
Irani po e shtrëngon një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë, Ngushticën e Hormuzit, duke kërcënuar anijet tregtare dhe duke sulmuar cisternat e naftës. Por përveç këtyre sulmeve, një rrezik tjetër shumë më i fshehtë po shfaqet në ujërat e Gjirit Persik: minat detare.
Sipas vlerësimeve të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA, Irani zotëron mbi 5 mijë mina detare dhe ka nisur të vendosë disa prej tyre në zonë. Këto armë mund të komplikojnë seriozisht përpjekjet për të rifilluar lundrimin normal të anijeve në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike të planetit.
Gjeografia e ngushticës i jep Iranit një avantazh të madh. Vijëbregdeti i gjatë në jug i lejon mjeteve të vogla detare të dalin shpejt në det dhe të vendosin mina. Ndërkohë, korridoret e ngushta të lundrimit lënë shumë pak hapësirë për manovrim. Në pikën më të ngushtë, thellësia e ujit është rreth 60 metra, mjaftueshëm e cekët për të krijuar fusha të tëra me mina.
Minat detare janë përdorur nga ushtritë që prej Luftës së Parë Botërore dhe ekzistojnë në disa forma. Një nga më të zakonshmet janë minat e ankoruara, të cilat qëndrojnë pak nën sipërfaqe të lidhura me një zinxhir me një peshë në fund të detit. Kur një anije i prek, ato shpërthejnë menjëherë.
Nëse zinxhiri që i mban të ankoruara këputet, mina mund të lëvizë me rrymën dhe të kthehet në një “minë lundruese”, duke u bërë edhe më e paparashikueshme për anijet që kalojnë.
Një tjetër kategori janë minat e vendosura në fundin e detit. Këto përmbajnë sasi më të mëdha eksplozivi dhe janë të pajisura me sensorë magnetikë, akustikë dhe presioni që dallojnë praninë e një anijeje. Kur sensori identifikon objektivin, mina shpërthen me një forcë të madhe, duke krijuar një valë gazi që godet pjesën e poshtme të anijes.
Irani zotëron edhe të ashtuquajturat mina “limpet”, ngarkesa të vogla eksplozive që vendosen nga zhytës apo notarë në trupin e një anijeje. Ato shpërthejnë pas një kohe të caktuar, duke u dhënë mundësi personave që i vendosin të largohen.
Shumica e këtyre minave nuk synojnë domosdoshmërisht të fundosin anijet, por të shkaktojnë dëmtime të rënda që i bëjnë ato të paafta për të vazhduar misionin. Tankerët modernë janë projektuar me dy shtresa trupi dhe ndarje të brendshme të papërshkueshme nga uji, çka i bën më rezistentë ndaj shpërthimeve.
Vendosja e minave është relativisht e shpejtë, por pastrimi i tyre është një proces i gjatë, i kushtueshëm dhe shumë i rrezikshëm. Për t’i gjetur, ekipet përdorin mjete nënujore robotike të pajisura me sonar që skanojnë zonën në mënyrë sistematike. Pasi identifikohen, minat shkatërrohen me eksploziv ose çaktivizohen nga zhytës specialistë.
Ekziston edhe metoda e “pastrimit të minave”, ku pajisje speciale imitojnë sinjalet magnetike ose akustike të një anijeje për të detyruar minën të shpërthejë. Megjithatë kjo metodë nuk garanton që të gjitha minat të eliminohen.
Historia tregon se pastrimi i këtyre armëve mund të zgjasë me javë apo edhe muaj. Në vitin 1991, pasi Iraku vendosi mbi një mijë mina në Gjirin Persik, flotës së aleatëve iu deshën pothuajse dy muaj për të pastruar bregdetin e Kuvajtit.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Irani duket se po përpiqet të vendosë mina më shpejt sesa mund të pastrohen nga forcat perëndimore, duke krijuar një efekt frikësues për anijet që kalojnë në këtë rrugë strategjike.
Ngushtica e Hormuzit është një arterie jetike për tregtinë globale të energjisë. Çdo pengesë në këtë korridor mund të tronditë tregjet ndërkombëtare dhe të rrisë ndjeshëm çmimet e naftës në mbarë botën.






















