja nuk është më për shërim, por për leje që t’i shpëtojë jetën vetes. Prej gjashtë vitesh ai jeton me kancer dhe kishte marrë miratim për trajtim jashtë vendit. Por, si mijëra të tjerë, mbetet i bllokuar në Gaza, i penguar të largohet nga kufizimet gjithnjë e më të ashpra izraelite. “Më parë trajtohesha në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalem,” i tha ai Al Jazeera-s. “Sot nuk kam qasje në asnjë trajtim. Kam nevojë për radioterapi dhe ajo nuk ekziston më në Gaza.”

Naim është një nga rreth 11 mijë pacientë me kancer që aktualisht janë të bllokuar në enklavë, ku sistemi shëndetësor është shembur pothuajse plotësisht. Sipas mjekëve, që nga tetori i vitit 2023, kur nisi lufta izraelite në Gaza, numri i vdekjeve nga kanceri është trefishuar. Pa kimioterapi, pa radioterapi dhe pa mundësi daljeje, një diagnozë kanceri është kthyer për shumëkënd në një dënim të menjëhershëm me vdekje.

Në qendër të kësaj krize qëndron Spitali i Miqësisë Turko-Palestineze, dikur i vetmi institucion që ofronte kujdes onkologjik të specializuar në Rripin e Gazës. Sot, ai është shndërruar në një guaskë të zbrazët. “Ngjan me një spital fantazmë pasi u kthye në një zonë ushtarake gjatë luftës,” raportoi gazetari Tareq Abu Azzoum. “Forcat izraelite e hodhën në erë, duke i lënë pacientët të mbijetojnë si të munden.”

Me shkatërrimin e institucionit kryesor, mjekët janë detyruar të punojnë në klinika improvizuara, pa pajisje dhe pa barna. Në një intervistë për Al Jazeera Mubasher, drejtori mjekësor i Qendrës së Kancerit në Gaza, Mohammed Abu Nada, e përshkroi situatën si një gjendje dëshpërimi të plotë.

Pavarësisht marrëveshjeve të fundit për armëpushim, të cilat supozohej se do të lejonin hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza, furnizimet thelbësore mjekësore vijojnë të mbeten të bllokuara. Abu Nada hodhi poshtë pretendimet se ndihmat po hyjnë lirshëm, duke sqaruar se, ndonëse disa mallra tregtare kanë kaluar kufirin, barnat që shpëtojnë jetë nuk kanë hyrë fare.

“Ata sollën çokollata, arra dhe patatina… por trajtimet për sëmundjet kronike, trajtimet për kancerin dhe pajisjet diagnostikuese nuk kanë hyrë aspak,” tha ai. “Kjo është thjesht propagandë. I jemi drejtuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të paktën të na sigurojë trajtimin, nëse nuk na lejohet të largohemi. Por, përkundrazi, edhe ato pak rezerva që kishim kanë mbaruar.”

Sipas Abu Nadas, rreth 60 deri në 70 për qind e protokolleve të trajtimit të kancerit janë plotësisht të padisponueshme. Duke qenë se kimioterapia kërkon një sekuencë të saktë barnash, mungesa e qoftë edhe një përbërësi e bën të pavlefshëm të gjithë trajtimin.

Edhe kujdesi paliativ është drejt kolapsit. Ilaçet kundër dhimbjes, jetike për pacientët në faza të avancuara të kancerit, tashmë po racionohen. “Përpiqemi të vendosim përparësi,” shpjegoi Abu Nada. “Ata me kancer të përhapur marrin diçka, ndërsa ata që janë ende në faza më të qëndrueshme… nuk marrin asgjë.”

Pasojat njerëzore të kësaj mungese janë dramatike. Abu Nada bëri të ditur se vetëm në zonën e Khan Younis-it, çdo ditë vdesin dy deri në tre pacientë me kancer. “Sëmundja përhapet në trup si zjarr,” tha ai. “Kemi bërë hapa pas, sikur të ishim kthyer 50 vite prapa në trajtimin e kancerit.”

Aktualisht, 3.250 pacientë kanë referime zyrtare për trajtim jashtë Gazës, por nuk mund të kalojnë kufirin për shkak të mbylljes së pikës së Rafahut dhe ndalimeve izraelite për evakuime mjekësore.

Për personelin shëndetësor që ka mbetur, barra psikologjike është e jashtëzakonshme. “Disa specialistë janë larguar nga Gaza,” tha Abu Nada. “Por edhe për ata që kanë mbetur, çfarë vlere ka një mjek pa mjete?”

“Në fund,” shtoi ai, “mjekut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të ulet dhe të qajë pranë pacientit, të cilit i është mohuar trajtimi dhe i është mohuar edhe e drejta për t’u larguar.”

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme