Presidenti francez Emmanuel Macron reagoi ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për tërheqjen e mundshme të SHBA-së nga NATO dhe për një operacion ushtarak në Ngushticën e Hormuzit.
Gjatë një vizite në Korenë e Jugut, Macron tha se ideja për të hapur me forcë Ngushticën e Hormuzit përmes një operacioni ushtarak është jorealiste. Ai akuzoi gjithashtu Trump se me deklaratat e tij po dobëson NATO-n duke krijuar dyshime të vazhdueshme mbi angazhimin amerikan në aleancë.
“Disa mbështesin idenë e çlirimit të Ngushticës së Hormuzit me forcë, përmes një operacioni ushtarak – një qëndrim që Shtetet e Bashkuara e kanë shprehur herë pas here, edhe pse me luhatje”, u tha Macron gazetarëve.
Sipas tij, lufta që po zhvillohet në Lindjen e Mesme nuk ofron një zgjidhje afatgjatë për çështjen e programit bërthamor iranian.
Macron komentoi edhe deklaratat personale të Trump për marrëdhënien e tij me bashkëshorten Brigitte Macron, duke i cilësuar ato si të papërshtatshme.
“Komente të tilla nuk janë as të sjellshme dhe as të denja për këtë nivel”, tha presidenti francez.
Trump kishte deklaruar gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë se Macron “keqtrajtohet nga gruaja e tij”, duke iu referuar një videoje të majit 2025 ku Brigitte Macron dukej sikur e godiste lehtë presidentin francez pak para se të zbrisnin nga avioni presidencial gjatë një vizite në Vietnam.






















