Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërkuar anulimin e dëshmisë së tij të planifikuar për të hënën në procesin penal ndaj tij, duke argumentuar se situata e sigurisë dhe zhvillimet politike në vend e bëjnë të pamundur paraqitjen në gjykatë në këtë moment. Lajmi u raportua nga e përditshmja izraelite Haaretz.
Sipas raportimit të medias izraelite, kërkesa e Netanyahu-t u dorëzua për shkak të tensioneve të vazhdueshme të sigurisë dhe angazhimeve të tij politike si kryeministër në një moment të ndjeshëm për Izraelin.
Por Zyra e Prokurorit të Shtetit e ka refuzuar këtë kërkesë. Siç citon Haaretz, prokuroria ka deklaruar se “në mungesë të nevojave urgjente dhe konkrete të sigurisë që nuk mund të shtyhen, i pandehuri duhet të përshtatë axhendën e tij me datat e dëshmisë të përcaktuara nga gjykata”.
Netanyahu është në gjyq për disa akuza për korrupsion, përfshirë ryshfet, mashtrim dhe shpërdorim besimi – akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht, duke i cilësuar proceset si një “gjueti shtrigash” politike kundër tij.
Procesi ndaj tij është një nga çështjet më të rëndësishme politike dhe juridike në Izrael në vitet e fundit, pasi është hera e parë që një kryeministër në detyrë përballet me një gjyq penal ndërsa mban ende postin.






















